Blog

Menaxhimi efektiv i Kohës fillon me Vizion dhe Objektiva të qarta

Menaxhimi efektiv i Kohës fillon me Vizion dhe Objektiva të qarta

Ka mënyra të ndryshme për të trajtuar çështjen e menaxhimit të kohës. Ju mund të shkarkoni aplikacione në celularin apo kompjuterin tuaj, të rregulloni kohën e gjumit, të krijoni lista detyrash, të lexoni libra e artikuj rreth saj, etj. Më poshtë po ju sjellim një këndvështrim të thjeshtë nga  Bill Stack mbi këtë temë.

* * * * *

Sa herë që mendojmë menaxhimin e kohës, ai ka kuptim vetëm kur kemi parasysh rezultatin në fund. Pse është e rëndësishme kjo? E thënë thjesht - në qoftë se ju nuk keni një vizion të qartë ose objektiva të qarta në jetë ose në biznes - atëherë menaxhimi i kohës me të vërtetë bëhet i pakuptimtë.

Zhvillimi i mendimit të drejtë dhe qëndrimit të duhur përcakton bazat për krijimin e zakoneve dhe disiplinave efektive të menaxhimit të kohës. Shumë prej nesh ndjejmë rrëmujë në jetën tonë, sepse nuk kemi disiplinën bazë të menaxhimit të kohës. Disa mendojnë se janë të "mallkuar" me zakonet e këqija të menaxhimit të kohës dhe kanë dalë në përfundimin se është e kotë dhe e pashpresë për t’i ndryshuar ato zakone. Duhet që së pari, të besoni se situata juaj mund të ndryshojë dhe se ju keni fuqinë për të kapërcyer zakonet e këqija. Pasi të keni një dëshirë të palëkundur dhe të merrni një vendim të ndërgjegjshëm për të marrë kontrollin e kohës tuaj, atëherë ju do të jeni të hapur dhe të gatshëm për të mësuar dhe për ti përvetësuar disiplinat kryesore dhe mjetet e menaxhimit efektiv të kohës.

 Menaxhimi i kohës, si çdo zakon tjetër i mësuar, kërkon të paktën tre javë për t’u zhvilluar dhe më pas shumë muaj dhe vite për t’u përsosr deri sa ju ta zotëroni disiplinën.

Një tjetër element i nevojshëm për të zhvilluar menaxhim efektiv të kohës është Vizioni. Unë njoh shumë njerëz (dhe jam i sigurt që dhe ju njihni) që çojnë dëm shumë kohë të çmuar, për shkak se ata e kanë të pakët ndjenjën e qëllimit dhe vizionit. Prandaj, ata janë të kënaqur  ta jetojnë jetën, dita ditës, duke marrë atë që vjen dhe duke humbur mundësitë që ekzistojnë.

Qartësia është koncepti më i rëndësishëm kur bëhet fjalë për vizionin dhe produktivitetin personal. Arsyeja kryesore pse disa njerëz arrijnë më shumë në një ditë se të tjerët (kur të gjitha gjërat janë të barabarta), është për shkak të faktit se ata janë plotësisht të qartë, në qëllimet dhe objektivat, dhe nuk devijojnë prej tyre. Disiplina e qartësisë parandalon zvarritjen dhe siguron fokusin dhe motivimin që i vë në lëvizje individët për të arritur ëndrrat e tyre.

Le ta përkufizojmë vizionin. “Vizioni” mund të përshkruhet si gjendja juaj ideale (për jetën, biznesin, karrierën, etj.) në 10, 20, 30 vjet dhe më gjatë. Ju duhet të jeni në gjendje ta imagjinoni këtë vizion me qartësi absolute dhe ta përshkruani me hollësi të sakta. Sa më shumë qartësi të keni në vizionin tuaj, aq më shumë motivim do të keni në jetën tuaj.

Të pasurit e një vizioni të qartë do t'ju ndihmojë të përcaktoni se çfarë duhet të bëni sot për të arritur atë që ju dëshironi nesër. Pasi të keni krijuar një vizion të qartë, është e domosdoshme të zhvilloni objektivat që do t'ju ndihmojnë të arritur këtë vizion. Ndërsa vizioni është destinacioni, objektivat janë piketa afat-gjatë dhe afat-shkurtër gjatë rrugës që ju cojnë gjithmonë e më afër për të arritur vizionin tuaj.

Shumë është shkruar dhe thënë për vendosjen e objektivave, por më poshtë është paraqitur një proces i thjeshtë dhe efektiv për vendosjen e tyre:

  1. Vendosni me saktësi atë që dëshironi. Jini specifik dhe shkruajeni në letër. Vetë akti i të shkruarit të një objektivi apo qëllimi rrit në mënyrë të konsiderueshme gjasat që ju do të arrini atë.
  2. Vendosni objektiva të matshme.
  3. Vendosni një afat kohor për qëllimet tuaja. Kjo do t'ju ndihmojë për të kapërcyer prirjen e njeriut për të shtyrë për më vonë punët dhe do të ushtrojë presion për ju që ta bëni atë.
  4. Bëni një listë. Shkruani çdo gjë që duhet të bëni për të arritur çdo qëllim, duke përfshirë aktivitetet, strategjitë, vendimet, piketat, etj
  5. Së fundi, zhvilloni një plan veprimi nga lista e aktiviteteve dhe menjëherë ndërmerrni veprim për planin tuaj. Zgjidhni të bëni diçka çdo ditë për të arritur më afër objektivave tuaja. Është e qartë se objektivat e shkruara do të kenë të një efekt të fuqishëm mbi të menduarit tuaj dhe do t'ju motivojnë për të vepruar.

Objektivat veprojnë si "drita udhëzuese" për t'ju mbajtur të fokusuar  tek detyra, që ta përdorni kohën tuaj në mënyrën më efikase të mundshme.