Blog

4 Pyetje të thjeshta

4 Pyetje të thjeshta

Lidhur me drejtimin e ekipeve, John Quincy Adams - presidenti i gjashtë i SHBA-ve ka lënë këtë shprehje: "Nëse veprimet tuaja i frymëzojnë të tjerët të ëndërrojnë më shumë, të mësojnë më shumë, të bëjnë më shumë dhe të bëhen më shumë, ju jeni një udhëheqës". Dhe kjo është më se e vërtetë. Ekipet e suksesshme nuk janë të tilla rastësisht. Drejtuesit e tyre kujdesen që secili anëtar i ekipit të ndihet i nevojshëm dhe i rëndësishëm në punën e tij dhe njëkohësisht i vlerësuar dhe i respektuar. Marcel Schwantes, autor i shkrimit këtu, thekson njohjen dhe përfshirjen e anëtarëve të ekipit në drejtim, për përpjekje e rezultate më të larta. Lexim të këndshëm!

* * * * *

Unë kam shkruar shpesh për fuqinë e transparencës - shtyllën kurrizore të besimit - që bashkon ekipet për të prodhuar rezultate të shkëlqyera. Besimi thjesht nuk mund të ndodhë pa të.

Dhe nëse jeni në një rol udhëheqës, po ju paralajmëroj - OK, po ju kërkoj, dhe ju do të më falënderoni më vonë - Ju lutem, bëni më të mirën tuaj për të ditur statusin dhe gjendjen e punonjësve nën kujdesin tuaj.

Këtu, aftësia për të qenë transparent bën punën e saj më të mirë dhe ju jep përparësi konkurruese.

Kur jeni mjaftueshëm kurioz për të zbuluar se çfarë po ndodh me ekipin tuaj, si ndihen ata për gjërat, ju tregoni se jeni të interesuar. Ata, nga ana tjetër, ndihen të vlerësuar dhe bëjnë përpjekjet e duhura.

Mënyra më e mirë për të ndërvepruar me transparencë gjendet në bisedat kokë më kokë. Ka pyetje që çdo udhëheqës që ushtron inteligjencë emocionale duhet t'i bëjë, për të hedhur bazat e zhvillimit të një dialogu të hapur dhe produktiv.

Mund të filloni këtë javë me këto 4 pyetje.

Për të ndihmuar në krijimin e atmosferës për diskutime të shkëlqyera që do të rrisin motivimin dhe angazhimin e punonjësve, këtu janë 4 pyetje që mund t'i bëni anëtarëve të ekipit tuaj:

1. Nëse do t'ju duhej të përdornit një fjalë për të përshkruar përvojën tuaj të punës, cila do të ishte ajo dhe pse?

Së pari, padyshim që ju dëshironi të vërtetoni paraprakisht se nuk ka pasoja për ushtrimin e transparencës! Bëhuni udhëheqësi që largon frikën gjatë diskutimit dhe i lejon punonjësit të shprehin hapur e me mirëbesim - të mirën, të keqen dhe të shëmtuarën. Duke u dhënë atyre lirinë për të shprehur atë një fjalë dhe për të dëgjuar shpjegimin e tyre, ju do të rrisni vetëdijen tuaj për të zbuluar zgjidhjen e problemeve, e sidomos, zgjidhjet e problemeve që mund të mos i dinit se ishin aty. Falënderojini bashkëbiseduesit për transparencën e tyre dhe sigurojini edhe një herë se çfarë po diskutoni do të ruhen me kujdes dhe do të mbahen parasysh, pasi qëllimi është ta përdorni për interesin e tyre më të mirë, si aleatët tuaj.

2. A mund të rendisni tre gjëra që ju motivojnë të bëni punën tuaj çdo ditë?

Ndërsa investoni më shumë kohë duke folur me punonjësit tuaj të vlerësuar, ajo që merrni në këto përgjigje mund t'ju japë njohuri të jashtëzakonshme për atë që i gëzon ata në punën dhe kompaninë e tyre. Bëjini pyetje të tjera hetuese ndërsa dëgjoni. Pse diçka në veçanti i motivon ata? A ka ndonjë element tjetër të sapo zbuluar që ata mund ta përdorin diku tjetër për të dhënë më të mirën e tyre?

3. Cila është një gjë që mund të bëj për t'ju bërë më produktivë?

Sigurohuni që të fokusoheni vetëm rreth një gjëje. Jepuni kohë të mjaftueshme për ta përpunuar përgjigjen dhe mos i nxitoni. Heshtja është e artë. Nëse nuk mund të thonë diçka, pyesni për atë që ka ndikuar për të mos e shijuar punën e tyre së fundmi. Çfarë mund të ishte bërë për ta përmirësuar atë? Nëse ata janë të rinj në punë, pyesni të njëjtën gjë për punën e mëparshme - çfarë funksionoi dhe nuk funksionoi?

4. Cila është një gjë që kompania jonë nuk po bën aktualisht dhe që ju mendoni se ne duhet ta bëjmë për të rritur biznesin?

Ju mund të keni mendimtarë të shkëlqyer nën çatinë e kompanisë suaj dhe as nuk e dini këtë. Pra, kërkoni reagime mbi drejtimin, strategjinë e markës, mbajtjen e klientëve dhe punësimin. Tregoni vëmendje për introvertët e qetë e që nuk flasin, pasi ju mund të zbuloni talente me ide fantastike dhe të menduarit inovativ në ekipin tuaj.

Në mbyllje

Ju mund t’i dërgoni paraprakisht këto pyetje tek anëtarët e ekipit tuaj. Është e drejtë që ata të kenë mundësinë për të menduar rreth tyre, përpara se të takoheni.

Kur i bëni këto pyetje, po krijoni mundësinë e të qenit transparent në të dy anët e tryezës dhe po prekni zemrat e njerëzve që drejtoni. Kështu do të mësoni se çfarë i shtyn ata të arrijnë rezultate dhe si t'u shërbeni më mirë nevojave të tyre, në mënyrë që të jenë më produktivë.

Po e përfundoj me një pyetje për drejtuesin e ekipit: - A e dini vërtet se çfarë po ndodh me ekipin tuaj?