Blog

Ekipet e suksesshme nuk ia lënë marrëdhëniet rastësisë

Ekipet e suksesshme nuk ia lënë marrëdhëniet rastësisë

Edhe nëse nuk jeni lexues i blog-ut të ProspecTime, ku shumë artikuj trajtojnë temën e ndërtimit të marrëdhënieve në vendin e punës, ne jemi të bindur se keni dëgjuar për dobitë e ndërtimit të marrëdhënieve të mira dhe solide me bashkëpunëtorët, partnerët dhe klientët. Megjithatë, në shkrimi këtu, autori Ron Friedman, shtjellon me kujdes një marrëdhënie të veçantë, atë midis punonjësve në vendin e punës. Është normale që të lindin shoqëri dhe miqësi midis punonjësve ose dhe anëtarëve të një ekipi. Koha e kaluar së bashku ka rëndësi, e gjithashtu edhe përpjekjet dhe sfidat e përbashkëta. Por, si menaxher apo drejtues i ekipit, a duhet që t’ia lini këtë rastësisë? Menaxherët dhe drejtuesit e ekipeve të suksesshme e dinë se kanë mundësi ta shfrytëzojnë këtë lloj marrëdhëniesh për sukses. Urojmë edhe ju! Lexim të këndshëm!

* * * * *

Në pamje të parë, shoqërizimi dhe miqësitë në vendin e punës mund të duken të parëndësishme - ndoshta, mirë është që të jenë, por që janë jashtë vëmendjes dhe objektivave tradicionalë organizativë si rendimenti, efektiviteti dhe fitimi.

Nuk ka gjë tjetër më larg nga e vërteta. Një sërë studimesh zbulojnë se duke ushqyer nevojën tonë psikologjike themelore e njerëzore për përkatësi, lidhjet kuptimplota në vendin e punës janë të rëndësishme për shumë nga rezultatet e ekipeve me performancë të lartë.

Si fillim, punonjësit me lidhje të ngushta në punë janë më produktivë, më kreativë dhe më bashkëpunues. Ata gjithashtu pohojnë se janë më të kënaqur me punën e tyre, janë më pak të ndjeshëm ndaj ngarkesës në punë dhe kanë më pak gjasa të largohen nga organizata e tyre. Me fjalë të tjera, jo vetëm që janë kontribues më të mirë, por ofrojnë më shumë stabilitet për ekipin.

Në kontrast me këtë, kur punonjësit ndihen të shkëputur nga ekipi i tyre ose të vetmuar në punë, performanca e tyre luhatet. Aftësia e tyre për t'u përqendruar përkeqësohet dhe gatishmëria e tyre për të bashkëpunuar bie. Më keq akoma, ata shpenzojnë plot energji duke u përpjekur të fshehin vetminë e tyre nga të tjerët, duke përdorur më pak energji fizike e mendore për përfundimin e projekteve. Me pak fjalë, ata bëhen më pak të aftë për të bërë punën e tyre.

Tani, është një gjë të vlerësosh logjikisht vlerën e lidhjeve të ngushta, dhe një gjë tjetër të dish se çfarë të bësh për këtë. Në fund të fundit, çfarë mund të bëjë një drejtues i vetëm për t'i detyruar kolegët të lidhen?

Përgjigjja e shkurtër është – plot gjëra.

Hulumtimet sugjerojnë se shoqëritë dhe miqësitë në vendin e punës nuk ndodhin krejt rastësisht. Ato lulëzojnë në disa kushte, shumë prej të cilave drejtuesit mund t’i krijojnë dhe nxisin në mënyrë strategjike, madje edhe në mjedise pune të largët ose hibrid. Ja tre strategji të bazuara në prova, që udhëheqësit mund t'i përdorin për të përfituar nga shkenca e lidhjeve të ngushta.

1. Përdorni elementët e përbashkët për të nxitur miqësi

Studimet tregojnë se një nga faktorët më të fortë të miqësisë është ngjashmëria. Sa më shumë gjëra të përbashkëta të kenë punonjësit me njëri-tjetrin, qoftë një emision televiziv, aktivitet i preferuar i fundjavës, apo edhe e njëjta datëlindje, aq më shumë ka gjasa që ata të shoqërizohen. Në një studim të jashtëzakonshëm të miqësive më të mira, e që kanë zgjatur për gati 20 vjet, është zbuluar se elementi më i fortë për një lidhje afatgjatë është niveli i ngjashmërisë kur miqtë takohen për herë të parë.

Drejtuesit mund ta shfrytëzojnë me zgjuarsi këtë element, duke ua bërë më të lehtë punonjësve identifikimin e të përbashkëtave. Momenti i punësimit ofron mundësinë e përsosur. Në vend që thjesht të punësoni punonjës të rinj, nisur thjesht nga përvoja e tyre profesionale, mendoni t'i intervistoni për të zbuluar disa detaje të larmishme rreth interesave të tyre personale, dhe i përdorni këto detaje në mesazhin tuaj të mirëseardhjes.

Prezantimi i anëtarëve të rinj të ekipit nga interesat e tyre personale menjëherë i humanizon ata dhe u jep fuqi anëtarëve ekzistues të ekipit për të gjetur gjëra të përbashkëta mbi të cilat ata mund të lidhen. Për më tepër, të pyesni për interesat personale i tregon punonjësve të rinj që ju interesoheni për ta dhe e vlerësoni individualitetin e tyre. Kjo bën gjithashtu edhe diferencimin. Në një botë ku 88% e punonjësve besojnë se procesi i punësimit në kompaninë e tyre duhet të përmirësohet, duke nxitur që në ditën e parë të fillimit të punës bazat për shoqërizim e miqësi, jo vetëm që ju veçon si organizatë, por kjo hap rrugën për një bashkëpunim më të efektshëm.

2. Theksoni qëllimet e përbashkëta

Është e lehtë të supozohet se punonjësit që raportojnë tek i njëjti drejtues, natyrshëm do ta shohin veten si një ekip. Megjithatë, nuk është gjithmonë kështu. Një aspekt vendimtar i ekipeve të suksesshme është pra, të sigurohet që punonjësit t'i shohin kolegët e tyre jo vetëm si kolegë pune, por edhe si shokë skuadre. Pyetja është, si?

Psikologët socialë e kanë vlerësuar prej kohësh se qëllimet apo objektivat e përbashkëta, ose përvoja e punës së përbashkët drejt një objektivi të përbashkët, mbështet zhvillimin e miqësive. Dhe në të vërtetë, studimet tregojnë se punonjësit që i shohin kolegët e tyre si thelbësorë për suksesin e tyre ndërtojnë miqësi më të ngushta, kanë më pak mosmarrëveshje dhe e shohin punën e tyre si më domethënëse.

Në shumë organizata sfida është se qëllimet, objektivat e përbashkëta shpesh janë çuditërisht të vështira për t'u identifikuar, sidomos kur anëtarët e të njëjtit ekip janë duke punuar në projekte të ndryshme. Kjo ndodh atëherë kur ne nuk e ndjejmë që objektivat tona përputhen me ato të kolegëve tanë dhe kur jemi dëshmitarë të shfaqjes së klisheve, fërkimeve dhe konflikteve.

E megjithatë, qëllimet e përbashkëta ende mund t'u ofrojnë drejtuesve një mundësi të vlefshme për ndërtimin e një mentaliteti ekipor, edhe kur bashkëpunimi është i kufizuar. Për shembull, drejtuesit mund të tërheqin vëmendjen mbi mënyrat se si projektet kërkojnë një përpjekje ekipore. Kjo mund të jetë po aq e thjeshtë sa të nxirrni në pah një bashkëpunim të rëndësishëm, ose të falënderoni publikisht një individ, kontributet e të cilit janë jetësore për suksesin e një ekipi, por janë të lehtësisht mund të kalohen pa u vënë re.

Një tjetër mundësi është të theksohen objektivat për të gjithë ekipin (të tilla si objektivat dhe rezultatet thelbësore) që mund të arrihen vetëm duke punuar së bashku.

Objektivat e përbashkëta gjithashtu mund të nxisin ndërtimin e ekipit jashtë zyrës, gjatë aktiviteteve rekreative. Një aktivitet social i projektuar mirë mund të bëjë më shumë sesa të japë një përvojë argëtuese. Ai mund të paraqesë kushtet që u japin fuqi kolegëve të punojnë krah për krah drejt një objektivi të përbashkët.

3. Kthejeni tensionin në lidhje

Hulumtimet tregojnë se mosmarrëveshjet në vendin e punës shpesh shpërthejnë kur njerëzit përjetojnë mungesë lidhjeje — kur ndihen të nënvlerësuar, të pavlerësuar ose perceptojnë mungesë respekti. Njerëzit, sa më shumë ndihen të vetmuar, aq më shumë ka të ngjarë që ata të interpretojnë mendimin ndryshe si një kundëvenie personale.

Por, mosmarrëveshjet mund të ofrojnë shumë vlerë nëse i menaxhoni siç duhet. Larg sinjalizimit si mosfunksionim i zyrës apo ekipit, mosmarrëveshjet në vendin e punës mund të japin zgjidhje më kreative, vendim-marrje më të mirë dhe performancë më të lartë.

Udhëheqësit më të mirë bëjnë më shumë se sa të zgjidhin konfliktin — ata përdorin deklarata për ndërtimin e marrëdhënieve, për t'i kthyer momentet e tensionuara në mundësi për lidhje më të thella. Këto mund të marrin formën e ri-kompozimit të partneritetit, duke pranuar kontributet e bashkëpunëtorëve, ose duke vlerësuar ekspertizën e tyre. Çelësi këtu është të siguroni shpejt kolegun tuaj se mosmarrëveshja juaj nuk ka të bëjë fare me marrëdhënien tuaj, dhe çdo gjë ka të bëjë me gjetjen e zgjidhjes më të mirë.

Të përdorura siç duhet, deklaratat për ndërtimin e marrëdhënieve mund të bëjnë shumë më tepër sesa të shuajnë "zjarret". Ato janë një mjet bisedues jetësor për të nxitur bashkëpunimin, për të shprehur vlerësimin dhe për të siguruar që kontribuesit të ndihen të vlerësuar.

Për shumë kohë, miqësitë në vendin e punës i janë lënë rastësisë. Megjithatë, studimi tregon qartë: lidhja ndërmjet kolegëve rrit produktivitetin, zvogëlon qarkullimin dhe nxit një punë më të mirë në ekip. Si e tillë, ajo është një mjet i fuqishëm (por shpesh i pavlerësuar) për krijimin e ekipeve me performancë të lartë.

Për fat të mirë, kërkimet tregojnë se udhëheqësit mund të bëjnë shumë kur bëhet fjalë për të ushqyer miqësitë e punonjësve. Duke përdorur njohuritë shkencore për të nxitur lidhjet e ngushta, bashkimin dhe bashkëpunimet produktive, çdo udhëheqës mund të ushqejë nevojën e ekipit të tyre për lidhje dhe për të rritur performancën.