Blog

5 Pyetje për t'i ndihmuar punonjësit tuaj të gjejnë qëllimin e tyre të brendshëm

5 Pyetje për t'i ndihmuar punonjësit tuaj të gjejnë qëllimin e tyre të brendshëm

Ndërsa shpesh në artikujt javorë kemi trajtuar motivimin e punonjësve, si mjetin kryesor për zhbllokimin e potencialit të plotë të tyre, rrallë mund të kemi theksuar gjetjen e motiveve të brendshme për nxitjen e motivimit. Duke qenë se kjo shkon më thellë sesa thjesht motivimi, gjetja dhe nxjerrja në pah e qëllimit të brendshëm të secilit punonjës, jo vetëm do t’i ndihmojë ata të mendojnë qëllimshëm rreth tyre, por do të sjellë edhe përfitime të mëdha si: rritja e angazhimit, motivimit, kënaqësisë, bashkëpunimit dhe produktivitetit. Për këtë, ju mund të filloni me këto pesë pyetje, që Kristi Hedges - autor i shkrimit këtu, na sugjeron. Mos e humbisni këtë mundësi për të nxitur kulturën e qëllimit dhe për të çliruar potencialin e ekipit tuaj. Lexim të këndshëm!

* * * * *

A munden drejtuesit të ndihmojnë punonjësit të gjejnë kuptimin e punës dhe si mund ta bëjnë këtë?

Organizatat shpenzojnë burime të konsiderueshme për përshkrimin e vlerave të kompanisë dhe deklaratat e misionit, por edhe më frymëzueset prej tyre – nga përkushtimi i Volvo-s për sigurinë, e deri tek dëshira e Facebook-ut për të lidhur njerëzit – priren të zbehen e të humbin në sfond prej zhurmës së përditshme të ditës së punës.

Ajo që punonjësit kanë vërtet nevojë, për t'u ndjerë të angazhuar dhe të kënaqur nga puna e tyre, është një ndjenjë e brendshme e qëllimit të punës. Në një studim të para disa viteve, Deloitte ka zbuluar se njerëzit ndihen besnikë ndaj kompanive që e mbështesin karrierën dhe ambiciet e jetës, pra me fjalë të tjera, çfarë është kuptimplote për ta. Dhe, megjithëse ai kërkim u fokusua tek të lindurit e mijëvjeçarit, në dekadën që kam kaluar duke trajnuar drejtues me përvojë, kam zbuluar se është një qëndrim i zakonshëm ndër breza. Pavarësisht nga niveli, industria apo karriera e dikujt, ne të gjithë duhet të gjejmë një ndjesi personale të kuptimit në atë që bëjmë.

Bërja e punës më kuptimplote

Drejtuesit mund të nxisin këtë ndjesi të brendshme të qëllimit, pra atë që ka rëndësi tani, në jetën dhe karrierën e secilit individ - me një bisedë të thjeshtë. Për këtë, një teknikë është teoria e identifikimit të veprimeve, që parashtron se ka shumë nivele përshkrimi për çdo veprim. Për shembull, tani po shkruaj këtë artikull. Në një nivel të ulët, unë jam duke shtypur fjalë në një tastierë. Në një nivel të lartë, unë po krijoj liderë më të mirë. Kur drejtuesit i ngrenë punonjësit në këtë shkallë, ata mund t'i ndihmojnë që të gjejnë kuptim edhe në detyrat më të zakonshme.

Kontrollet e rregullta, që përdorin pesë fusha kërkimi, janë një mënyrë tjetër për të ndihmuar punonjësit të eksplorojnë dhe të nxjerrin në pah qëllimin e tyre të brendshëm. Udhëheqësit mund të pyesin:

  1. Çfarë bëni më mirë? Cilat aktivitete pune ju kërkojnë më pak përpjekje? Çfarë merrni përsipër sepse besoni se jeni personi më i mirë për ta bërë këtë? Për çfarë jeni spikatur gjatë gjithë karrierës suaj? Ideja këtu është të ndihmoni njerëzit të identifikojnë pikat e tyre të forta dhe të hapin mundësitë që andej.
  2. Çfarë ju pëlqen? Në një javë pune të zakonshme, çfarë prisni të bëni? Çfarë keni në kalendarin tuaj që ju jep energji? Nëse do të mund ta organizonit punën tuaj pa kufizime, si do ta kalonit kohën? Këto pyetje i ndihmojnë njerëzit të gjejnë ose të ri-zbulojnë atë që duan në punë.
  3. Në çfarë ndiheni më të dobishëm? Gjatë punës, cilat rezultate ju bëjnë të ndiheni më krenar? Cilat nga detyrat tuaja janë më kritike për ekipin ose organizatën tuaj? Cilat janë prioritetet më të larta për jetën tuaj dhe si përshtatet puna juaj me to? Kjo linjë diskutimi thekson vlerën e qenësishme të një pune të caktuar.
  4. Çfarë ju nxit të ecni me vrull përpara? Çfarë po mësoni që do ta përdorni në të ardhmen? Çfarë parashikoni për veten tuaj më pas? Si është puna juaj sot krahasuar me atë që dëshironi për veten tuaj? Qëllimi i këtyre pyetjeve është të tregoni se si puna e sotme i ndihmon ata të përparojnë drejt qëllimeve të ardhshme.
  5. Si i keni marrëdhënie me të tjerët? Cilat partneritete pune janë më të mira për ju? Si do të dukej një zyrë me njerëzit tuaj të preferuar? Si i përmirëson puna juaj lidhjet tuaja familjare dhe shoqërore? Këto pyetje i inkurajojnë njerëzit të mendojnë dhe të nxisin marrëdhënie që e bëjnë punën më kuptimplote.

 Nuk është e lehtë t'i drejtoni të tjerët drejt objektivit apo qëllimit, por këto strategji mund të ndihmojnë.