Blog

Trajnimi i mirë kundrejt Trajnimit të keq - tregohuni të mençur ku do të merrni pjesë

Trajnimi i mirë kundrejt Trajnimit të keq - tregohuni të mençur ku do të merrni pjesë

Organizatat e biznesit, me gjithë rezistencën që trajtuam në shkrimin e javës së shkuar, gjithmonë e më shumë po ndjejnë nevojën e trajnimit të punonjësve dhe ekipeve të tyre, sepse ata e dinë se kështu mund të jenë vazhdimisht konkurrues dhe efektivë. Pavarësisht përparimeve teknologjike, kapitali njerëzor ngelet pasuria më e çmuar dhe identifikuese e kompanive. Kujdesi ndaj njerëzve, zhvillimi personal dhe profesional dhe mbështetja e karrierës nuk mund të arrihet pa trajnime apo me trajnime spontane. Shkrimi këtu, me autor Brian Uillett, nxit të mendoni rreth kësaj. Gjithnjë e më shumë ndërtimi i programeve sistematike dhe cilësore të trajnimit, në përmbushje të kërkesave për zhvillim, si dhe ndjekja pas trajnimit po kthehet në fokus të kompanive të suksesshme. A e bën edhe kompania juaj këtë gjë? Lexim të këndshëm!

* * * * *

Si trajner, folës dhe autor për shumë vite, unë e di tashmë se çfarë është trajnimi i mirë dhe çfarë është trajnimi i keq. Unë i kam zhvilluar vetë të dyja ato. Por tani i kërkoj falje publikisht atyre pjesëmarrësve. Ata ndoshta e kuptojnë se kush janë. Gjithashtu, unë e di dallimin, sepse i kam përjetuar shumë herë vetë, si pjesëmarrës.

Por, cili është dallimi midis një trajnimi të mirë dhe një trajnimi të keq?

Unë jam një ndjekës i shumë autorëve dhe folësve. Shumë prej tyre, ju referohem në kurset e mia të trajnimit. Ata janë vërtet shumë të mirë në të folur dhe për të motivuar ose frymëzuar, që të mendoni ndryshe për situatën tuaj ose për atë se si mund të duket situata në të ardhmen. Ne të gjithë kemi nevojë për këta njerëz dhe këto ngjarje në jetën tonë.

Megjithatë, ne gjithashtu kemi nevojë për atë që unë e quaj trajnim me bazë në "aftësi". Kjo do të thotë, që ne në fakt i shikojmë konceptet, i mësojmë ato dhe pastaj i zbatojmë ato në klasë gjatë trajnimit, ku trajneri mund të na japë reagimet e tij, se si i kemi aplikuar aftësitë e reja në një situatë të ngjashme. Ky është dallimi midis trajnimit të mirë dhe trajnimit të keq.

Si funksionon kjo: 

Ne të gjithë duhet të kemi qëndrimin e duhur kur ndjekim një sesion trajnimi. Kjo është brenda jush e ju duhet ta shfaqni atë gjatë trajnimit. Pastaj është në dorë të trajnerit që të sjellë njohuri të reja. Ato nuk mund të jenë njohuri krejtësisht të reja, por njohuri që ju mendoni se i njihni ose i keni njohur, dhe që nuk mund t'i zbatoni, ose, që nuk mund t'i zbatoni në mënyrë korrekte, në këtë moment. Kjo është edhe arsyeja pse jeni në trajnim, për të filluar. Pastaj, sapo të merrni njohuritë e reja, duhet t'i zbatoni ato, në dy mënyra të ndryshme.

Së pari: Në një situatë reale në mjedisin e klasës, ku trajneri mund t'ju japë reagime, se sa mirë e zbatoni atë. Ne e quajmë këtë "luajtje rolesh".

Së dyti: Ju e zbatoni atë në jetën reale (në një skenar real në vendin tuaj të punës) dhe pastaj i tregoni trajnerit tuaj se si funksionoi për ju. Trajneri më pas do t'ju ofrojë disa reagime bazuar në atë se si është zhvilluar situata.

Së fundi, Ju i përdorni këto aftësi të reja shpesh e më shpesh, dhe filloni t'i ktheni ato në një aftësi ose zakon. E gjitha kjo kërkon kohë... dhe një trajner.

Tani, kërkesat e tjera të domosdoshme për një trajnim të mirë kundrejt një trajnimi të keq janë edhe këto. Në kurset e mia të trajnimit zakonisht marrin pjesë të rritur. Ata janë të impenjuar edhe me gjëra të tjera, kanë familje, fëmijë. Zakonisht, ata "i dinë" të gjitha ato që trajtohen në trajnim (ky nuk jeni ju, besoj), dhe ata janë duke punuar prej shumë vitesh dhe nuk kanë kohë për t'ju kushtuar trajnimeve, etj.

Pra, për çfarë ka nevojë një trajnim i mirë për të rriturit, që vërtet të mësojnë:

Të rriturit duhet të duan të mësojnë: Kjo lidhet patjetër me qëndrimin, që e përmenda më herët. Ne marrim vendime për dy arsye. Kur jemi zakonisht të dëshpëruar ose kur jemi të frymëzuar. Shpresa ime është që kur ju shkoni në një seancë trajnimi, të jeni të frymëzuar për ta bërë këtë. Megjithatë, edhe nëse jeni të dëshpëruar, përsëri funksionon. Unë thjesht nuk e rekomandoj që të prisni gjatë për të arritur atje.

Të rriturit mësojnë vetëm atëherë, kur shohin se si mund t’i aplikojnë njohuritë që marrin: Ajo që mësojnë duhet t'i ndihmojë ata, sot. Nëse nuk do t'i ndihmojë ata sot, atëherë nuk ka gjasa, që të jenë të interesuar për trajnimin.

Të rriturit mësojnë duke bërë: Siç e përmenda më sipër, trajnimi i mirë ka një pjesë aplikimi të njohurive. Ku ju në fakt, e aplikoni atë që sapo keni mësuar dhe pastaj merrni reagime se sa mirë e keni bërë atë

Të rriturit kanë probleme: Ne të gjithë kemi probleme, apo jo? Megjithatë, një i rritur duhet të shohë një problem, në atë që po bën aktualisht dhe gjithashtu të mund të shohë se si trajnimi mund të zgjidhë problemin e tij. 

Eksperienca egziston: Të rriturit zakonisht vijnë me një përvojë të caktuar në trajnim. Ata duan të shohin se si mund ta përdorin atë përvojë dhe pastaj të përdorin njohuritë e reja dhe të ndërtojnë me atë përvojë, një zgjidhje të dëshiruar. Trajnimi i mirë i lejon të rriturit të bëjnë pikërisht këtë.

Të rriturit mësojnë më mirë, në një situatë joformale: Fëmijët duhet të ndjekin një program mësimor. Shpesh, të rriturit mësojnë duke marrë përgjegjësinë, në varësi nga vlera dhe nevoja e përmbajtjes që kërkojnë të kuptojnë dhe objektivave të veçanta që do të arrijnë, duke qenë në një mjedis tërheqës dhe duke pasur role si pjesëmarrës aktivë në procesin e të mësuarit, e që e bën atë më efikas.

Të rriturit duan udhëzime: Të rriturit duan udhëzime se si kanë vepruar dhe si mund ta bëjnë më mirë. Këto udhëzime do t'u lejojë atyre të bëhen më të mirë në punën e tyre dhe të sigurojnë më shumë të ardhura për familjen e tyre. Ata duan udhëzime se si mund t'i zbatojnë konceptet në atë që tashmë po bëjnë. Ata nuk duan që t'u thuhet se çfarë duhet të bëjnë dhe nuk duan të përdorin gjithçka në mënyrën e saktë. Ata duan të jenë në gjendje të marrin atë që dinë dhe njohuritë e reja dhe ta zbatojnë atë në mënyrën se si ata janë duke punuar.

Nëse jeni pronar, menaxher, drejtues ose një individ dhe po kërkoni të rrisni aftësitë tuaja në udhëheqje, shitje, komunikim, angazhimin e punonjësve, prezantime para një grupi, shërbimi ndaj klientit, e plot të tjera, ju zgjidhni atë që doni dhe shanset janë që ne mund t'ju ndihmojnë. Sepse ne bëjmë pikërisht atë që kemi përmendur më sipër.