Blog

A mundet menaxhimi i mirë të përmirësojë shëndetin mendor?

A mundet menaxhimi i mirë të përmirësojë shëndetin mendor?

Raporti i fundit i Gallup, mbi Gjendjen Globale të Fuqisë Punëtore në vitin 2024 nuk përfshin të dhëna për rajonin tonë, por gjatë konsulencave organizative dhe mbi praktikat e Burimeve Njerëzore që ne zhvillojmë, vërejmë se shqetësimet e shprehura në shkrimin këtu, me autor Jon Clifton, janë prezent në pothuajse çdo organizatë që ne kemi analizuar. Nga çfarë kemi zbuluar e nxjerrë në pah, kemi këshilluar e udhëzuar masat e nevojshme, të lidhura me përmirësimin e organizimit dhe ndërtimin e raporteve sa më të drejta midis punëmarrësve e punëdhënësve, sidomos e lidhur kjo me menaxhimin, e që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e kulturës së kompanisë, si hapi kryesor në uljen e stresit, pakënaqësisë, ankthit e pasigurisë së punonjësve, për rrjedhojë, me ndikim të drejtpërdrejtë në performancën e përgjithshme të biznesit. Lexim të këndshëm.

* * * * *

"Mirëqenia mendore e njerëzve është përkeqësuar. Në 10 vitet e fundit numri i njerëzve që shprehin stres, trishtim, ankth, zemërim apo shqetësim ka qenë në rritje, duke arritur nivelet më të larta që nga fillimi i sondazheve të Gallup" – thekson Raporti i Zhvillimit Njerëzor 2023/2024, Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim.

Përkeqësimi global i shëndetit mendor është një shqetësim serioz, ndërkohë që disa shprehin alarmin se po del jashtë kontrollit. Në fillim të mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha: "Bota jonë po bëhet e pabalancuar mendërisht."

Ndoshta po tregohet tepër pesimist. Në fund të fundit, ne po jetojmë në kohën më të mirë në historinë njerëzore. "Përparimi njerëzor është një fakt i dukshëm" – deklaron profesori i Harvardit, Steven Pinker.

Po sikur të dyja të jenë të vërteta? Nëse shëndeti mendor i njerëzimit po bie me shpejtësi gjatë kësaj epoke të artë përparimi dhe begatie, ai do të paraqiste një nga paradokset jashtëzakonisht interesante të kohës sonë.

Edhe nëse gjendja jonë kolektive nuk është përkeqësuar në përmasa historike, ajo është aq e acaruar sa të ndikojë në jetën tonë të përditshme. "Rritja e stresit po shkakton një rritje të shpejtë të mungesës së mirësjelljes dhe humanizmit në punë" - thekson Christine Porath - profesore në Universitetit Georgetown. Kjo është jashtëzakonisht shqetësuese, po të kemi parasysh se pjesën më të madhe të jetës e kalojmë duke punuar, shpenzimi nr. 2 i kohës, pas gjumit.

Në raportin e fundit të Gallup, mbi Gjendjen Globale të Fuqisë Punëtore në vitin 2024, 41% e punonjësve raportojnë se kanë “shumë stres”. Megjithatë, stresi ndryshon ndjeshëm në varësi të mënyrës se si drejtohen organizatat. Ata që punojnë në kompani me praktika të këqija të menaxhimit (punonjës të pakënaqur aktivisht) kanë 60% më shumë gjasa të stresohen sesa ata që punojnë në mjedise me praktika të mira menaxhimi (punonjës të angazhuar). Në fakt, përjetimi i "stresit të lartë" raportohet 30% më shpesh nga punonjësit që punojnë nën menaxhimin e keq sesa nga të papunët.

Udhëheqësit e dinë se stresi në vendin e punës është një problem serioz: ata i kanë parë të dhënat, i kanë dëgjuar nga kolegët e tyre dhe i kanë përjetuar vetë. Një e katërta e udhëheqësve ndihen shpesh ose gjithmonë të tej lodhur dhe dy të tretat e ndjejnë atë të paktën ndonjëherë. Shumë po përpiqen ta trajtojnë atë, por shpesh në mënyra jo të efektshme.

Zgjidhjet popullore përfshijnë aplikacionet e mirëqenies ose trajnimin për menaxhimin e stresit. Megjithatë, kërkimet e kohëve të fundit nga Universiteti i Oksfordit gjejnë - “pak prova që mbështesin ndonjë dobi nga këto ndërhyrje, madje edhe me ndonjë tregues të vogël dëmi”. Aplikacionet e ndërgjegjësimit ose meditimi mund të jenë të efektshme për individë të veçantë, por ato mund të jenë kundërproduktive në vendet e punës me menaxhim të dobët ose me një kulturë negative të organizatës.

Me pak fjalë, një aplikacion meditimi nuk mund të rregullojë një menaxher të keq.

Pra, çfarë funksionon më mirë? Sipas studimit të Oksfordit - "nismat në nivel organizativ, të tilla si përmirësimet dhe përshtatjet në planifikim, praktikat e administrimit, burimet e personelit apo projektimi i përshtatshëm i punës" - janë më efektive. Me fjalë të tjera, organizatat kanë nevojë për praktika më të mira menaxhimi.

Vendi global i punës mund të luajë një rol të rëndësishëm në përballimin e krizës së shëndetit mendor në botë. Siç tregohet në raportin e këtij viti për këtë çështje, transformimi i qasjeve tona të menaxhimit është kritik për lehtësimin e shumë prej elementëve të panevojshëm e stresues në botën e punës.