4 Parime drejt përsosmërisë
Që një biznes të forcohet e të shkëlqejë në industrinë ku bën pjesë, kërkon një rrugë të gjatë, ku ofrimi i mundësive për zhvillim të punonjësve të punonjësve dhe nxitja e një mendësisë të të mësuarit gjatë gjithë jetës është një nga gjërat kryesore. Industria ndryshon e bashkë me të edhe biznesi juaj. Prandaj mësimi e trajnimi është një proces i vazhdueshëm. Por si të keni një trajnim efektiv të punonjësve tuaj? Shkrimi këtu, me autor Pat Sullivan, trajton katër parimet, zbatimi me rigorozitet i të cilave do të sigurojë një ekip profesionistësh të vërtetë në të gjitha hallkat e biznesit tuaj. Ndiqni përsosmërinë dhe do të jeni avangardë në industrinë tuaj. Lexim të këndshëm!
* * * * *
Trajneri ynë i kolegjit, Gordi Gillespi, tha këtë për stërvitjen e lojtarëve: "Ju luani ashtu siç stërviteni". Stërvitjet e shkëlqyera çojnë në lojëra të shkëlqyera; stërvitjet e dobëta shkaktojnë performancë të dobët. Dan Smith, ish-trajner basketbolli i Universitetit të Karolinës së Veriut, besonte se: “Stërvitja i përket trajnerëve; loja u përket lojtarëve”. Stërvitja duhet t’i përgatisë lojtarët ashtu siç duhet për lojën.
Stërvitja në sporte mund të bazohet në katër parime. A janë këto katër parime të rëndësishme edhe për trajnimin në biznesin ose organizatën tuaj? Po trajnimi në organizatën tuaj, a i përgatit siç duhet njerëzit tuaj, për përsosmëri në zbatimin e politikave tuaja? Le t’i shohim këto katër parime këtu më poshtë:
1. Përpjekja
Trajneri legjendar Vins Lombardi, u thoshte lojtarëve të tij - "Ne do ta ndjekim përsosmërinë dhe do ta ndjekim atë pa pushim, duke e ditur gjatë gjithë kohës që nuk mund ta arrijmë kurrë. Por gjatë rrugës do të arrijmë më të mirën". Unë nuk mendoj se ju ndonjëherë do të arrini përsosmërinë, por ju mund të arrini qëllimin e përsosmërisë.
Mungesa e përpjekjeve, loja e paorganizuar dhe përqendrimi i dobët nuk mund të pranohen dhe duhet të adresohen menjëherë e në mënyrë të prerë. Trajnerët e mëdhenj kritikojnë veprimet dhe jo personin, por me një përjashtim. Nëse një lojtari i është tërhequr vërejtje disa herë, për të njëjtin gabim, atëherë trajneri mund dhe duhet të vërë në dyshim qëndrimin dhe angazhimin e atij lojtari ndaj ekipit.
Një faktor kryesor në arritjen e përsosmërisë janë gabimet mendore. Shumica e humbjeve janë rezultat i gabimeve mendore, jo fizike. Mungesa e përqendrimit çon në ekzekutim të dobët. Bob Najt, ish -trajneri i Indianës dhe Teksasit, thoshte se mendja qëndron ndaj fizikut, si katra ndaj njëshit. Ne mendojmë se mund të jetë diçka si dhjeta ndaj njëshit. Nëse duhet arritur përsosmëria, përpjekja dhe përqendrimi mendor duhet të jenë parësore, si në trajnim ashtu edhe në praktikë.
2. Qëndrueshmëria
Parimi i dytë i rëndësishëm i stërvitjes apo trajnimit, është se ajo duhet të bëhet vazhdimisht, si fizikisht edhe mendërisht. Ju lutem, mendoni për mësuesin më të mirë që keni pasur ndonjëherë. Nëse do t'ju kërkoja të ngrini dorën për njërën nga këto dy pyetje, lidhur me atë mësues, cilën do të zgjidhnit?
- A ishte e lehtë me të?
- A ishte ai i ashpër dhe kërkues?
Unë besoj se shumica prej jush, nëse jo të gjithë ju, do të zgjidhni të përgjigjeshit për këtë të fundit, për dy arsye. Së pari, mësuesi kërkues mund t’ju ketë shtyrë në disa nivele, që nuk i mendonit se mund t’i arrinit. Dhe së dyti, ai mësues mund t’ju ketë bërë më kërkues dhe mund t’ju ketë dhënë DHURATËN e qëndrueshmërisë.
"Ne jemi ajo që bëjmë vazhdimisht. Pra, përsosmëria nuk është një akt, por një zakon" - Aristoteli
3. Përsëritja
Përsëritja është kritike që stërvitjet dhe trajnimet të jenë efektive. Xhon Vuden, trajneri ikonik i basketbollit, besonte në thënien: "Përsëritja është nëna e të mësuarit". Shumë shpesh studentët ose lojtarët etiketohen si “të trashë”. Por, nëse do të kishin kohë ta përsërisnin detyrën mjaft shpesh, ata fare mirë do ta zotëronin atë.
Imagjinoni të jeni Rudi në filmin "Rudi". Për dymbëdhjetë vitet e para të arsimimit të tij - klasa e parë deri në vitin e fundit në shkollë të mesme - atij iu tha se ishte shumë i trashë për të mësuar. Vetëm në vitin e parë në kolegj, testimi diagnostikues tregoi se kishte disleksi. Ai thotë se kjo ishte dita më e mirë e jetës së tij, sepse tani ai e dinte pse të mësuarit për të ishte kaq i vështirë.
Përmes përsëritjes së ushtrimeve të futbollit dhe përsëritjes së punës së tij në klasë, ai fitoi diplomën dhe vendin e tij, në ekipin e futbollit të Universitetit të Notre Dame.
Kur një veprim ndodh në situatat e lojës, lojtarët bëjnë sa më poshtë:
Shikojnë, mendojnë, reagojnë ose lexojnë, krijojnë lidhjen, reagojnë.
Lojtarët e mëdhenj dhe skuadrat e mëdha eliminojnë hapin e dytë. Në vend të kësaj, ata shohin dhe reagojnë, ose lexojnë dhe reagojnë. Nuk ka kohë të mjaftueshme për të menduar ose për të krijuar lidhjen, sepse shfaqja do të jetë e tyre. Ata mund të reagojnë shpejt sepse e kanë përsëritur situatën shumë shpesh në stërvitje.
4. Strukturimi
Stërvitjet dhe trajnimet e rëndësishme duhet të organizohen mirë. Është thelbësore që trajnerët të shpenzojnë kohën e duhur për të organizuar me përpikëri ato. Disa trajnerë përdorin tabelën e rezultateve për të detajuar çdo element të stërvitjes. Të tjerët shkruajnë sekuencat e stërvitjeve dhe gjuajtjeve dhe analizojnë se si kryhet secili aktivitet, përpara se të kalojë në fazën tjetër.
Disa trajnerë kanë një strukturë praktike që ndjekin gjatë stërvitjes dhe me shumë raste të ndryshme që mund të përdoren në secilin segment.
Një format i përdorur nga trajnerët e basketbollit është:
- Bazat e sulmit
- Bazat e mbrojtjes
- Mbrojtja ekipore
- Sulmi ekipor
- Situatat e veçanta
Shumë trajnerë duan të përfundojnë stërvitjen me situata argëtuese për të gjithë ekipin, sepse kështu lojtarët do të largohen me një mendim të mirë dhe do të jenë gati për stërvitjen e ditës tjetër.
Si përfundim
Merrni parasysh këto katër pika në organizimin e stërvitjes ose sesioneve tuaja të trajnimit në ndjekje të përsosmërisë:
- Ndiqni përsosmërinë; kapni përsosmërinë.
- Bëni praktikat/trajnimet të vështira dhe kërkuese.
- Mendoni për rëndësinë e përsëritjes.
- Krijoni praktika të mirë organizuara, që përfundojnë me një notë pozitive dhe argëtuese.