Blog

Çfarë ndodhi këtë vit? Dhe cili është objektivi për Vitin e Ri?

Çfarë ndodhi këtë vit? Dhe cili është objektivi për Vitin e Ri?

“Një objektiv është një ëndërr me një plan dhe një afat” – na mëson Jeffrey Gitomer, autori i shkrimit që po sjellim sot. Dhe për pjesën më të madhe të objektivave tuaja, afati mbaron pas 7 ditësh. Kjo javë e fundit të vitit, së bashku me entuziazmin festiv do të sjellë edhe atë ndjenjën apo dëshirën e ballafaqimi të objektivave me arritjet, që e kemi provuar të gjithë. Vrulli i punëve apo rutina e përditshme ju ka shtyrë të punoni fort, por rrugëtimit një vjeçar i erdhi fundi, me këtë periudhë reflektimi. Për një reflektim sa më të plotë e të sinqertë, e për një vit tjetër edhe më të suksesshëm, përfitoni nga përvoja dhe njohuritë e Jeffrey-t, në rreshtat më poshtë, para se të vendosni objektivat e reja. Lexim të këndshëm e Gëzuar Festat!

* * * * *

Mua më duket shumë interesante që gjithmonë në fund të vitit, njerëzit janë të interesuar të mësojnë për suksesin ose dështimin tuaj më të madh, në vitin që po përfundon.

Ata gjithashtu duan të dinë se çfarë gjërash të reja keni vendosur të bëni, ose çfarë do të bëni edhe më mirë gjatë, vitit të ardhshëm.

Të gjithë duan që ju të shkruani qëllimet, objektivat tuaja, planet tuaja, ëndrrat tuaja, ose, në afat të shkurtër, zotimet tuaja për Vitin e Ri.

Të gjitha këto më sipër janë paksa të çuditshme, vetëm nëse ju keni një kuptim më të mirë të tablosë së madhe, ose, duhet të them, të tablosë tuaj të madhe.

Çdo gjë që keni bërë këtë vit do sjellin deri në fund të kësaj jave, një nga këto pesë situata:

  1. Rezultat të shkëlqyer – gjërat shkojnë shumë më mirë se planifikimi, dhe ju fitoni.
  2. Rezultat të mirë – gjërat shkojnë ashtu siç ishin planifikuar.
  3. Asnjë rezultat – ende në pritje, ose ka rënie.
  4. Rezultat të keq – gjërat shkojnë keq, ose me humbje.
  5. Rezultat shumë të keq – gjërat shkojnë shumë keq dhe dështojnë.

Dhe të gjitha këto pesë përfundime mbartin me vete mësime. Mësime përse dhe si – mësime që i keni nxjerrë para, gjatë dhe pasi keni marrë përsipër ndonjë detyrë, keni vendosur ndonjë objektiv, ose keni ndërmarrë ndonjë veprim.

Dhe janë këto mësime në qendër të këtij shkrimi.

Është gjithashtu interesante të theksohet se pothuajse asgjë që ju lexoni, ose mësoni, nuk përqendrohet në këto mësime. Kur në fakt, ato ishin dhe janë pjesa më e vlefshme e procesit të arritjeve.

Mësimet e kombinuara që keni mësuar deri në këtë pikë të jetës suaj përfaqësojnë atë që përgjithësisht njihet si «përvoja juaj». Unë i referohem asaj si trupi juaj personal i njohurive dhe pasuria juaj personale e njohurive.

Një pjesë e kësaj njohurie është shumë e dobishme. Shitjet e bëra, shitjet e humbura, objektivat e arritura, qëllimet e paplotësuara, marrëdhëniet që ia dolët mbanë, marrëdhëniet që dështuat, të gjitha takimet tuaja emocionale dhe të gjitha transaksionet tuaja ekonomike. Për secilin prej këtyre elementeve, qofshin të mëdhenj apo të vegjël, ka lindur një mësim që mund ta mbani parasysh për herën tjetër. Dhe këto mësime do të nxisin një përgjigje në mendjen tuaj, herën tjetër që do të hasni të njëjtën situatë, ose një situatë të ngjashme. Kjo do të shkaktojë një përgjigje si: bëj këtë, ose mos e bëj këtë, ose kam njerëz të tjerë që më ndihmojnë ta bëj këtë. Dhe pastaj është edhe faktori dëshirë: dua ta bëj këtë, ose nuk dua ta bëj këtë.

Dhe janë veprimet pa-arritje që keni bërë dhe mësimet që keni mësuar (ose nuk keni mësuar) si: shikimi i televizionit, ndjekja e politikës, shikimi i lajmeve të mbrëmjes dhe forma të tjera të shpenzimit të kohës, nga të cilat është pothuajse e vështirë të keni nxjerrë ndonjë mësim edhe pse janë qindra orë të shpenzuara.

Mosarritja është mësim në vetvete.

Arritja dhe mosarritja janë vetëm një pjesë e vogël e procesit të të mësuarit. Nuk është aq e rëndësishme të dini nëse e keni arritur objektivin apo keni bërë shitjen – përkundrazi. Si e arritët atë, dhe njohuritë që keni fituar janë ato që do t'ju çojnë në arritjen e ardhshme.

Nuk është thjesht mësimi që ke mësuar. Përkundrazi, është mësimi i mësuar, i kombinuar me reagimin tuaj ndaj këtij mësimi...

  • Çfarë përfundimi prisnit?
  • Çfarë rezultati keni marrë?
  • Çfarë mësuat si rezultat i kësaj?
  • Çfarë bëtë për këtë?
  • Çfarë do të bëni për këtë herën tjetër?

E vështirë, ë?

Nëse keni arritur diçka, kjo quhet ngjarje. Kur nxirrni një mësim nga kjo arritje, kjo quhet njohuri. Dhe është ajo njohuri që do t'ju çojë përpara në jetë.

Është shumë mirë të festoni arritjen dhe të celebroni fitoren, por kjo është vetëm një pasqyrim i asaj ku jeni në këtë moment. Mençuria që fituat dhe mësimet shoqëruese të nxjerra prej saj, janë ato që do t'ju udhëheqin në të ardhmen.

Përqendrohuni në këto çështje, ndërsa "kapërceni" në vitin e ri.

Paçi një Vit të Ri plot Gëzim, Shëndet dhe Begati!