Blog

Roli i Burimeve Njerëzore në zhvillimin e aftësive udhëheqëse

Roli i Burimeve Njerëzore në zhvillimin e aftësive udhëheqëse

Prej kohësh zhvillohet një debat lidhur me atë se: "Udhëheqës i madh lind, nuk bëhesh". Debati ende vazhdon, ndërkohë duket se kundërshtuesit e kësaj teze tashmë kanë dalë në avantazh. Udhëheqësit e mëdhenj, edhe nëse kanë pasur talent, ndoshta pa e kuptuar kanë investuar kohë dhe energji për të zhvilluar aftësi udhëheqëse të rëndësishme. Kjo do të thotë se çdokush mund të bëhet një lider i suksesshëm, për aq kohë sa me seriozitet punon dhe zhvillon aftësitë e tij. Në biznes, nevoja për drejtues dhe udhëheqës të aftë, e nxit biznesin të investojë në rritjen e talenteve brenda tij. E padyshim, një rol vendimtar këtu duhet të luajnë Burimet Njerëzore, si departamenti përgjegjës për personelin. Shkrimi këtu, bazuar në përvojën e biznesit amerikan, përcakton disa prej drejtimeve të punës së BNj për zhvillimin e aftësive udhëheqëse të punonjësve dhe përgatitjen e udhëheqësve të së ardhmes. Lexim të këndshëm!

* * * * *

Zhvillimi i aftësive udhëheqëse është një pjesë e rëndësishme dhe kryesore e punës së departamentit të Burimeve Njerëzore. Zakonisht, ne e mendojmë këtë si një seri programesh mësimi, përvojash, detyrash dhe marrëdhëniesh, që e ndihmojnë një individ të zhvillojë aftësitë që i nevojiten, për të kaluar në nivele gjithnjë e më të larta të drejtimit.

Por çfarë është Udhëheqja? A ka lloje të ndryshme udhëheqje? Si t'i përgatisim njerëzit me aftësitë që u nevojiten kur kanë nevojë për to? Le të shqyrtojmë se çfarë do të thotë udhëheqje dhe zhvillim i aftësive udhëheqëse në botën e sotme të Burimeve Njerëzore.

Aftësitë e udhëheqjes për menaxherët, drejtuesit strategjikë dhe më gjerë

Ndërsa njerëzit ngjiten në nivelet e drejtimit, ata kanë nevojë për lloje të ndryshme aftësish në momente të ndryshme. Për shembull, menaxherët e rinj, kanë nevojë për aftësi si delegimi dhe komunikimi, por nuk e kanë nevojë të domosdoshme fokusimin në strategjinë e biznesit në nivel të lartë, e cila vjen më vonë. T’i mendosh aftësitë si të renditura ose të shkallëzuara - dhe të vendosësh se cilat prej aftësive duhen zhvilluar dhe kur ato nevojiten - është një pjesë e rëndësishme e krijimit dhe zhvillimit të suksesshëm të aftësive udhëheqëse.

Në të gjitha këto nivele, aftësitë e udhëheqjes priren të jenë shumë sociale, kështu që përvojat që i përfshijnë ata në diskutime e dialog me njëri-tjetrin, si mësimi së bashku në klasa dhe akademitë e aftësive, priren të jenë jashtëzakonisht efektive për nxitjen e zhvillimit të këtyre "aftësive të buta". Por specifikat e koncepteve të mësuara do të varen nga fazat e karrierës së drejtuesit.

Trajnim për drejtuesit, në të gjitha fazat

Hapi i parë (dhe shpesh më sfidues) në zhvillimin e aftësive udhëheqëse është kalimi nga një kontribues individual në menaxher të linjës së parë. Për shumë njerëz, ky është një tranzicion i madh në karrierë, sepse përfaqëson një ndryshim nga të qenit dikush që ia del mbanë përmes përpjekjeve individuale në atë që ka sukses përmes suksesit të të tjerëve. Këtu fillon puna e BNj për zhvillimin e aftësive udhëheqëse dhe është thelbësore që të jenë përgatitur programe për të mbështetur këta udhëheqës të rinj.

Ndërsa njerëzit ngjisin shkallët në drejtim dhe menaxhim, ata zakonisht kalojnë nga një drejtues ekipi në një drejtues i shumë ekipeve, e më pas në një drejtues funksional dhe përfundimisht në një drejtues biznesi ose njësie biznesi. Ndërsa ndodh ky evolucion, gjithnjë e më shumë njerëzit kanë nevojë për aftësi në drejtimin e biznesit. Drejtuesit e nivelit të parë duhet të fokusohen në aftësitë e menaxhimit të përditshëm, ndërsa drejtuesit e nivelit të mesëm kanë nevojë për një zotërim më të fortë të aftësive tradicionale të udhëheqjes.

Ndërkohë, drejtuesit e lartë përdorin të gjitha aftësitë që kanë fituar, plus një fokus të shtuar në të menduarin dhe planifikimin strategjik.

Cilësitë e zhvillimit efektiv të aftësive të udhëheqjes

Udhëheqja është shumë e ngjashme me disiplinat sportive: ajo kërkon stërvitje e trajnim të vazhdueshëm, si dhe reagime për të pasur sukses. Njerëzit mësojnë përmes kryerjes gjatë të detyrave, marrëdhënieve me mentorët, përfshirja në kryerjen e punës, projekteve ekipore, trajnimeve të brendshme dhe të jashtme dhe shkëmbimit të detyrave. Por çdo organizatë është e ndryshme. BNj duhet të kërkojnë ose zhvillojnë programe që kanë modele, vlerësime dhe programe zhvillimi që funksionojnë mirë në përshtatje me kulturën e organizatës dhe industrinë përkatëse.

Gjithashtu duhet mbajtur parasysh se aftësitë e udhëheqjes ndryshojnë me kalimin e kohës. Ndërsa kompanitë bëhen më të sheshta në organizim dhe më të përqendruara në ekip, aftësitë në marrëdhëniet me klientët, menaxhimin e marrëdhënieve dhe punën brenda një rrjeti janë më të vlefshme se kurrë. Udhëheqësit tradicionalë "nga lart-poshtë" përsëri janë të domosdoshëm, por organizatat gjithnjë e më shumë po kuptojnë se tani kanë nevojë për drejtues që mund të udhëheqin në këtë ambient ndryshe dhe në këtë kohë paqartësish dhe ndryshimesh të papritura. Kjo lloj udhëheqje kërkon aftësi të tjera, të tilla si eksperimentimi, menaxhimi i shkathët i projektit dhe të mësuarit për të zbatuar me shpejtësi iniciativat e reja.

Cili është buxheti tipik për zhvillimin e aftësive udhëheqëse?

Kompanitë zakonisht shpenzojnë 2-15 mijë USD në vit për një punonjës, me qëllim zhvillimin e aftësive udhëheqëse (në varësi të nivelit), kështu që është e rëndësishme që organizatat të përcaktojnë një buxhet për këtë qëllim. Për shkak se menaxherët ndikojnë drejtpërdrejt në të ardhurat totale, çdo investim në këtë fushë ka të ngjarë të shpërblehet shpejt. Kjo gjithashtu do të përmirësojë punën në grup, angazhimin e punonjësve, mbajtjen e tyre, si dhe më shumë, pasi menaxhimi efektiv është provuar të jetë një faktor kyç në të gjithë këto elementë.

Puna e profesionistëve të BNj në vlerësimin, trajnimin dhe zhvillimin e drejtuesve është një pjesë kritike dhe e rëndësishme e asaj që ata kontribuojnë në rritjen e kompanisë në tërësi. Për ta bërë mirë këtë, ata duhet të planifikojnë përpara dhe të mbajnë veten të trajnuar dhe të përditësuar për praktikat më të mira. Situata e pandemisë Covid-19, solli shumë ndryshime interesante në industrinë e të mësuarit dhe zhvillimit, dhe zgjidhjet dixhitale për trajnimin e drejtuesve janë bërë një opsion gjithnjë e më popullor.

Përfundimi: Udhëheqësit e fortë vendosin tonin për një organizatë të fortë dhe Burimet Njerëzore kanë një rol qendror për të luajtur, e për t'u siguruar që udhëheqësit në të gjitha nivelet, nga menaxherë e lart, të kenë atë që u nevojitet për të ndihmuar ekipet dhe biznesin e tyre të lulëzojë.