Blog

Si punësimi i bazuar në sjellje mund të transformojë fuqinë tuaj punëtore

Si punësimi i bazuar në sjellje mund të transformojë fuqinë tuaj punëtore

Ndërkohë që disa vite më parë, drejtuesit e kompanive kishin shqetësim përgatitjen profesionale dhe përvojën e kandidatëve për punësim, vitet e fundit shqetësimi është përqendruar në gjetjen e punonjësve të rinj. Nevoja për punonjës në vendet e zhvilluara ka nxitur lëvizjen e njerëzve drejt tyre, duke krijuar shqetësime për punësim në kompanitë shqiptare. Kjo situatë ka ulur fokusin e kompanive për të punësuar njerëzit më të përshtatshëm. Si shkak i kësaj, cilësia e fuqisë punëtore ka ardhur në rënie dhe rotacioni i punonjësve është rritur. Shkrimi sot, me autor Stephen D. Johnston, trajton një problem të ngjashëm, duke sugjeruar dhe zgjidhjet, që specialistët e Burimeve Njerëzore mund t’i zbatojnë menjëherë. Lexim të këndshëm!

* * * * *

Sot, organizatat po përjetojnë një problem punësimi dhe mbajtjeje të punonjësve. Sipas statistikave, mbi 11 milionë vende pune në SHBA duhet të plotësohen. Megjithëse shumë statistika tregojnë se çështje si dorëheqja e madhe apo oferta e ulët e punëtorëve të kualifikuar shkaktojnë vende të lira pune, këta faktorë janë vetëm një pjesë e sfidës. Organizatat kanë nevojë për një proces punësimi të qëndrueshëm dhe efektiv, dhe hapi i parë për ta arritur atë është të kuptuarit se çfarë e shkaktoi problemin e punësimit që po përjetojmë sot.

Mënyra e Vjetër: Punësimi i bazuar në aftësitë dhe përvojën

Strategjitë organizative të punësimit janë hamendje që kërkojnë shumë kohë, e që shpesh çon në rraskapitje të ekipeve të rekrutimit, një shpenzim i konsiderueshëm për kompaninë, si dhe një përvojë frustruese për kandidatin.

Një studim së fundmi, tregon se 46% e punësimeve të reja dështojnë brenda 18 muajve të tyre të parë. Kjo "ruletë punësimi" bën që drejtuesit e Burimeve Njerëzore të shpenzojnë kohën dhe energjinë e tyre për të zëvendësuar punonjësit, në vend që të angazhohen në rritjen dhe trajnimin e forcës së tyre aktuale të punës. Kur pothuajse gjysma e të gjithë të punësuarve të rinj largohen në mënyrë të pashmangshme nga pozicioni i tyre, është e lehtë të kuptohet lidhja midis një procesi të dështuar punësimi dhe këtij tregu jashtëzakonisht të pavlefshëm pune.

Për më shumë se 100 vjet, mbështetja në aftësi dhe dokumentacione ka qenë normë. Ndërsa këto metoda tradicionale punësimi mund të ofrojnë njëfarë informacioni në kualifikimet e një kandidati, ato nuk u japin rekrutuesve një pamje të qartë të mundësive që punonjësi të qëndrojë dhe gjithashtu kurrë nuk u ofrojnë punëdhënësve të dhëna, që tregojnë për probabilitetin shkencor nëse ata janë apo jo, një përshtatje e mirë për organizatën. Kjo është pjesa që mungon.

Punonjësit lulëzojnë me punësimin e bazuar në sjellje

Punësimi i bazuar në sjellje fokusohet në të kuptuarit e sjelljeve, aftësive dhe cilësive të punonjësve të mundshëm, në vend që të merret parasysh vetëm arsimimi, kualifikimet dhe përvoja e tyre. Kjo qasje i ndihmon punëdhënësit të fitojnë një pamje më të plotë se si kandidatët do të përballen me detyra të caktuara dhe se si do të përshtaten me ekipin. Kjo gjithashtu siguron që punëdhënësit të zgjedhin njerëzit më të përshtatshëm për role specifike dhe që stili i tyre i punës t'i përshtatet më së miri nevojave të organizatës.

Një proces efektiv punësimi, bazuar në sjellje shpesh do të përfshijë vlerësime të bazuara në performancë, gjë që kërkon që kandidatët t'u përgjigjen pyetjeve shumë specifike. Kjo u mundëson punëdhënësve të vlerësojnë më mirë aftësinë e një punonjësi të mundshëm për të menduar shpejt, për të qenë të organizuar dhe për të punuar si pjesë e ekipit.

Përdorimi i qasjes së punësimit bazuar në sjellje, rrit suksesin e punësimit në mënyrë thelbësore duke i pajisur organizatat me probabilitetin shkencor nëse dikush është ose jo i përshtatshëm për një organizatë, që është tregues objektiv. Ky tregues i vërtetë shkencor nuk është subjekt i njëanshmërisë së paqëllimshme, që shpesh rezulton nga shfletimi i CV-ve ose pamja e fotove në një aplikim për punë. 

Mënyra e re: Punësimi i bazuar në sjellje për sukses të qëndrueshëm

Përfitimet e intervistimit bazuar në sjellje, ndikon në reduktimin e qarkullimit të punonjësve, rritjen e përpjekjeve për rekrutim dhe marrjen e vendimeve mbi bazën e informacionit. Kjo qasje punësimi, e mbështetur nga psikologjia jep rezultate më të mira duke identifikuar tiparet dhe sjelljet e provuara të suksesit të një individi, për të rritur probabilitetin e punësimit të suksesshëm në 80-90%. 

Rekrutuesit fitojnë një kuptim më të saktë të kualifikimeve të një kandidati dhe mund të vendosin më mirë nëse ata janë të përshtatshëm për punën, duke vlerësuar tiparet dhe zakonet e tyre në vendin e punës. Punonjësit, të cilët zakonisht ngrejnë pyetjen: "A jam i përshtatshëm për punën?", do ta dinë pa asnjë dyshim nëse janë të përshtatshëm para se të hyjnë në derë. 

Për më tepër, kjo qasje punësimi çon në kënaqësinë e përgjithshme të punës, e cila rezulton në një mjedis më të mirë pune dhe mbajtje të përmirësuar të punonjësve. Nëse vendosni dikë në një punë, ku sjelljet e tij përputhen me atë që konsiderohet të jetë e suksesshme, ai do të jetë një punonjës më i lumtur sepse në të vërtetë po performon në një rol ku sjellja e tij përputhet me atë që kërkohet për sukses.

Duke përzgjedhur kandidatët bazuar në sjelljen e tyre, bizneset krijojnë një fuqi punëtore të përshtatur për nevojat e tyre, duke krijuar një ekip të fortë, në një mjedis pozitiv pune që është më i angazhuar, efikas dhe më i sigurt.