Zhvillimi dhe mbajtja e punonjësve me potencial të lartë
Ne kemi plot fakte që tregojnë se ka ndodhur dhe ndodh vazhdimisht, që kur lind nevoja për drejtues të rinj, së pari, drejtuesit e kompanive hedhin vështrimin tek punonjësit me rezultate të larta në “oborrin” e tyre, dhe jo rrallë herë priren të promovojnë në këto pozicione këta punonjës. Pas kësaj, pritshmëria është e lartë, por në pjesën më të madhe të rasteve zhgënjimi është i pashmangshëm. Kjo ndodh sepse jo gjithmonë punonjësit me performancë të lartë shndërrohen në menaxherë të suksesshëm, pasi ju mungon “tharmi” i duhur. Për të pasur sukses është e nevojshme të përgatiten e të promovohen punonjësit me potencial të lartë, të përshtatshëm për këto role. Caroline Miller, autorja e shkrimit këtu, na jep disa ide se si t’i dallojmë e ta kultivojmë këtë kategori punonjësish. Lexim të këndshëm!
* * * * *
Çfarë është një punonjës me potencial të lartë?
Kompani të ndryshme kanë përkufizime të ndryshme të punonjësve me potencial të lartë. Megjithatë, në përgjithësi një punonjës i tillë është i përshtatur mirë në rolin e tij, por gjithashtu tregon aftësi që do të ishin të nevojshme edhe për një rol menaxhimi ose drejtuesi. Këta individë kanë iniciativë dhe zotërojnë aftësi udhëheqëse.
Ku ndryshojnë punonjësit me potencial të lartë nga ata me performancë të lartë?
Termi punonjës me potencial të lartë shpesh përdoret si sinonim i punonjësit me performancë të lartë, por ka një ndryshim. Dallimi kryesor midis këtyre dy punonjësve është se punonjësi me performancë të lartë mund të shkëlqejë në rolin e tij dhe të ketë dëshirë për t'u ngritur lart, por ai nuk ka aftësi të natyrshme drejtuese, nuk ka dëshirë për t’i mësuar këto aftësi ose thjesht nuk do të drejtojë.
Shumë kompani promovojnë performuesit më të mirë në pozicione drejtuese, por ata jo gjithmonë janë drejtuesit më të mirë, pasi përgjegjësitë janë shumë të ndryshme. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të identifikohen edhe punonjësit me potencial të lartë.
Promovimi i një punonjësi me performancë të lartë në vend të një punonjësi me potencial të lartë mund të jetë i kushtueshëm. Nëse një organizatë nuk është në gjendje të dallojë ndryshimin midis performancës dhe potencialit, ajo do të ketë vështirësi në punësimin dhe mbajtjen e talenteve.
Një shembull i kësaj është kur promovohet një punonjës i mirë shitjesh në menaxher shitjesh, ai has vështirësi, pasi kalon nga arritja e objektivave personalë në shitje në arritjen e objektivave të shitjes për të gjithë ekipin. Kjo, jo vetëm që e largon menaxherin nga pozicioni në të cilin shkëlqeu, por mund të krijojë probleme me punonjësit e ekipit dhe të nxisë qarkullimin.
Si të identifikoni punonjësit me potencial të lartë
Tani që e dimë se sa e dëmshme mund të jetë të ngatërroni një lojtar me performancë të lartë për një me potencial të lartë, si i dalloni ata? Këtu janë disa tipare të zakonshme të punonjësve me potencial të lartë:
Priren drejt suksesit: Një punonjës me potencial të lartë nuk kujdeset vetëm për suksesin personal në karrierë, por edhe për suksesin e kompanisë. Performuesit e lartë përpiqen për punë të shkëlqyer, por ata me potencial të lartë synojnë edhe më lart. Në vend që të bëjnë thjesht atë që duhet të bëjnë, ata shikojnë të gjithë biznesin dhe shohin se si rezultatet e tyre kontribuojnë në suksesin e përgjithshëm të kompanisë.
Marrin iniciativë: Të priresh vetëm drejt suksesit nuk është e mjaftueshme. Punonjësit me potencial të lartë shfaqin iniciativë, nuk presin që t'u thuhet se çfarë të bëjnë. Ata janë të etur për të mësuar dhe për të marrë më shumë punë. Inovacioni ndihmon për ta çuar përpara kompaninë tuaj.
Gatishmëri për t’u marrë me projekte të reja: Punonjësit me potencial të lartë kanë dëshirën të marrin përsipër përgjegjësi dhe detyra shtesë, për të cilat nuk janë doemos përgjegjës. Ata i shohin këto si mundësi për t'u rritur dhe për të mësuar aftësi të reja nga përvojat.
Menaxhon stresin: Këta punonjës janë gati për çdo gjë që u del përpara në rrugën e tyre dhe janë elastikë. Ata priren të shkëlqejnë në situata me stres të lartë, gjë që është një cilësi e shkëlqyer për një lider. Ata i shohin situatat sfiduese si mundësi rritjeje dhe nuk largohen kur ecja përpara bëhet e vështirë.
Dëshira për të udhëhequr: Jo të gjithë kanë dëshirën për t'u ngritur dhe për të udhëhequr një ekip. Disa punonjës janë të kënaqur me situatën ku ndodhen. Jo të gjithë janë të prirur për të qenë lider. Në vend që të kërkoni kandidatë për role udhëheqëse bazuar vetëm në performancë, merrni parasysh kontributet individuale dhe tiparet e tyre të personalitetit.
Përfitimet e identifikimit të punonjësve me potencial të lartë
Të kuptoni se kush ka potencial të lartë në organizatën tuaj ka përfitime për të dyja palët e përfshira.
Të përkushtuar dhe të angazhuar
Punonjësit që ndihen sikur kanë një rrugë karriere brenda kompanisë dallohen për punën e tyre të palodhur dhe kanë më shumë gjasa të qëndrojnë në kompaninë tuaj. Ata dëshirojnë të kenë një plan se ku mund të shkojnë dhe si do të arrijnë atje.
Mësojnë shpejt
Punonjësit me potencial të lartë janë mësuar të arrijnë dhe tejkalojnë detyrat, dhe ka të ngjarë që kështu ata kanë arritur këtu ku janë sot. Ata mësojnë shpejt, që do të thotë se nuk kanë nevojë për shumë trajnim. Kjo mund të kursejë paratë e kompanisë.
Aftësia për të ndihmuar punonjës të tjerë
Punonjësit me potencial të lartë i shfrytëzojnë mundësitë, por ata gjithashtu mund të ndihmojnë në zhvillimin e të tjerëve. Ata mund të ndihmojnë në identifikimin dhe zhvillimin e potencialit tek të tjerët. Ata kanë njohuri dhe përvojën e duhur për të zhvilluar më shumë potenciale të larta dhe për të rritur grupin e talenteve.
Planifikimi i vazhdimësisë
Zhvillimi i potencialeve të larta mund të ndihmojë edhe në planifikimin e vazhdimësisë së kompanisë suaj. Të keni punonjës të brendshëm, që mund të ngrihen kur hapet një pozicion i nivelit më të lartë, redukton shumë kostot e punësimit të një punonjësi të ri.
Si të zhvilloni potencialin e lartë për të ruajtur talentet
Pasi t’i keni identifikuar punonjësit me potencial të lartë, ju tani dëshironi t'i zhvilloni dhe t'i mbani ata. Por, si përshtaten ata brenda planeve të organizatës suaj?
Planifikimi i vazhdimësisë
Për interesin e tyre, menaxherët duhet të fillojnë të bisedojnë me punonjësit përkatës me potencial të lartë, për të kuptuar se ku do të donin të arrinin në karrierën e tyre. Organizata duhet të mendojë për zhvillimin e këtyre potencialeve të larta për planifikimin e trashëgimisë. A po zgjerohet kompania juaj, a po largohet një drejtues, apo ndonjë do të dalë së shpejti në pension? Nëse po, kjo është mundësia e përsosur për t'u promovuar nga brenda, nëse ka një punonjës me profilin e duhur për punën.
Vlerësimi i Aftësive
Në vend që të mendoni thjesht të plotësoni pozicionet, sepse nuhasni se dikush me potencial të lartë duket se do të jetë një drejtues i mirë, sigurohuni që personaliteti dhe aftësitë e tyre të përputhen me pozicionin. Në një pozicion drejtues, të kesh një kuptim të fortë të aftësive të ndryshme të buta është e nevojshme për të udhëhequr një ekip. Një vlerësim i aftësive të buta mund të ndihmojë në zbulimin e fushave ku përmirësimi i aftësive të menaxhimit mund të përmirësojë shumë performancën e ekipit. Vlerësimi tregon gjithashtu se në cilat aftësi është i aftë punonjësi, në mënyrë që ai të dijë më mirë se si t'i ndajnë ato aftësi me ekipin e tij.
Mësimi gjithëpërfshirës për të ndërtuar aftësi të reja drejtuese të menaxherëve
Hulumtimet sugjerojnë se shumica e bizneseve nuk bëjnë mjaftueshëm për të përgatitur menaxherët e tyre të rinj, ndërkohë që 40% të menaxherëve raportojnë se kanë marrë më pak se dy orë trajnim menaxherial.
Dy orë trajnim për një nga pozicionet më të rëndësishme në një kompani nuk janë të mjaftueshme, dhe menaxhim efektiv do të thotë shumë për biznesin tuaj – pasi menaxherët e mirë mund të rrisin produktivitetin deri në 50%, ndërsa menaxherët e dobët mund të rrisin qarkullimin me 60%!
Kalimi nga koleg në drejtues mund të jetë i vështirë për menaxherët e rinj, por trajnimet mund të ndihmojnë në ofrimin e mjeteve të qëndrueshme, që bëjnë një ndryshim të dukshëm në rezultatet e tyre. Trajnimet mbulojnë të gjitha temat që i nevojiten një menaxheri të ri, për të qenë i suksesshëm.
Jepni më shumë përgjegjësi
Një mënyrë tjetër e shkëlqyer për të testuar punonjësit me potencial të lartë është edhe angazhimi në më shumë projekte e me përgjegjësi më të lartë. Shikoni se si ata performojnë, duke i dhënë pak udhëzime ose duke bashkë-menaxhuar një ekip. Zhvendosni punonjësit në detyra të zgjatura nëpër departamente, jepini atyre detyra të kryqëzuara në territore të reja ose vendosini në një fushë të re të biznesit. Atyre u pëlqen të kenë sukses. Shtyjini ato dhe prisni që të prodhojnë.
Njohja dhe puna në hije
Punonjësit nuk mund të presin që thjesht të kalojnë në një pozicion drejtuesi. Menaxherët duhet t’i inkurajojnë drejtuesit e ardhshëm të krijojnë lidhje, si dhe të ngulisin emrin e tyre në trurin e drejtuesve aktualë brenda kompanisë. Një mënyrë e shkëlqyer për ta bërë këtë është që të kërkojnë që punonjësi të kryejë disa detyra ose të marrë pjesë në takime.
Jepuni punonjësve trajnim gjatë punës dhe përshtypjet tuaja
Punonjësit me potencial të lartë priren të punojnë më shumë dhe të sjellin më shumë vlerë për organizatat. Si profesionistë, prioriteti juaj duhet të jetë t’i mbani punonjësit me potencial të lartë, duke u siguruar që ata të jenë të lumtur, të përmbushur dhe të suksesshëm. Një nga mënyrat më të mira për ta bërë këtë është duke i shprehur mendimin tuaj si dhe duke i trajnuar ata gjatë punës.
Trajnimi dhe reagimet ndihmojnë punonjësin të përmirësohet; kjo mund të bëhet nëpërmjet ndërtimit të pikave të forta, përmirësimit të qëndrueshmërisë, eksplorimit të mënyrave të reja për t’i bërë gjërat ose kërkimit të ndihmës.
Menaxherët aktualë do të përfitojnë duke zhvilluar aftësitë e tyre trajnuese përpara se të ndihmojnë në zhvillimin e punonjësve me potencial të lartë.