Si të frymëzoni ekipin tuaj
Çdo drejtues i mirë e di se arritjet e rëndësishme në realizimin e objektivave vijnë nga njerëzit dhe ekipe që punojnë fort e të fokusuar drejt një objektivi të përbashkët. Të punuarit fort dhe ruajtja e fokusit lidhet gjithashtu me motivimin dhe frymëzimin e secilit anëtar të ekipit. Fakti është se frymëzimi dhe motivimi nuk janë të përhershme, kështu që kërkon një punë të vazhdueshme, ku angazhimi i drejtuesit të ekipit është thelbësor. Në shkrimin që sjellim sot, me autor Tony Robbins, do të gjeni njëzet këshilla se si ju mund të jeni një drejtues më i mirë për ekipin tuaj. Në punën tuaj, ju shpenzoni shumë kohë dhe energji. Bëni që përpjekjet tuaja t’ia vlejnë! Lexim të këndshëm!
* * * * *
Ju keni bërë shumë punë në ndërtimin e biznesit tuaj. Jeni fokusuar në përmirësime të vazhdueshme dhe të pafundme për të ofruar më shumë vlerë se kushdo tjetër. Ju keni hartuar planin tuaj të biznesit dhe keni krijuar strategjinë tuaj të shitjeve. Ju keni përmirësuar strategjitë tuaja të rekrutimit dhe keni punësuar njerëzit e duhur për këtë punë, ose të paktën, keni menduar se e keni bërë. Por kohët e fundit, ju keni vënë re se motivimi i ekipit po bie.
Jeni përpjekur të joshni punonjësit me shpërblime, rritje pagash dhe përfitime, por atyre u mungojnë ende rezultatet dhe nuk janë të emocionuar për punën. Të gjitha qasjet tradicionale që mësuat se si të motivoni një ekip duket se nuk po funksionojnë. Me sfidat moderne të shtuara të punës në distancë, pasigurisë ekonomike dhe sfidave në rritje, motivimi i ekipit duket se po bëhet më i vështirë. Kjo, për shkak se ju po mendoni për të, nga një këndvështrim i gabuar.
Motivimi i vërtetë nuk lidhet me paratë: ai lidhet me vlerat e secilit individ, si dhe me kulturën e kompanisë suaj. Në fakt, nuk ka të bëjë aspak me motivimin: ka të bëjë më shumë me frymëzimin e ekipit dhe kërkon udhëheqje të kombinuar me strategji të jetës reale. Pasi të kuptoni këto koncepte, do të zhbllokoni motivimin e pakufi të punonjësve.
1. Kuptoni psikologjinë pas motivimit të punonjësve
Ekzistojnë dy lloje motivimi të ekipit: i jashtëm dhe i brendshëm. Motivimi i jashtëm përfshin pagën, përfitimet dhe kënaqësitë në zyrë, si pingpong dhe ushqime të lehta. Motivimi i brendshëm i referohet ndjenjës së arritjes që një person merr nga përfundimi i një detyre të caktuar, ose nga puna e tij në përgjithësi. Motivimi i jashtëm është i përkohshëm. Mënyrat më të mira për të motivuar ekipin tuaj përdorin motivimin e brendshëm, i cili prek nevojat më të thella.
2. Përdorni gjashtë nevojat e njeriut
Çdo individ drejtohet nga 6 nevojat njerëzore: siguria, rëndësia, ndryshueshmëria, dashuria/lidhja, rritja dhe kontributi. Nevojat tona kryesore mund të ndryshojnë, por të gjithë ne, zakonisht kemi një nevojë të thellë për siguri, rritje dhe kontribut, e të gjitha këto ju mund t'i përdorni. Zhvillimi profesional mund të plotësojë nevojën për rritje, ndërsa puna në projekte domethënëse mund të plotësojë nevojën për kontribut. Zbuloni nevojat kryesore të secilit individ dhe do të zbuloni se si të motivoni një ekip.
3. Shqyrtoni kulturën e kompanisë suaj
Nevoja jonë për kontribut mund të jetë arsyeja pse sot shumë punonjës vlerësojnë një vend pune që u lejon atyre të marrin diçka në këmbim. Krijimi i kulturës së kompanisë në përputhje me kontributin, mund t'i frymëzojë punonjësit tuaj që të punojnë më shumë. Një kulturë e përmirësimit të vazhdueshëm, ndërmarrjes së veprimeve masive dhe fuqizimit të vendimeve gjithashtu ndikon shumë në motivimin e ekipit. Dhe kultura fillon me fokusimin drejt një misioni dhe qëllimi të përbashkët.
4. Bëni të njohur dhe ndani vizionin tuaj
Të mësuarit se si të frymëzoni ekipin tuaj fillon me të mësuarit se çfarë ju frymëzon juve. Ju duhet të zbuloni qëllimin ose objektivin tuaj përpara se të mund të zbuloni nevojat e të tjerëve për përmbushje. Çfarë ju shtyn të punoni çdo ditë? Cili është qëllimi juaj përfundimtar për biznesin tuaj? Përmblidheni qëllimin tuaj në një deklaratë të fuqishme vizioni dhe ndajeni atë me ekipin tuaj. Kur të gjithë e dinë arsyen thelbësore pse duhet të shkojnë në punë çdo ditë, frymëzimi i ekipit do të rritet.
5. Udhëhiqni me shembull
Ndarja e vizionit tuaj nuk mjafton – ju duhet të jetoni për qëllimin tuaj çdo ditë. Liderët e mëdhenj mishërojnë tiparet që duan të shohin në ekipin e tyre: punë e palodhur, përkushtim, besnikëri dhe më shumë. Zbuloni vlerat tuaja dhe i shprehni ato në punë. Pranoni kur e keni gabim. Mësoni nga gabimet tuaja. Ju do të frymëzoni ekipin tuaj për të bërë të njëjtën gjë.
6. Zhvilloni vetëdijen tuaj
Të udhëhiqni me shembull është një fillim i mrekullueshëm, por mund të shkoni edhe më thellë. Cilat janë pikat tuaja të forta dhe të dobëta? Zhvilloni vetëdijen tuaj dhe mësoni për stilin tuaj të natyrshëm të udhëheqjes. Kur e kuptoni më mirë veten, ju mund të zhvilloni aftësitë tuaja dhe bëheni një udhëheqës i plotë, i cili mund të ndryshojë stilet për të frymëzuar ekipin, në çdo rrethanë.
7. Përmirësoni komunikimin
Udhëheqësit më të mirë shkëlqejnë në leximin e shenjave jo verbale dhe përdorin teknikat e pasqyrimit dhe ritmit për të ushtruar ndikim. Ata janë në gjendje të përshtaten me stile të ndryshme komunikimi, për t'u siguruar që po kuptohen. Ata janë gjithmonë të ndjeshëm dhe të hapur ndaj pikëpamjeve të reja dhe dinë të përdorin dëgjimin e thellë. Bëni pyetje, dëgjoni përgjigjet dhe zbatoni zgjidhjet. Shpesh, aftësia e dëgjimit është e mjaftueshme për frymëzimin e ekipit.
8. Ndërtoni raport dhe besim
Ndërtimi i raportit ka të bëjë me marrëdhëniet: të jeni të hapur dhe autentikë, të gjeni gjuhën e përbashkët dhe të vendosni respekt të ndërsjellë. Krijimi i lidhjeve më të thella është thelbësor për motivimin e brendshëm të ekipit. Përfitimet e të qenit vetvetja shkojnë edhe më tej. Kur jeni transparent me ekipin tuaj, do të krijoni besim në marrëdhëniet e punës dhe do të fitoni respekt. Kur ekipi juaj ju respekton, ata do të jenë shumë më të hapur ndaj sugjerimeve tuaja.
9. Gjeni motivuesit
Në themel të motivimit të brendshëm të ekipit qëndrojnë vlerat e secilit individ: Ju duhet të zbuloni se çfarë i shtyn ata të vijnë në punë çdo ditë. A e duan lirinë për të qenë krijues? A e plotëson puna nevojën e tyre për rëndësi apo kontribut? A u pëlqen të punojnë në zotërimin e aftësive? Zbuloni "pse-të" e tyre dhe do të zbuloni se si të motivoni një ekip.
10. Jepni pronësi
Të gjithë kemi qenë në situata ku ndiheshim sikur nuk kishim kontroll. Është e kundërta e frymëzimit. Të motivoni një ekip do të thotë t'i jepni atyre pronësinë e plotë të detyrave të tyre. Lërini ata të bashkëpunojnë dhe të diskutojnë idetë dhe opinionet. Lërini të rrezikojnë me taktika jo të zakonshme. Lërini të marrin vendime të mëdha – dhe të ndjejnë pasoja. Një vend në tavolinë frymëzon motivim.
11. Përdorni rishikimet e performancës
Nëse nuk po u jepni punonjësve tuaj detyra dhe objektiva të qarta, mund të mos keni problem me motivimin e ekipit - mund të keni një problem komunikimi. Objektivat dhe reagimet mbi to, i bëjnë të ditur ekipin tuaj se çfarë pritet prej tyre dhe i vendosni në një rrugë të qartë për përparim. Shqyrtimet e performancës janë një formë e shkëlqyer reagimi, që jo vetëm ju ndihmon të krijoni objektiva për secilin punonjës, por i bën të ditur se ku janë kundrejt tyre. Ato janë një formë e qartë dhe objektive komunikimi, e që mund të përcaktojë qartë pikërisht atë element që një punonjës duhet të përmirësojë.
12. Njihni arritjet
Tani që keni ndërtuar themelet e motivimit të ekipit, mund të zbatoni një sërë veprimesh për të ndihmuar në frymëzimin e ekipit tuaj drejt madhështisë. E para, është njohja e arritjeve - të gjithë duan t’ju njihet. Kur shihni një anëtar të ekipit që i arrin dhe tejkalon objektivat, bëjani të njohur. Ju do t'i fuqizoni ata të bëjnë më shumë e vazhdimisht.
13. Nxisni bashkëpunimin
Kur punonjësit punojnë si një ekip i vërtetë dhe jo si individë të veçantë, të gjithë janë më produktivë. Ekipet e mbajnë njëri-tjetrin përgjegjës, por gjithashtu ndihmojnë kur dikush është i tej lodhur ose mungon. Daljet, traditat argëtuese dhe garat miqësore nxisin ndjenjën e bashkëpunimit dhe përmirësojnë motivimin e ekipit.
14. Inkurajoni rritjen personale
Ata me një mentalitet rritjeje i arrijnë objektivat sepse u pëlqen të mësojnë gjëra të reja. Ju mund ta zhvilloni këtë mentalitet në ekipin tuaj, duke inkurajuar rritjen personale. I dërgoni atyre artikuj rreth aftësive të reja që mund të zotërojnë, libra për suksesin dhe ftesa për ngjarje në rrjete. Rritja personale çon në rritje profesionale.
15. Jepini përparësi mirëqenies së punonjësve
Frymëzimi modern i ekipit nuk ka të bëjë vetëm me rritjen - ka të bëjë edhe me mirëqenien e tyre. Punonjësit e sotëm duan të dinë se kompanitë e tyre kujdesen vërtet për ta. Ata dëshirojnë që ju të pyesni për familjet dhe shëndetin e tyre. Ata duan të pushojnë pa u ndjerë të stresuar. Kur i jepni ekipit tuaj kohë për të rigjeneruar mendjet dhe trupat e tyre, ata do të jenë në gjendje të kontribuojnë më shumë në biznesin tuaj.
16. Përshtatuni me ndryshimet e tregut
Shumë nga tendencat që po shohim, si ajo drejt punës në distancë, janë thellësisht të lidhura me nocionin e mirëqenies. Puna në distancë i lejon punonjësit të kenë orare të përshtatshme. Kjo u lejon atyre të përdorin më mirë kohën, që normalisht do ta kalonin duke udhëtuar çdo ditë për në punë. Kjo është arsyeja pse shumë punonjës e shohin punën në distancë jo vetëm si një përfitim, por si një domosdoshmëri. Nëse ky është rasti në industrinë tuaj, ia vlen të konsideroni ndërtimin e një zyre të largët ose hibride.
17. Shpërbleni kreativitetin
Çfarë kanë të përbashkët Apple, Peloton and Spotify? Ata të gjithë kanë kulturën e inovacionit, që inkurajojnë punonjësit të ndërmarrin rreziqe, të mendojnë në mënyrë krijuese dhe gjithmonë të arrijnë diçka tjetër më të mirë. Ju mund ta përqafoni këtë formë frymëzimi të ekipit, duke inkurajuar rrahje mendimesh, duke shpërblyer origjinalitetin dhe duke mësuar nga dështimet dhe gabimet, në vend që t'i ndëshkoni ato.
18. Nxisni ndryshimin
Mërzia është vrasësi më i suksesshëm i motivimit të ekipit - dhe kjo ndikon veçanërisht tek punonjësit tuaj më të mirë. Nëse ata në krye mendojnë se nuk kanë asgjë tjetër për të mësuar, pse do të qëndrojnë? Ju mund t'i ndihmoni ata të dalin nga rutina e tyre duke ia ndryshuar ato, duke i caktuar ata në një projekt të ri e të madh, apo edhe duke inkurajuar një lëvizje anësore. Punonjësit e angazhuar janë punonjës të motivuar.
19. Besoni tek ekipi juaj
Nëse jeni duke pyetur veten se si ta frymëzoni ekipin tuaj, përgjigjja e zakonshme është që asnjëherë mos i mikromenaxhoni ata. Një nga mënyrat më të mira për të frymëzuar ekipin tuaj mund të jetë të përdorni një qasje më të lehtë. Ju kurrë nuk do ta dini se çfarë mund të arrijë ekipi juaj nëse jeni gjithmonë mikromenaxhues; shumë punonjës e shohin këtë si një element mbytës. Mësoni më shumë se si të përqafoni rolin tuaj drejtues dhe të menaxhoni biznesin tuaj nga një pozicion besimi, dhe thjesht, do të gjeni çelësin për të motivuar ekipin tuaj.
20. Kërkoni ndihmë
Asnjë pronar biznesi nuk i di të gjitha. Ne të gjithë kemi pika të errëta dhe dobësi, dhe se të mësuarit se si të frymëzoni ekipin tuaj është një proces. Çdo individ është i ndryshëm, që do të thotë se çdo ekip është i ndryshëm. Në biznes, është gjithmonë e vlefshme të keni një listë me zonat e panjohura dhe një vend ku të shkoni për këshilla. Gjetja e një mentori është një fillim i mirë. Një trajner biznesi gjithashtu mund të ndihmojë. Mbani mend, kur të lartësoni bashkëpunëtorët tuaj, do të ngriheni edhe ju, gjithashtu.