Kuptimi i Piramidës së aftësive të menaxhimit
Në punën tonë, shpesh na duhet të diskutojmë mbi rolin dhe detyrat e individëve që mbajnë pozicione menaxhuese në organizata, si dhe mbi aftësitë e nevojshme që ata duhet të zotërojnë për të kryer me sukses detyrat e tyre. Ashtu si kemi theksuar edhe më herët në artikujt që kemi sjellë, ne jemi të vetëdijshëm se përsosja e drejtimit dhe menaxhimit është një proces i vazhdueshëm, gjë që kushtëzon mësimin dhe zotërimin e aftësive të menaxhimit. Shkrimi këtu, me autor F. John Reh, është një përmbledhje e suksesshme e aftësive të menaxhimit, të nevojshme për çdo menaxher të suksesshëm. Duke dëshiruar që edhe ju të jeni plotësisht të aftë në kryerjen e rolit që keni në organizatën tuaj, ju ftojmë të vet-vlerësoni këto aftësi, e më pas të gjeni mundësitë të përmirësoni aftësitë me vlerësimin më dobët. Njohja e pikave të dobëta është hapi i parë drejt përmirësimit. SUKSESE e lexim të këndshëm!
* * * * *
Zhvillimi si menaxher kërkon angazhim personal dhe të vazhdueshëm për të zotëruar aftësi dhe sjellje të reja. Piramida e Aftësive të Menaxhimit (nga Kammy Haynes) ofron disa udhëzime se ku, kur dhe si dikush duhet të veprojë, për t'u zhvilluar në një udhëheqës të suksesshëm. Më poshtë është një hyrje në temën e zhvillimit të aftësive të menaxhimit dhe përfshin një përmbledhje të kësaj teme.
Kuptimi i rolit të një menaxheri
Të jesh menaxher është një rol i vështirë për t'u përmbushur, aq më tepër në organizimin e sotëm, me lëvizje të shpejtë dhe gjithnjë në ndryshim. Ndërsa aftësitë e menaxhimit janë të natyrshme në çdo pozicion drejtues, titulli "menaxher" shpesh i referohet individëve përgjegjës për ekipet dhe/ose aktivitetet operacionale të ngarkuar me pjesën më të madhe të punës së një organizate.
Menaxherët ekzistojnë në linjat e para, në prapaskenë, në role përballë klientëve dhe në të gjithë organizatën, në pozicione të ndryshme të nivelit të mesëm dhe të lartë.
Përgjegjësitë kryesore të menaxherëve
- Ofrimi i udhëzimeve të përditshme për grupet/skuadrat e individëve për të kryer funksione ose detyra specifike, në mbështetje të planeve operative dhe strategjike të një organizate.
- Sigurimi që punonjësit e organizatës i përmbahen politikave, proceseve dhe standardeve të performancës dhe sjelljes në kryerjen e punës së përditshme.
- Mbështetja e zhvillimit të anëtarëve të skuadrave dhe ekipeve përmes trajnimit, shkëmbimit të informacionit dhe vendosjes së qëllimeve ose objektivave.
- Pjesëmarrja në punësimin, vlerësimin, trajnimin, ristrukturimin dhe shkarkimin sipas rastit të anëtarëve të ekipit.
- Ofrimi i informacionit mbi performancën individuale e të grupit për menaxhmentin e lartë sipas procedurave standarde të funksionimit.
- Bashkëpunimi me kolegët në grupe të tjera funksionale, për zgjidhjen e problemeve ndërfunksionale dhe përmirësimin organizativ.
- Angazhimi me grupe të tjera dhe menaxhmentin e lartë në nismat e zhvillimit të strategjisë dhe objektivave.
Piramida e aftësive të menaxhimit
Për të qenë i suksesshëm, ka shumë aftësi që një menaxher duhet të kultivojë, e shpesh kjo mund të duket si një detyrë e frikshme. Ne do t'i referohemi Piramidës së aftësive, për të dhënë një pamje se si këto aftësi funksionojnë së bashku. Të kuptuarit se si këto aftësi menaxhuese mbështeten mbi njëra-tjetrën do t'ju ndihmojë të arrini sukses në karrierën tuaj drejtuese.
Piramida e aftësive të menaxhimit - niveli 1
Niveli i parë i Piramidës së aftësive të menaxhimit tregon aftësitë bazë që një menaxher duhet të zotërojë, për të siguruar që puna e organizatës të kryhet me ritmin, cilësinë dhe koston e duhur. Këto janë bazat e punës së menaxhimit:
- Planifikimi: Përcaktimi i nevojave për burime dhe investime të nevojshme; planifikimi i aktiviteteve dhe ekipeve të punës dhe nevojat e ardhshme.
- Organizimi: Strukturimi i ekipeve të punës; përcaktimi i strukturës dhe raporteve si dhe proceseve për bashkëpunim.
- Drejtimi: Sigurimi i udhëzimeve të përditshme për të siguruar performance të lartë, në përputhje me standardet e kompanisë.
- Kontrolli: Monitorimi, gjurmimi dhe raportimi mbi produktin, efikasitetin, koston dhe cilësinë.
Piramida e aftësive të menaxhimit - niveli 2
Duke përfshirë detyrat mbikëqyrëse dhe themelore të menaxhimit, niveli i dytë kërkon të kultivoni dhe forconi aftësitë tuaja në menaxhimin e njerëzve. Shpesh, në literaturën e menaxhimit dhe udhëheqjes këto përmblidhen në termin "aftësi të buta" dhe përbëjnë nivelin 2 në Piramidën e aftësive të menaxhimit. Ju do t'i përdorni këto aftësi për të motivuar dhe zhvilluar stafin tuaj. Kërkohen shumë aftësi specifike, por ato grupohen në këto kategori:
- Motivimi: Krijimi i një mjedisi që inkurajon njerëzit të angazhohen dhe të bëjnë më të mirën e tyre me përpjekje maksimale.
- Trajnimi: Sigurimi që anëtarët e ekipit të kenë aftësitë dhe njohuritë bazë, që u nevojiten për të kryer detyrat e ngarkuara.
- Trajnimi gjatë punës: Ndihma ndaj anëtarëve të ekipit, që të zbulojnë se si të përmirësojnë performancën dhe sjelljet në mbështetje të arritjeve më të larta individuale dhe grupore.
- Përfshirja e punonjësve: Inkurajimi i bashkëpunimit për zgjidhjen e problemeve dhe inovacionit, në ndjekjen e detyrave të përditshme të punës.
Piramida e aftësive të menaxhimit - niveli 3
Ndërsa do të forconi aftësitë tuaja në nivelet më të ulëta të Piramidës, vetë-zhvillimi juaj bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm. Aftësitë e menaxhimit të nivelit 3 përfshijnë:
- Vetë-menaxhimi: Motivimi dhe angazhimi me të tjerët, ndërsa përballeni me sfidat e përditshme, si të punës edhe të menaxhimit.
- Menaxhimi i kohës: Të dini se si dhe ku ta investoni kohën tuaj gjatë gjithë ditës.
Menaxhimi i kohës shpesh konsiderohet parësor brenda nivelit 3. Marrja e kontrollit mbi kohën tuaj siguron që ju të kuptoni se koha është burimi juaj më i çmuar. Menaxherët e nivelit të lartë e dinë se mund ta investojnë ose ta shpërdorojnë kohën e tyre. Prandaj, ata e ruajnë kohën e tyre dhe e konsiderojnë atë po aq të rëndësishme sa burimet financiare.
Piramida e aftësive të menaxhimit - niveli i lartë
Piramida e aftësive të menaxhimit e pozicionon Udhëheqjen si kulmin e menaxhimit. Ndërsa liderët janë më shpesh menaxherë, jo çdo menaxher është lider. Liderët janë të fokusuar më shumë në përcaktimin e drejtimit, hartimin e një vizioni dhe sigurimin që strategjia të përputhet me vlerat dhe misionin e organizatës, por më pak të fokusuar në detyrat rutinë e të thjeshta ose nevojat afatshkurtra.
Zhvillimi i aftësive të menaxhimit dhe Piramida
Ndërsa Piramida ilustron grupet e aftësive të menaxherëve, në realitet, individët shpesh ndodhen në nivele të shumta në të njëjtën kohë. Të gjitha punët e menaxhimit kërkojnë elementë në çdo niveli, si janë përcaktuar në Piramidë.
Zhvillimi juaj nuk do të ndjekë një rrugë në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke filluar nga fundi dhe duke lëvizur sistematikisht drejt majës së Piramidës.
Përkundrazi, zgjedhja për t'u përfshirë, duke sfiduar veten dhe duke qenë të qëllimshëm në punën tuaj, natyrshëm do t'ju përparojë organikisht nëpër këto nivele.