Blog

Mos punoni gjatë pushimeve. Seriozisht!

Mos punoni gjatë pushimeve. Seriozisht!

Kur vjen puna tek pushimet vjetore, mund të kemi të drejtë në hamendësimin tonë (e përforcuar kjo edhe nga eksperienca gjatë konsulencave pranë bizneseve), kur themi se vetëm një pjesë e vogël e kompanive në vend e respektojnë detyrimin ligjor për pushimet vjetore për punonjësit. Një pjesë e mirë e tyre, kryesisht i lejojnë punonjësit që bëjnë rreth 2 javë pushime gjatë verës, e jo rrallë edhe këtë të kushtëzuar me gatishmërinë në telefon, mesazhe dhe email. Fakti është që koha e pushimeve vjetore konsiderohet si periudha më e lakmuar e punonjësve, jo vetëm për të pushuar dhe rikarikuar energjitë, por edhe për përkushtim ndaj familjes dhe interesave personale. Shpesh kemi folur për balancën punë-jetë dhe këtë e trajton edhe shkrimi i Laura M. Giurge dhe Kaitlin Woolley, që po sjellim këtu më poshtë. Respektoni punonjësit tuaj dhe rrisni motivimin e tyre, duke zbatuar idetë e paraqitura aty. Lexim të këndshëm!     

* * * * *

Si dhe Kur ne punojmë, po ndryshon rrënjësisht. Të dhënat nga një anketë në SHBA, tregojnë se 30% e punonjësve me kohë të plotë raportojnë se punojnë gjatë fundjavës dhe pushimeve, dhe madje, edhe kur ata janë zyrtarisht me pushime, kjo nuk do të thotë se ata ndalojnë së punuari. Për më tepër, në kushtet e punës në distancë, për shkak të krizës Covid-19, kjo mund ta përkeqësojë më tej situatën, pasi kufijtë formalë që ndajnë punën nga jopuna bëhen edhe më të paqarta, sepse punonjësit mund të ndihen konfuzë rreth asaj se kur është koha e destinuar për të punuar.

Shumë njerëz supozojnë se fleksibiliteti ndaj punës duhet të rrisë motivimin. Të qenit në gjendje të vendosim oraret tona duhet të na fuqizojë të koordinojmë kohën për të maksimizuar produktivitetin në punë, gjë që do të sugjeronte se njerëzit mund të jenë më të motivuar nëse punojnë në fundjavë dhe gjatë pushimeve. Për më tepër, ekziston mendimi se mbajtja e vetes të zënë me punë (në krahasim me të pushuarit) mund t'ju bëjë të ndiheni produktivë dhe në këtë mënyrë ta ndjeni punën tuaj më kuptimplote, si dhe të punuarit gjatë kohës kur të tjerët janë pushim, mund të rrisë motivimin.

Megjithatë, hulumtimi ynë zbulon se e kundërta është shpesh e vërtetë. Kalimi i fundjavave ose pushimeve duke punuar, minon një nga faktorët më të rëndësishëm që përcakton nëse njerëzit përkushtohen në punën e tyre: motivimin e brendshëm. Në fakt, njerëzit ndihen të motivuar kur përfshihen në aktivitete që u duken interesante, të këndshme dhe kuptimplota. Të dhënat tona tregojnë se puna gjatë kohës së lirë krijon konflikt të brendshëm midis qëllimeve personale dhe atyre profesionale, duke i bërë njerëzit të shijojnë më pak punën e tyre. Megjithatë, duke bërë vetë këtë hulumtim gjatë fundjavave dhe festave, ne zbuluam gjithashtu një zgjidhje për këtë problem: riformulimi i kohës së lirë si "kohë pune" mund t'i ndihmojë njerëzit të ruajnë motivimin e brendshëm për punën e tyre.

Si ndikon puna gjatë kohës së pushimit në motivimin e brendshëm?

Për t'iu përgjigjur kësaj pyetjeje, ne analizuam të dhënat e mbledhura nga 1298 punonjës. Aty punonjësit u shprehën nëse punonin edhe gjatë fundjavës apo vetëm nga e hëna në të premte. Në këtë grup të dhënash, motivimi i brendshëm u kap me thënie të tilla si: "puna që bëj është e rëndësishme për mua" dhe "puna ime më lejon të përdor zotësitë dhe aftësitë e mia".

Ne zbuluam se në përgjithësi, njerëzit që punonin edhe disa ditë fundjave ndjenin më pak motivim të brendshëm për punë. Duke pasur parasysh se kjo nuk është arsyeja e vetme, është e mundur që faktorë të tjerë të mund të ndikojnë në mënyrën se si ndjehen njerëzit e motivuar vërtet, si psh. puna në një pozicion të nivelit më të ulët. Thënë këtë, ne analizuam shumë faktorë të tjerë, duke përfshirë të ardhurat e familjes, nivelin e arsimit, orët javore të punës dhe kënaqësinë e përgjithshme të jetës dhe zbuluam se marrëdhënia midis kohës së punës dhe motivimit të brendshëm lidhej vazhdimisht.

Për të shqyrtuar më tej marrëdhënien midis kohës së punës dhe motivimit të brendshëm, ne zhvilluam katër eksperimente shtesë si me të rriturit që punonin në fundjavë ashtu edhe me studentët që studionin gjatë pushimeve shkollore. Në të gjitha studimet, ne zbuluam se puna gjatë kohës së pushimit zvogëlon motivimin e brendshëm të njerëzve për punën e tyre.

Për shembull, në një studim, ne intervistuam studentë që studionin në një bibliotekë kampusi gjatë një dite feste. Ne, ose u kujtuam studentëve se ishte ditë feste, ose thjesht theksuam datën. Kur studentëve i kujtuam se ata po studionin gjatë kohës që të tjerët po festonin, ata filluan të mendonin se ajo që po studjonin ishte më pak tërheqëse - domethënë, ata ndjeheshin më pak të motivuar për të studiuar.

Pse puna gjatë kohës së pushimit minon motivimin e brendshëm?

Në ngjashmëri me atë se sa njerëz mendojnë për të hënën si fillimin "i vërtetë" i javës, njerëzit në përgjithësi e kategorizojnë kohën e tyre si kohë pune ose kohë të lirë. Kur angazhohen në punë, gjatë kohës që e mendojnë si kohë të lirë, siç është fundjava, ata përjetojnë konflikt midis pritshmërive të tyre dhe realitetit, dhe si rezultat, ata e shohin punën e tyre më pak tërheqëse dhe më pak kuptimplotë.

Çfarë duhet të bëni nëse duhet të punoni gjatë pushimit?

Fatkeqësisht, në shumë role, puna rastësore gjatë fundjavave dhe festave mund të duket e pashmangshme. Pra, çfarë mund të bëni për të qëndruar të motivuar kur ju duhet të punoni gjatë kohës së lirë? Në kërkimin tonë, ne gjetëm një strategji ndërhyrje, që i ndihmoi studentët që studionin gjatë pushimeve dhe punonjësit që punonin të shtunën, të ruanin motivimin e tyre të brendshëm: me rietiketimin e kohës si "kohë pune".

Për shembull, në një studim, i thamë një grupi njerëzish që punonin të shtunën: "Zakonisht, njerëzit e përdorin fundjavën për të realizuar punën e tyre" dhe një grupi tjetër: "Zakonisht, njerëzit e përdorin fundjavën për çlodhje dhe pushim”. Të dhënat tona treguan se edhe pse të dy grupet punonin gjatë fundjavës, grupi i parë ndihej më i interesuar dhe i angazhuar në punë, pasi ata e konsideronin kohën si kohë për të punuar (përkundrejt kohës për t'u çlodhur).

A e minon të gjithë motivimin e punës puna gjatë kohës së pushimit?

Na duhet të theksojmë se motivimi i brendshëm nuk është i vetmi lloj motivimi që frymëzon njerëzit të punojnë. Njerëzit punojnë edhe për shkak të motivimit të jashtëm (p.sh. për të marrë pagën, për të mbajtur familjen, etj.). Dhe ndërsa puna gjatë kohës së lirë ka një efekt negativ në motivimin e brendshëm, në studimet tona nuk gjetëm asnjë provë që ndikon në motivimin e jashtëm të njerëzve. Kur konflikti i qëllimeve që lidhet me punën gjatë fundjavës ose festave, dëmton aftësinë tonë për ta bërë punën kuptimplote, kjo nuk e ndryshon vlerën e motivimit prej pagës ose sigurisë në punë. Megjithatë, ky hulumtim, tregon se pa motivimin e brendshëm, motivimi i jashtëm shpesh është i pamjaftueshëm për t'i mbajtur njerëzit të kënaqur dhe për ta bërë punën e tyre sa më mirë.

Arsyeja është e qartë: nëse na pëlqen puna që bëjmë, kjo varet jo vetëm nga lloji i aktiviteteve në të cilat përfshihemi, por edhe nga kur përfshihemi në këto aktivitete. Nëse duhet të punoni gjatë kohës së pushimit, përpiquni ta riformuloni atë mendërisht si kohë pune për t'ju ndihmuar të mbani lart motivimin tuaj. Menaxherët gjithashtu mund t'i mbështesin punonjësit e tyre, duke i inkurajuar ata të mos punojnë gjatë kohës së pushimit, pasi të dhënat tona sugjerojnë se puna gjatë kohës së pushimit mund të minojë motivimin e brendshëm dhe në këtë mënyrë të zvogëlojë përpjekjet e punonjësve në punën e tyre.