4 Arsye pse duhet të bëni pushime verore
Mund të renditen një sërë arsyesh pse pushimet vjetore janë të rëndësishme jo vetëm për punonjësit por edhe për kompaninë, por po ashtu mund të renditen një sërë arsyesh pse disa kompani, ose më mirë të themi, disa drejtues apo menaxherë të tyre nuk i mbështesin punonjësit të shkojnë me pushime. Dhe ndërkohë, edhe ata vetë “sakrifikojnë” pushimet e tyre, duke dhënë “shëmbullin personal”. Por pse nuk duhet të ndodhë kështu, mund të lexoni në shkrimin e Tanveer Naseer këtu më poshtë, ku përshkruhen katër arsye, pse ju si drejtues dhe menaxherë nuk duhet të jeni kundër marrjes së pushimeve tuaja dhe të punonjësve tuaj. Është detyra juaj të kujdeseni për ruajtjen e një balance ndërmjet punës dhe jetës së punonjësve tuaj dhe kjo është një nga mënyrat për ta realizuar këtë. Lexim të këndshëm!
* * * * *
Ardhja e gushtit shënon mesin e verës. Nëse nuk keni bërë ende plane për pushimet e verës, momenti është tani.
Për fat të keq, ka një tendencë në rritje si midis punonjësve ashtu edhe drejtuesve për të hequr dorë nga pushimet, në mënyrë që të përballojnë kërkesat në rritje të vendit të punës.
Për shumë drejtues, ideja e të hequrit dorë nga pushimet do të dukej si "gjëja e duhur për të bërë", për të treguar solidaritet dhe mirëkuptim ndaj kërkesave në rritje me të cilat përballen punonjësit që ata drejtojnë. Në të vërtetë, është një gjykim i përgjithshëm ndaj drejtuesve - si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat - të cilët zgjedhin të bëjnë më pak pushime, se është më mirë të qëndrojnë në punë dhe të vazhdojnë të ecin përpara deri sa të rikthehen kohë më të mira.
Ndërsa kjo gjë mund të duket e admirueshme, realiteti është se vendime të tilla janë më të dëmshme sesa të dobishme për organizatën dhe punonjësit tuaj.
Nëse po mendoni se nuk duhet të merrni pushime këtë verë, këtu janë katër arsyet pse duhet ta rimendoni:
1. Marrja e pushimeve rigjallëron produktivitetin dhe aftësinë tuaj për të perceptuar drejtime të reja.
Ekziston një lidhje e qartë midis kryerjes së pushimeve të rregullta gjatë ditës dhe nivelit të produktivitetit. Ndërsa pushimet ditore mund të na mbajnë të ecim për një periudhë afatshkurtër, është jetike që të bëjmë pushime më të gjata, për të mbajtur dhe madje për të rikuperuar aftësitë tona e për të nxitur shkathtësinë dhe produktivitetin.
Koha e pushimeve na lejon gjithashtu të ndjekim interesa të tjera, një nismë kjo e shumë kompanive inovative, që i inkurajojnë punonjësit e tyre të sjellin zgjidhje ose ide të reja, me të cilat mund të ndihmojnë në arritjen e objektivave të organizatës. Të qenit larg mjedisit tuaj të punës për një periudhë më të gjatë kohore do t'ju lejojë të fitoni një perspektivë të re mbi vizionin që keni për organizatën tuaj dhe të zbuloni mënyra të reja për të ndihmuar ekipin tuaj.
2. Duke marrë pushime, ju shërbeni si shembull për punonjësit tuaj.
Kur bëhet fjalë për praktikat e mira të lidershipit, një aksiomë e zakonshme është "udhëheqja me shembull", domethënë, inkurajimi i sjelljeve dhe angazhimeve që dëshironi të shihni te punonjësit tuaj, duke i shfaqur fillimisht ato vetë.
Ironikisht, duke zgjedhur të heqin dorë nga pushimet, drejtuesit nuk po tregojnë aq shumë mbështetje për punonjësit e tyre, pasi po u tregojnë atyre se sa pak e vlerësojnë ose e konsiderojnë të nevojshme që punonjësit të marrin pushimet e tyre. Punonjësit që zgjedhin të shkojnë me pushime mund të ndihen paksa keq ndaj pjesës tjetër të ekipit, kur ata dhe drejtuesit vendosin që në kushtet aktuale të sakrifikojnë pushimet e tyre. Kjo është arsyeja pse drejtuesit jo vetëm që duhet të marrin pushimet e tyre, por duhet t'i këshillojnë punonjësit e ekipit që secili prej tyre të bëjë të njëjtën gjë.
3. Tregoni se i besoni aftësisë së tyre për t’u menaxhuar pa ju.
Zakonisht supozohet se drejtuesit janë të domosdoshëm për ekipin ose organizatën dhe se punonjësit nuk do të dinin si të vepronin në mungesën e tyre. Ndërsa kjo mund t'ju bëjë të ndiheni mirë për kontributin tuaj, kjo është larg nga një situatë e shëndetshme për organizatën, si për sa i përket rritjes së kompanisë ashtu edhe moralit të përgjithshëm. Duke marrë pushimet, ju si drejtues i ofroni anëtarëve të ekipit tuaj mundësinë për të zhvilluar aftësitë e tyre e për ta menaxhuar në mënyrë efektive aktivitetin, ndërsa jeni larg.
Janë këto mundësi, që ju lejojnë juve si drejtues të mund të nxisni tek punonjësit tuaj ndjenjën e besimit dhe sigurisë, se ata mund t'i menaxhojnë mirë gjërat - qoftë edhe për një kohë të shkurtër - pa mbështetjen ose ndihmën tuaj të drejtpërdrejtë.
4. Kur drejtuesi bën pushime, u kujton punonjësve se koha e pushimit është pjesë e shpërblimit të tyre.
Në kushtet e sotme, shumë organizata nuk mund të përballojnë rritje të pagave. Menaxhmenti mund të shqetësohet se kompania rrezikon të humbasë lojtarët kryesorë në organizatën e tyre. Duke i kujtuar ekipit tuaj se koha e pushimeve është një pjesë e shpërblimit të tyre të përgjithshëm - dhe ndoshta më e rëndësishmja, e duke i lejuar ata të shkojnë me pushime – ju mund t'i tregoni punonjësve tuaj se e kuptoni rëndësinë dhe domosdoshmërinë e kohës për t'u çlodhur dhe të gëzimit të fryteve të punës së tyre.
Më lejoni ta shpreh ndryshe: sa prej nesh do të refuzonin një bonus në fund të vitit ose një rritje rroge nga shqetësimi se kjo mund të reflektonte keq tek ne? Natyrisht, asnjëri prej nesh, sepse e kuptojmë që oferta të tilla përfaqësojnë një kthim të punës së palodhur dhe kontributeve që i kemi dhënë organizatës. Kjo është arsyeja pse drejtuesit duhet ta përforcojnë vlerën e pushimeve dhe të inkurajojnë punonjësit që të përfitojnë prej tyre.
Në klimën e sotme sfiduese ekonomike, është e lehtë për ne të besojmë se duhet të sakrifikojmë kohën tonë të lirë për hir të së mirës më të madhe, ose më keq, t'i nënshtrohemi frikës se marrja e pushimet do të na bëjë të ndihemi keq midis kolegëve.
Ne kemi nevojë që drejtuesit dhe punonjësit tanë të bëjnë përpjekjet e tyre të plota në procesin e arritjes së objektivave të organizatës. Mënyra më e mirë për ta siguruar këtë është që të inkurajoni të gjithë në organizatën tuaj, për të përdorur kohën e tyre të pushimeve e për t'u larguar përkohësisht nga sfidat aktuale. Ata do të fitojnë një perspektivë të re dhe bashkë me të, ide të reja se si të arrihen në mënyrë më efektive këto objektiva të përbashkëta.
Kështu që këtë verë, mos e humbni mundësinë për të lënë punën pas, për pak kohë. Zotohuni të kaloni pak kohë me familjen tuaj dhe/ose duke ndjekur interesat tuaja të tjera.
Më besoni: punonjësit tuaj do t’ju jenë mirënjohës për këtë.