Perceptimi pozitiv: Pse duhet të filtroni mënyrën sesi e shihni botën
Nëse dikush nga ju ka studjuar psikologji, do të jetë plotësisht dakord lidhur me atë që perceptimi është një proces, me anë të të cilit ne zgjedhim, marrim, organizojmë dhe interpretojmë informacionin e mjedisit të jashtëm, e mbi këtë bazë ndërmarrim vendime dhe veprime reaguese. Është e natyrshme që jo të gjithë perceptojnë të njejtën gjë, për të njejtin informacion. Gjithashtu reagimi dhe sjellja jonë nuk do të jetë e njejtë. Dhe kjo ndodh, pasi ne zgjedhim të shohim gotën gjysëm bosh apo gjysëm plot. Për ata që dëshirojnë të shohin gotën gjysëm plot, po sjellim shkrimin këtu, me autor Shawn Achor, i cili na jep me sukses disa arsye pse është e nevojshme kjo gjë. Është fakt se sjellja bazohet në perceptimin mbi realitetin, e jo në vetë realitetin. Gjithkush mund të përmirësojë perceptimin dhe qëndrimin e tij, deri në arritjen e qëndrimit pozitiv. Lexim të këndshëm!
* * * * *
Në një nga eksperimentet më të njohura të psikologjisë, disa vullnetarë shikojnë një video, ku dy ekipe basketbolli - njëri i veshur me bluza të bardha dhe tjetri i veshur me bluza të zeza – janë duke pasuar tek njëri-tjetri topin e basketbollit. Ndërkohë që shikojnë videon, vullnetarët duhet të numërojnë sa herë ekipi me të bardha e pason topin. Diku në mes të kësaj video prej 25 sekondash, një person, i veshur si një gorilla, futet drejtpërdrejt në veprim, për pesë sekonda.
Në fund të videos, shikuesit shkruajnë numrin e pasimeve dhe u përgjigjen një sërë pyetjesh shtesë, njëra prej të cilave - A keni vënë re ndonjë gjë të pazakontë në video? Kur psikologët e provuan këtë me 200 njerëz, 46 përqind e tyre nuk e kishin vënë re aspak gorillën. Dhe më pas, edhe kur studiuesit u thanë atyre këtë fakt, shumë prej tyre refuzuan të besonin se nuk e kishin vënë re diçka kaq të pazakontë dhe kërkuan ta shihnin videon përsëri.
Pse kaq shumë pjesëmarrës në këtë eksperiment nuk arritën ta shihnin gorillën që herën e parë? Për shkak se ata ishin aq shumë të përqendruar në numërimin e pasimeve, sa që filtrat e tyre nervorë thjesht e kishin hedhur shfaqjen e gorillës në vendin e gjërave të padëshiruara. Ky eksperiment thekson atë që studiuesit e quajnë verbëri e paqëllimshme, që nënkupton paaftësinë tonë të shpeshtë për të parë atë që është rëndom përpara nesh, përderisa nuk jemi të përqëndruar direkt tek ajo. Në thelb, ne priremi të humbasim atë që nuk po e kërkojmë.
Ky perceptim selektiv është edhe arsyeja pse, kur ne jemi duke kërkuar diçka e shohim atë kudo. Ju ndoshta e keni provuar këtë një milion herë. Ju dëgjoni një këngë një herë, dhe papritmas duket sikur ajo këngë është vazhdimisht në radio. Ju blini një model të ri këpucësh dhe më pas (pothuajse) të gjithë veshin si ato. Sigurisht, në të vërtetë asgjë nuk ka ndryshuar në këto skenarë - përveç fokusit tuaj.
Provoni këtë eksperiment të vogël. Mbyllni sytë dhe mendoni për ngjyrën e kuqe. Tani hapni sytë dhe shikoni nëpër dhomë. A shfaqet e kuqja kudo? Duke supozuar se fantazmat nuk i ngjyrosën mobiljet tuaja ndërsa ju i kishit sytë të mbyllur, ndryshimi juaj i perceptimit i detyrohet vetëm ndryshimit të fokusit.
Në vend që të krijojmë një model njohës që kërkon gjërat negative dhe bllokon suksesin, ne duhet të përqendrohemi në stërvitjen e trurit tonë për të skanuar botën e për të gjetur mundësi dhe ide të reja. Kur truri ynë vazhdimisht skanon dhe përqendrohet në gjërat pozitive, ne përfitojmë tre nga mjetet më të rëndësishme në dispozicion tonë: lumturia, mirënjohja dhe optimizmi.