Blog

10 Mënyra për të siguruar që punonjësit tuaj ndihen të vlerësuar

10 Mënyra për të siguruar që punonjësit tuaj ndihen të vlerësuar

Besojmë se si drejtues - një nga mësimet e para që keni marrë për suksesin tuaj dhe të organizatës është - Tregojuni punonjësve që vlerësohen dhe biznesi juaj do të lulëzojë. Nëse nuk e keni ditur deri tani, përsëri nuk jeni vonë. Janë një sërë studimesh që tregojnë, se nëse punonjësit tuaj ndihen të vlerësuar e të respektuar ata do të japin maksimumin e përpjekjeve dhe do të venë në dispozicion të gjitha aftësitë e tyre për të bërë të mundur jo vetëm arritjen e objektivave personale por edhe do të kontribuojnë në suksesin e ekipit e më gjerë. Në këtë shkrim, po ju sjellim 10 mënyra të thjeshta, zbatimi i të cilave do ju ndihmojë të krijoni mjedisin dhe kulturën e përshtatshme, ku të gjithë punonjësit tuaj do të ndihen të vlerësuar e të respektuar në vendin e punës. Kjo kulturë pozitive, jo vetëm do të rrisë produktivitetin e organizatës tuaj, por gjithashtu do të ndikojë në mbajtjen e talenteve dhe thithjen e punonjësve më të mirë. Në fund të fundit ju po kujdeseni për asetin tuaj më të çmuar – punonjësit tuaj. Lexim të këndshëm!

* * * * *

Nuk është më mister. Tashmë është vërtetuar nga shumë studime se Vlerësimi i punonjësve në vendin e punës krijon rezultate fantastike. Punonjësit që ndihen të vlerësuar janë më të motivuar në punë, shfaqin përkushtim më të lartë dhe tregojnë nivele më të larta inovacioni. Dhe kjo i shtyn shumë drejtues të kërkojnë ide dhe mënyra të reja, për të treguar më së miri vlerësimin e tyre.

Këtu kemi përgatitur një udhëzues të shpejtë, për të ndihmuar çdo lider që të tregojë se i vlerëson njerëzit e tij. Janë 10 mënyra të thjeshta që mund t'ju ndihmojnë të krijoni një mjedis më të mirë pune, të krijoni një ekuilibër më të mirë gjatë punës, të përmirësoni motivimin, të tregoni mirënjohje, të frymëzoni anëtarët e ekipit, të forconi kënaqësinë e punonjësve, të vendosni objektiva, të forconi marrëdhëniet afatgjata, të praktikoni njohjen e punonjësve, të rrisni produktivitetin dhe gjithashtu të rrisni vlerat tuaja.

1. Mendoni pozitivisht. Vlerësimi i punonjësve në vendin e punës fillon me një ndryshim të thjeshtë mendësie. Dhe ndërkohë që shumë drejtues e kanë më të lehtë të merren vetëm me korrigjimin e sjelljeve negative, një zakon i keq ky, liderët më të mirë kërkojnë vazhdimisht e në mënyrë aktive që të gjejnë tek njerëzit e tyre ndryshimin pozitiv. Mbani parasysh mënyrën se si mendoni. Si udhëheqës, një ndryshim i vogël në mënyrën e të menduarit tuaj mund të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm, nëse njerëzit tuaj ndihen të vlerësuar.

2. Mblidhni informacion. Kur i pyesni punonjësit për idetë e tyre, ju jo vetëm që kuptoni më mirë situatën, fitoni njohuri dhe ndoshta zgjidhje, por gjithashtu mund të zbuloni se si ndihet punonjësi për rolin e tij ose të saj. Kërkoni informacion shpesh. Njerëzit tuaj do të ndihen të vlerësuar që ju keni nevojë për kontributin e tyre.

3. Komunikoni qartë dhe shpesh. Shumica prej nesh mendojnë se kënaqësia në punë është thjesht një deklaratë që përcakton marrëdhënien e një personi me detyrat që kryen. Hulumtimet tregojnë se shumica e njerëzve që braktisin punën theksojnë se “mungesa e informacionit” është arsyeja kryesore e largimit – jo mërzia, zhgënjimi apo të bërit të diçkaje të re. Nëse nuk komunikoni si duhet, njerëzit tuaj do të bëjnë supozime rreth asaj se si i shikoni përpjekjet e tyre. Dhe, mbani parasysh se asgjë nuk përkthehet në mendjet e tyre si “punë e mirë”. Në fakt, zakonisht përkthehet si “shefi nuk më ka qejf mua”.

4. Inkurajoni përpjekjet. Motivimi në vendin e punës nuk ndodh pa inkurajim. Punonjësit ndihen të vlerësuar kur përpjekjet e tyre (dhe ju e dini se përpara se të krijohen rezultatet, duhet shumë mund dhe djersë) pranohen dhe inkurajohen. Bëhuni si nxitësat e tifozëve për punonjësit. Zakonisht shpenzohen shumë energji, përpara se të arrihet një qëllim apo objektiv. Përpjekjet duhet të përshëndeten edhe gjatë rrugës.

5. Shpërbleni rezultatet. Ka shumë mënyra për të treguar vlerësim për rezultatet e mëdha dhe të vogla - një rrahje shpatullash, një letër e sinqertë falenderimi, një dhuratë e vogël ose ndonjë bonus. Megjithatë, këtu është pjesa e rëndësishme: punonjësit do të ndihen të vlerësuar kur shpërblimi është i barabartë me rezultatin. Një punonjës, që krijon një fitore të madhe për organizatën, nuk do të ndihet i vlerësuar nëse shpërblimi është i vogël dhe duket i pasinqertë.

6. Inkurajoni rritjen dhe mundësitë. Tregoni mirënjohje ndaj anëtarëve të ekipit tuaj duke u bërë vërtet një avokat për rritjen e tyre. Si udhëheqës, zhvilloni mentalitetin e një “programi mentorimi”. Bëhuni personi që eliminon pengesat, hapni dyert dhe i ndihmoni njerëzit që të bëhen përherë e më të mirë. Kur ata shohin se ju kujdeseni vazhdimisht për rritjen e tyre dhe krijimin e mundësive - edhe nëse kjo do të thotë se ata do të duhet të largohen nga ekipi juaj - ata do të ndihen të vlerësuar dhe do t'ju kujtojnë gjatë në të ardhmen.

7. Festoni karrierën. Karriera është ndryshe nga titujt e punës. Të vlerësoni punonjësit në vendin e punës do të thotë gjithashtu të vlerësoni të gjithë përvojën, njohuritë dhe këshillat që ata kanë fituar, e që i ndihmojnë ata të jenë më të mirët në rolin e tyre aktual si dhe të ndihmojnë ekipin tuaj. Festoni vitet e punës në kompani si dhe vitet e përvojës që ata kanë fituar gjatë karrierës së tyre. Festoni gjithçka mbi personin - vlerën që i sjellin organizatës, vlerën që personaliteti i tyre i sjell ekipit dhe vlerën që ekspertiza e tyre i sjell botës.

8. Kujdesuni për mirëqenien. Kjo mund të jetë edhe mënyra më e fuqishme dhe më e anashkaluar për të treguar vlerësim dhe për të motivuar punonjësit në vendin e punës. Pse? Mendoni pak. Duke i treguar një punonjësi se ju me të vërtetë po kujdeseni për mirëqenien e tyre fizike, sociale dhe emocionale, ju në thelb po i tregoni se po kujdeseni për ta personalisht, në vend që të kujdeseni thjesht për rezultatet që ata krijojnë.

9. Lidhini me qëllimin. Kjo mund të duket si një zgjedhje e çuditshme për t'i treguar punonjësve se po vlerësohen. Shpesh herë, udhëheqësit besojnë se qëllimi organizativ është diçka me të cilën punonjësit duhet të lidhen, dhe jo e kundërta. Çelësi këtu nuk është të përqendrohemi në fjalën qëllim, por në vend të kësaj të nxjerrim në pah fjalën “lidhje”. Punonjësit ndihen më të vlerësuar dhe shfaqin më shumë motivim në vendin e punës atëherë kur e kuptojnë saktë rolin dhe kontributin e tyre drejt një qëllimi më të madh. Kur kuptojnë se si përpjekjet e tyre luajnë një rol në diçka shumë më të madhe se vetvetja, ata ndihen më të vlerësuar prej udhëheqësit dhe organizatës së tyre.

10. Jepini një pushim ndonjëherë. Një nga mënyrat më të mira, për të treguar vlerësimin për një punë të bërë mirë, është t'u jepni njerëzve kohë për të pushuar - së pari, duke krijuar një ndërprerje për të festuar punën e tyre, dhe së dyti, duke i dhënë mundësinë për të rinovuar energjitë, motivimin dhe pasionin e tyre. Për fitore të vogla, inkurajoni njerëzit të bëjnë pushime të shkurtra - sepse ulja në tavolinë për gjithë ditën, apo çdo ditë, është vërtetuar se është e pashëndetshme. Për fitore dhe përpjekje të mëdha, inkurajoni një pushim më të gjatë - një ditë e kaluar me familjen ose miqtë, për të kompensuar të gjitha ato orë shtesë në zyrë, ose edhe më gjatë nëse projekti ishte torturues. Kjo i bën punonjësit të ndihen të vlerësuar, sepse ju tregoni se po kujdeseni për ta, dëshironi t'i shpërbleni dhe se i vlerësoni kur mbajnë ngarkesë të lartë.

Si udhëheqës, ne nuk mund të kontrollojmë mënyrën se si një punonjës ndihet në punë. Ne nuk mund të kërkojmë angazhim, kënaqësi në punë ose motivim në vendin e punës. Ne nuk mund të kërkojmë që punonjësit të ndihen të vlerësuar. Por ne mund t'i ofrojmë të gjitha mundësitë. Punonjësit thonë se ajo që duan nga një lider, kompania dhe kultura e saj është të ndihen të vlerësuar. Dhe kjo fjali e fundit, duhet të bëjë që çdo lider të jetë i kujdesshëm, sepse nëse njerëzit tuaj besojnë se nuk po i vlerësoni, përfundimisht ata do të gjejnë një udhëheqës që e bën këtë - një udhëheqës që vlerëson vërtet energjitë, përpjekjet dhe rezultatet e tyre.