Marrja e vendimeve të mira
Aftësia e marrjes së vendimeve është një nga aftësitë më të spikatura të liderëve të shquar. Si të gjithë, edhe ata, jo gjithmonë kanë marrë vendimet e duhura, por ajo që i dallon ata në vendimmarrje është se e marrin një vendim, në çdo situatë që mund të ndodhen. Aftësi e lidershipit është edhe marrja e përgjegjësive personale, sidomos në rastet e dështimeve për shkak të vendimeve jo të mira. Lidhur me marrjen e vendimeve të mira, po sjellim shkrimin këtu, me autor Jack Dunigan, i cili me përvojën e tij mbi 40 vjeçare në zhvillimin dhe trajnimin e lidershipit, me elegancë dhe thjeshtësi na jep një mësim të shkurtër por shumë të vyer, se si të arrijmë të marrim vendime të mira. Lexim të këndshëm!
* * * * *
Kur një i sapo diplomuar ju bashkua një kompanie prestigjioze, ambicia e tij për të patur sukses dhe për të ecur përpara e shtyu atë që të zhvillonte miqësi me një nga drejtorët e kompanisë. Pas disa javësh, duke u ndjerë mjaft komod me miqësinë që i ofroi ky njeri, ai vendosi t'a pyeste: - Si mund të eci përpara në këtë biznes?
- Duke marrë vendime të mira - u përgjigj ai.
- Por këtu ka aq shumë për të mësuar sa si do të mundem të mësoj se si të marr vendime të mira?
- Nga përvoja.
- Por si do të mund t'a fitoj përvojën?
- Duke marrë vendime të këqija!
Dhe ja ku jam tani, me shumë përvojë, të zgjeruar prej vendimeve të këqija. Por megjithatë, mund t’ju them, se rezultati është se marr vendime të mira.
Fillimisht e kam pasur një pozicion udhëheqësi dhe përgjegjësi, në vitin 1972. Mëngjesin e parë, kur fillova punën time të re, më kujtohet se flisja me zë të lartë, pa ju drejtuar dikujt në veçanti: - Nuk e kam idenë se çfarë duhet të bëj.
E më pas pyeta veten:
A kisha një diplomë universiteti?
- Po.
A më ishte premtuar se edukimi im në universitet do të më përgatiste për profesionin tim?
- Po.
Por në fakt, a isha unë i përgatitur?
- Jo.
Pse?
Sepse udhëheqja është një art praktik më shumë sesa një shkencë akademike.