Thëniet më të mira nga “MENDO dhe BËHU i pasur”
Jemi në ditët e fundit të vitit dhe do donim ta mbyllnim serinë e artikujve të vitit 2021 me një shkrim të shkurtër nga Joel Braun, me disa prej shprehjeve më të spikatura, të përzgjedhura nga një prej librave më të suksesshëm e më të lexuar, e që ka ndryshuar jetën e shumë personave në të gjithë botën. E sjellim sot, ndërsa ndonjëri po mendon rreth asaj që do të bëjë gjatë vitit 2022, e ndoshta është në kërkim të NDRYSHIMIT të MADH. Nëse nuk ndodh ndonjë çudi, rruga për arritjen dhe suksesin e kërkuar gjendet ndërmjet këtyre rreshtave. Me urimin Gëzuar Vitin e Ri! dhe SUKSESE 2022! po ju lemë në shoqërinë e shkrimit. Lexim të këndshëm!
* * * * *
Me mbi 60 milion kopje të shitura në të gjithë botën, libri "MENDO dhe BËHU i pasur", me autor Napoleon Hill është një nga librat më të fuqishëm e më të lexuar prej shumë njerëzve të suksesshëm dhe gjithashtu, një nga temat më të trajtuara prej folësve më të mirë motivues në botë.
Nga ky libër, këtu kemi mbledhur disa nga thëniet më të mira (në opinionin tonë), për t'i ndarë me ju e për t'i zbatuar në jetën tuaj, të cilat padyshim do t'ju ndihmojnë në rrugën tuaj drejt suksesit.
Thëniet më të mira nga “MENDO dhe BËHU i pasur”
- Durimi, këmbëngulja dhe djersa përbëjnë një kombinim të pamposhtur për sukses.
- Çdo fatkeqësi, çdo dështim, çdo dhimbje zemre mbart me vete farën e një përfitimi të barabartë ose edhe më të madh.
- Vetëdisiplina fillon me zotërimin e mendimeve tuaja. Nëse nuk kontrolloni atë që mendoni, nuk mund të kontrolloni atë që bëni. Thjesht, vetëdisiplina ju mundëson që fillimisht të mendoni dhe më pas të veproni.
- Bota e ka zakon që t'i hapë rrugë atij njeriu, veprimet e të cilit tregojnë se ai e di se ku po shkon.
- Arritjet e mëdha zakonisht lindin nga sakrifica të mëdha dhe kurrë nuk janë rezultat i egoizmit.
- Shumica e njerëzve të mëdhenj e kanë arritur suksesin e tyre më të madh vetëm një hap përtej dështimit të tyre më të madh.
- Dëshira është pika fillestare e të gjitha arritjeve, jo shpresa, jo dëshira, por një dëshirë e zjarrtë, që kapërcen gjithçka.
- Forca dhe rritja vijnë vetëm përmes përpjekjeve dhe luftës së vazhdueshme…
- Shumica e njerëzve përballen me dështimin, për shkak të mungesës së këmbënguljes së tyre në krijimin e planeve të reja, për të zëvendësuar ato që dështojnë.
- Pika e fillimit të të gjitha arritjeve është dëshira.
- Majat e shkallëve të suksesit nuk janë kurrë të mbushura me njerëz.
- Edukimi vjen nga brenda; ju e merrni atë me luftë, përpjekje dhe mendim.
- Mendjet tona magnetizohen prej mendimeve mbizotëruese që ne kemi dhe kështu ato tërheqin afër nesh forcat, njerëzit dhe rrethanat e jetës, që harmonizohen me natyrën e mendimeve tona dominuese.
- Frika nuk është gjë tjetër veçse një gjendje shpirtërore.
- Dështimi është një mashtrues me një ndjenjë të mprehtë ironie dhe dinakërie. Është kënaqësi e madhe ta kapërceni atë kur suksesi është pothuajse i arritshëm.
- Nëse nuk shihni pasuri të madhe në imagjinatën tuaj, nuk do ta shihni kurrë edhe në llogarinë tuaj bankare.