Blog

Pse keni nevojë për një plan vjetor

Pse keni nevojë për një plan vjetor

Është kjo periudhë e vitit, ku të përfshirë nga atmosfera festive shumë njerëz marrin vendime e bëjnë plane për 12 muajt që po vijnë. Dikush reflekton mbi vitin që po lemë pas, për të kuptuar se çfarë funksionoi mirë dhe çfarë mund të përmirësohet për arritjen e qëllimeve të reja, që mund të jenë nga blerja e shtëpisë, gjetja e punës së ëndrrave, hapja e një biznesi të ri e deri tek palestra e ulja e peshës. Ndërkohë për bizneset është periudha e finalizimit të planeve vjetore (për ata që e kanë zhvilluar një plan) dhe komunikimi i objektivave dhe qëllimeve të vendosura tek ekipet përkatëse. Plani vjetor dhe mbledhja vjetore janë një nga gjërat që preokupojnë drejtuesit tani, si mjeti më i mirë për t’i përcjellë të gjithë punonjësve vizionin e së ardhmes dhe si do të arrijnë atje. Për një plan sa më frymëzues flet edhe Mark Hunter, në shkrimin këtu. Mbani parasysh: Plani vjetor në vetvete nuk është fundi, por vetëm fillimi. Lexim të këndshëm! 

* * * * *

Përgatitja për vitin e ardhshëm sjell shumë përfitime, duke përfshirë edhe ato që vijnë vetëm prej faktit se ulesh dhe përpiqesh ta krijosh një të tillë.

Vlerësimi i vetes dhe biznesit tuaj mund të sjellë ndërgjegjësimin që ju lejon të shmangni grackat e vitit të ardhshëm – sepse ju e keni menduar mirë planin tuaj dhe keni bërë kërkime tuaja.   

Sigurisht, të gjithë mund të përdorin një plan vjetor. Por ajo që ju nevojitet është një plan vërtet i mrekullueshëm.

Këtu janë disa elementë të një plani vjetor të fuqishëm. 

1. Besimi më i madh 

Plani juaj vjetor ju ndihmon të hyni në vitin e ardhshëm në mënyrë proaktive dhe jo në mënyrë reaktive. Ju nuk mund të rrini duarkryq dhe të shpresoni që klientët tuaj t'ju sjellin diçka të mirë vitin e ardhshëm. Kjo nuk është një ide e mirë.

Plani vjetor do t'jua japë këtë besim, sepse një plan i mirë ju ndihmon të dini se çfarë duhet bërë dhe si do ta arrini atë. 

2. Kuptoni rezultatet

Po flas për rezultatet që keni arritur në vitin që sapo mbyllet. Dedikoni kohë për të parë rezultatet tuaja. Ajo që ka ndodhur vitin e kaluar mund të jetë histori, por kjo nuk do të thotë t'i harroni të gjitha dhe të vazhdoni përpara. 

Në fakt, vetëm pse do shkruani një plan në një copë letër, kjo nuk do të thotë se do të realizohet. Ju duhet të mendoni: Çfarë mundët të arrinit vitin e kaluar? Çfarë ju bën të mendoni se jeni në gjendje të bëni diçka më të madhe apo ndryshe në vitin që po vjen?

Kështu ju mund të analizoni dhe kuptoni se nga vini, kjo do ju ndihmojë të vendosni qëllime dhe objektiva të arritshme. Nëse keni ndjekur videot ose shkrimet e mia, ju e dini që unë rekomandoj objektiva të mëdha. Kur synoni më lart, mund të arrini më shumë. Unë gjithashtu rekomandoj edhe thjeshtimin e qëllimeve dhe objektivave tuaja - nuk keni nevojë të vendosni 15 objektiva. 

Së pari, qëndroni një moment për të analizuar rezultatet dhe për të nxjerrë disa përfundime bazë. 

3. Vlerësoni gjendjen aktuale të punëve

Jetojmë në një periudhë të çmendur si përsa i përket ekonomisë, COVID-it dhe gjithçkaje tjetër. Gjendja aktuale e punëve do të thotë që duhet të dini se çfarë po ndodh në industri. 

Dija është fuqi! Merrni njohuritë e duhura në mënyrë që të mund ta përshtasni planin tuaj sipas nevojës.

4. Identifikoni dobësitë 

Cilat boshllëqe duhet të mbushen? Cilat janë disa nga dobësitë që duhet të menaxhoni?

Natyrisht, nuk dua të ndaleni tek dobësitë, por duhet të jeni në gjendje t'i nxirrni në pah dhe të përballeni me to.

5. Identifikoni mundësitë

Çfarë do t’ju ndihmojë të keni sukses? Mund të jetë një produkt i ri ose një shërbim i ri. Ose mund të keni një territor të ri gjeografik vitin e ardhshëm, ose një konkurrent i madh po largohet nga biznesi, çfarëdo që të jetë. 

Këto janë mundësi që do t'ju japin vrull për vitin e ardhshëm. 

6. Alokoni burimet. 

Nuk jeni vetëm ju dhe koha juaj. Alokoni burimet në lidhje me: Cilët janë ekspertët e fushave që duhet të merrni? Ku janë boshllëqet e njohurive e ku duhet të mësoni? Cilat janë gjërat që dini se mund t'i shfrytëzoni? 

Ndihmoni veten të maksimizoni rezultatin. Sepse mund të identifikoni një mundësi të re, por në mënyrë që ta maksimizoni atë mundësi, ndoshta është e nevojshme që të angazhoni një ekspert të fushës ose të rrisni njohuritë tuaja në atë drejtim.

Nga ana tjetër, mund të jetë një dobësi që keni identifikuar, dhe tani ju duhet të kuptoni – si ta kapërceni këtë dobësi? Le të themi se duhet të gjeni klientë të rinj. Pra, do t’ju duhet të parashikoni më shumë burime për kërkimin e klientëve.

Pse keni nevojë për një plan vjetor? Në fund të fundit, çdo gjë fillon me ndërtimin e besimit.