Blog

Nëse mendoni se jeni një shitës profesionist, a mund ta provoni atë tek një gjykatës?

Nëse mendoni se jeni një shitës profesionist, a mund ta provoni atë tek një gjykatës?

Jo, jo! Ju nuk trembeni, sado provokues të jetë Jeffrey Gitomer me titullin e këtij shkrimi, pasi ju jeni punonjës shitje dhe keni kaluar sfida më të mëdha se kjo. Dhe askush nuk do t’ju çojë në gjyq. Megjithatë, nga eksperienca jonë në intervista, testime dhe trajnime të mbi njëmijë punonjësve të shitjes, ky provokim është i nevojshëm, pasi një pjesë e konsiderueshme e tyre mendojnë se janë profesionistë dhe shumë të suksesshëm, madje edhe kur pranojnë se nuk i kanë realizuar kuotat dhe planet e shitjes. Por ju e dini tashmë se: "Asgjë nuk ndodh derisa dikush shet diçka", si dhe “Shitja është shumë e rëndësishme për ta lënë vetëm në dorën e shitjeve”. Të gjithë janë të interesuar për suksesin e shitjeve, kështu që për askënd nuk ka vend për vetëkënaqësi, aq më pak për punonjësit e shitjes. Lexim të këndshëm!

* * * * *

Pyesni këdo që është në shitje, nëse e konsideron veten profesionist, dhe përgjigja do të jetë një PO e menjëhershme.

Por unë ju sfidoj… nëse do të ishit në gjykatë, përpara një gjykatësi, a mund të jepni prova për të vërtetuar se jeni një shitës profesionist?

Të jesh në shitje dhe të jesh një profesionist i shitjeve janë kilometra larg. Njerëzit hyjnë në shitje sepse mundësia e të ardhurave është e pakufizuar. Problemi është, që ata nuk e kuptojnë se për të arritur të ardhurat e tyre të dëshiruar, duhet një punë e madhe që lidhet me njohuritë dhe aftësitë e shitjes, e që kjo është një proces i pafund. Kërkohen përpjekje të përditshme për të qenë midis më të mirëve. Praktikë e përditshme.

Këtu do të gjeni një listë të asaj që duhet të sillni në gjykatë:

  1. Libra për shitjen, negocimin, qëndrimin pozitiv dhe psikologjinë, nga biblioteka juaj.
  2. Mësime të regjistruara shitjesh, që i dëgjoni në zyrë dhe makinën tuaj.
  3. Video dhe/ose leksione të famshme mbi shitjen, nga dhoma juaj e trajnimit ose e ndenjes.
  4. Bileta nga seminaret e shitjeve që keni ndjekur.
  5. Çertifikata nga muri juaj për programet e trajnimit mbi shitjet, që keni përfunduar.
  6. Revista dhe buletine që jeni abonuar, me fokus në shitje dhe teknikat e shitjeve.
  7. Disa çmime shitjesh që keni fituar, ku keni dalë e para, më e mira ose diçka më shumë.

Sa prova keni? Nëse përgjigja është “nuk mjaftojnë për të na bindur”, zhvilloni për veten tuaj një program të shkruar dhe ndiqeni atë.

Lexoni, shikoni dhe dëgjoni. Jo, kjo nuk është si ato shenjat rrugore, por është mënyra më e mirë për të mësuar strategji të reja shitje. Lexoni libra, shikoni video dhe dëgjoni regjistrime. Nëse jeni serioz në lidhje me shkencën e shitjes, ju nuk keni zgjidhje tjetër përveçse të mësoni (nëse doni të fitoni).

Mësoni diçka të re për shitjet ose qëndrimin tuaj, çdo ditë. Dëgjoni një regjistrim ose libër audio në makinën tuaj, në vend që të dëgjoni të njëjtat lajme të vjetra. Përpiquni ta ushqeni kokën tuaj me njohuri të reja, që do ju ndihmojnë të bëni shitjen e ardhshme.

Dëshironi të bëheni ekspert në shitje? Mësimi i një strategjie të re çdo ditë është e barabartë me 220 strategji të reja në vit. Nëse do të shisni për pesë vjet, do të keni mbi 1,000 strategji në dispozicion. E mahnitshme çfarë mund të arrini nëse bëni diçka të vogël çdo ditë. Nëse do të mund të dedikoni 15-30 minuta në ditë, për të mësuar diçka të re në lidhje me shitjet dhe arritjen e një qëndrimi pozitiv, në fund të pesë viteve, ju do të jeni një shitës ekspert dhe do të keni një qëndrim të madh në lidhje me jetën.

Praktikojeni në një klient. Është jashtëzakonisht e efektshme që të mësoni një teknikë të re në makinë dhe menjëherë ta provoni në takimin tuaj të ardhshëm.

Pasi ta filloni procesin e të mësuarit, mos u ndalni. Nëse fitoni pak njohuri dhe filloni të mendoni e t’ju duket sikur dini gjithçka, ju do të zhvilloni atë lloj qëndrimi që është i destinuar të dështojë. Mësimi i vazhdueshëm gjithashtu rrit edhe përulësinë e vazhdueshme. Shikoni njerëzit e ditur e me qëndrime pozitive; ata janë pothuajse gjithmonë të përulur.

Ju kujtohet kur ishit adoleshent dhe mendonit se dinit gjithçka? Sa më shumë të ekspozoheni ndaj regjistrimeve dhe librave të shitjes, aq më shumë ju largohet ky mendim. Bëni stërvitje të trurit duke menduar për punën nesër dhe ju do të bëni më shumë shitje, pa lodhje.