Blog

Lirohuni nga Turpi i Objektivave dhe arrini ëndrrën tuaj të çmendur

Lirohuni nga Turpi i Objektivave dhe arrini ëndrrën tuaj të çmendur

Pothuajse në të gjitha trajnimet që kemi zhvilluar, nuk kemi kaluar pa u ndalur tek objektivat, duke theksuar fort akronimin SMART, si elementë të domosdoshëm për të vendosur objektiva të mira e të shëndetshme. Megjithatë, asnjëherë nuk kemi trajtuar një nga frenuesit më të mëdhenj në vendosjen e objektivave e që është Turpi ndaj Objektivave. Kur shtojmë se objektivat duhet të jenë të shkruara e të vendosura në një vend ku mund t’i shohësh çdo ditë, një ndjenjë pasigurie shfaqet në klasë. E pse? Sepse nëse janë të shkruara, qoftë edhe në sirtar, e aq më shumë në mur, mund të lexohen nga të tjerët, e kështu bëhen publike. Dhe nëse nuk do të mund t’i arrijmë ku të futemi pastaj, nga Turpi pas shprehjeve: “Të thamë që kjo nuk bëhej po s’na dëgjove!”, “Kokë më vete ti!” fakt, vendosja e objektivave dhe kapërcimi i turpit ndaj tyre, është rruga e ecjes përpara. Një shpjegim shumë profesional na jep edhe shkrimi këtu, me autor Michael Hyatt. Lexim të këndshëm!

* * * * *

"Një ditë do të ngjitem në Everest". Në fillimin e viteve 1940, bletari profesionist Edmund Hillary bëri publik objektivin e tij, në dukje të paarritshëm për botën. Deri në këtë moment, asnjë alpinist nuk kishte arritur me sukses majën Everest. Niveli i vështirësisë së malit përforcohej edhe më shumë nga 30 trupa të ngrirë, në rrugën drejt majës. Por më e fortë ishte kritika publike për objektivin e pamundur të Hillary-t.

Megjithatë, edhe nën presionin e turpit publik, ai ia doli mbanë. Më 29 maj 1953, Edmund Hillary dhe Tenzing Norgay zunë vendin e tyre në histori, si njerëzit e parë që u ngjitën në Everest.

Hillary mësoi të synonte lart, por nuk ishte një sukses i lehtë. Po kështu, kapërcimi i Everestit tuaj do të kërkojë planifikim dhe ndërgjegjësim.

Shumë udhëheqës nuk i pranojnë kurrë objektivat e tyre të mëdha, për shkak të barrierave të padukshme. Po sikur t'ju themi se ju mund t'i kapërceni ato barriera dhe të çlironi sot, ëndrrën tuaj më të madhe? Për të vrapuar të lirë drejt objektivit tuaj, ne duhet të përcaktojmë problemin kryesor frenues: turpi ndaj objektivit.

Turpi ndaj objektivit është turbullimi për gjërat që dëshironi të arrini. Ndonjëherë ngre kokë ndonjë mendim i brendshëm, si: "Kush jam unë që ta bëj këtë?" ose "Kush jam unë që të provoj diçka kaq të madhe?". Dyshimi, frika dhe pasiguria e ushqejnë këtë turp të brendshëm. Pesimistët dhe cinikët imagjinarë e shtojnë turbullimin. Besimi juaj mund të kontribuojë në shuarjen e qëllimit tuaj. Gjithashtu edhe presioni fetar për të qenë "i përulur" mund t'ju shtyjë të mos dëshironi shumë.

Të gjithë përballemi me turpin e objektivave. Në vend që t'i nënshtroheni atij, provoni të eliminoni tre vese dhe shtoni tre veprime fuqizuese në jetën tuaj të përditshme.

Vesi 1: Ndaloni së qeni kritik i vetes tuaj

Aspiratat janë të brishta. Kritiku juaj i brendshëm është i aftë të bëjë më shumë dëm se sa mund të mendoni. Vetëkritika dhe vetëgjyqësia i frenojnë shumë udhëheqës nga shkëlqimi.

Një mënyrë tjetër për të përshkruar kritikun e brendshëm është sindroma e mashtrimit. Sindroma e mashtrimit thotë: "Unë nuk e meritoj këtë. Herët a vonë të gjithë ta kuptojnë se nuk jam i zoti për çfarë po bëj".

Kur përqendrohemi në hendekun midis gjendjes sonë aktuale dhe objektivit, e lëmë sindromën e mashtrimit të fitojë dhe kështu përparimi ndalon rrugën e tij.

Veprimi fuqizues 1: Filloni të masni fitoret

Në vend që të masni distancën deri në arritjen e objektivit tuaj, filloni të përqendroheni në atë që keni arritur. Këtu është ndryshimi:

Në të shkuarën, duke shkuar për të folur në ndonjë event, shpesh kam vënë re se kam qenë duke menduar: “Ata nuk do të më pëlqejnë. Ata do të mendojnë se nuk jam i këndshëm. Po sikur të më urrejnë?” Vigjilenca mashtruese! E godisja veten me kritika përpara se të dilja në fushë.

Me qasjen e matjes së fitoreve, unë e kam larguar këtë zakon të keq që pa lindur. Në vend të kësaj, i them vetes: “Pa shiko sa larg ke arritur. Vetë fakti që po del përpara një auditori të tillë për të folur, është një privilegj. Kjo nuk është e vështirë. Është një mundësi”.

Ndryshimi i këtij dialogu të brendshëm më ndihmon të kapërcej barrierat kryesore. Unë mund të lejoj të shfaqet kritiku i brendshëm, ose mund të zgjedh vetëbesimin dhe optimizmin. Filloni të masni fitoret tuaja. Do të gjeni të njëjtën liri.

Vesi 2: Ndaloni së dëgjuari cinikët

Ka njerëz në komunitetin tuaj, të cilët do të përpiqen t’i frenojnë objektivat tuaj. Kjo gjë flet më shumë për kundërshtuesit tuaj sesa për ju. Zhgënjimi në jetën e tyre çon në shkatërrimin e ëndrrave të të tjerëve. Ndërsa nuk do të ishte zgjuarsi t’i vinit veshin çdo komenti të jashtëm, duhet të filtroni zhurmën, për të ndarë sulmet personale nga kritikat praktike.

Në ngjitje drejt Everestit, duhet të ndaloni së dëgjuari cinikët. Jini të kujdesshëm ndaj atyre që nuk janë të interesuar për rritjen tuaj dhe mbani mend, nëse dikush është anonim, ndoshta nuk ia vlen fare të merreni me të.

Veprimi Fuqizues 2: Punoni me mentorë

Ndërsa i largoheni kritikëve, do t'ju duhet t’i zëvendësoni zërat e tyre me mentorë dhe/ose trajnerë. Me fjalë të tjera, gjeni njerëz që ju mbështesin ju. Ky sistem mbështetës do të përfshijë pajisje, trajnerë dhe mentorë që janë të përkushtuar për përmirësimin tuaj.

Kur i ndani ëndrrat tuaja me të tjerët, ju po u jepni atyre fuqi. Kjo është arsyeja pse është thelbësore të tregoni kujdes kur zgjidhni ekipin tuaj kryesor të mbështetësve.

Ata vijnë në të gjitha format dhe mënyrat. Ju mund të zgjidhni trajnerë zyrtarë ekzekutivë, mentorë joformalë dhe miq të ngushtë, me një histori të të folurit konstruktiv në jetën tuaj. Çelësi është t’ju ndihmojnë në ecjen përpara. Personat dekonstruktivë nuk janë të ftuar.

Vesi 3: Objektivat e vogla

Pyes veten se sa alpinistë të mundshëm të Everest-it zgjodhën të ngjiteshin në “kodra” të vogla, në vend që të synonin faqen e shkëmbit. Ka dy arsye kryesore që dikush mund të synojë gjëra të vogla:

  1. Frika nga dështimi. Objektivat e mëdha janë frikësuese. Ato kërkojnë rreziqe dhe gatishmëri për të hyrë në zonën tonë të shqetësimit. Është më e sigurt të mos provosh sesa të provosh dhe të dështosh. Ky menaxhim rreziku na frenon dhe na bën që të vendosim objektiva të vogla.
  2. Frika nga Suksesi. Thellë brenda vetes, shumë besojnë se nuk janë të denjë për të arritur objektiva të mëdha. Kur ky mendim negativ zë rrënjë, mund të çojë në vetë-sabotim. Psikologu Gay Hendricks thotë: "Kam një kufi tolerance për t'u ndjerë mirë. Kur e arrij kufirin tim të sipërm, prodhoj mendime që më bëjnë të ndihem keq… Prandaj bëj diçka që e ndal ecjen time pozitive përpara”.

Është një sabotim i pavetëdijshëm, me rezultate shumë reale dhe të dhimbshme. Ju mund të jeni plotësisht të pavetëdijshëm për problemin tuaj të Kufirit të Sipërm. Kjo është një arsye tjetër, që të punuarit me trajnerë apo mentorë është thelbësor, për arritjen e objektivit tuaj.

Veprimi fuqizues 3: Zotëroni objektivat tuaj

Mendoni për masën e suksesit të një lojtari bejsbolli. Në riformulimit e dështimit, Donald Miller thotë: "Nëse [një gjuajtës] dështon në 70% të gjuajtjeve, ai do të përfundojë në Sallën e Famës. Unë mendoj se jeta ju jep statistika edhe më të mira. Nëse dështoni 90% të kohës në objektiva ambiciozë … do të përfundoni në sallën e famës së qënieve njerëzore".

Nëse besoni se nuk duhet të dështoni, jeni të dënuar. Kur e kuptoni se dështimi është i nevojshëm për përparim, ju mund t'i zotëroni objektivat tuaja. Ju nuk do ta arrini kulmin thjesht duke e dëshiruar atë. Ju duhet të zotëroni objektivin tuaj. Ai duhet të jetë pjesë integrale e asaj që jeni, e asaj se si e shihni veten si dhe e asaj se ku e shihni veten më pas.

Turpi i objektivit do të forcojë kufizimet tuaja. Zotërimi i objektivave tuaja do t'i shkatërrojë ato. Ndërsa vazhdoni përpara, gjithmonë mbani parasysh: I Suksesshëm dhe Egoist nuk janë sinonime. Nëse ndjeni efektet e turpit ndaj objektivave, nuk jeni vetëm. Por ju keni fuqinë për ta mposhtur atë.