Blog

Mos supozoni se qëllimet e të tjerëve janë të këqija

Mos supozoni se qëllimet e të tjerëve janë të këqija

Njerëzit shfaqin një sjellje të caktuar për arsye të ndryshme. Pavarësisht motivit që ndikon në sjelljen e tyre, ata perceptohen në mënyra të ndryshme nga të tjerët. Dhe perceptimi shpesh bëhet shkak për pozicionimin e të tjerëve ndaj tyre. Është fakt që procesi i perceptimit jo gjithmonë shkon normalisht dhe për shkak të kësaj, ne mund të pozicionojmë veten ndaj të tjerëve, në mënyrë të papërshtatshme. Në rastet kur kjo lidhet me aktivitetin tonë, në familje, shoqëri apo punë, një pozicionim i tillë mund të na kushtojë dhe jo vetëm personalisht. Në mënyrë që të shmangen perceptimet e gabuara dhe më pas si rrjedhojë qëndrimet e gabuara, është e rëndësishme të kuptojmë motivin, qëllimin e vërtetë që shkakton një sjellje të caktuar. Para se të zbulohet kjo, është një veprim i zgjuar që të mos supozoni. Supozimet shpesh na shtyjnë në qëndrime negative. Këtë trajton edhe Anthony Iannarino, në shkrimin më poshtë. Gjykimi i të tjerëve është i lehtë, por jo gjithmonë i drejtë. Lexim të këndshëm!

* * * * *

Shumë kohë më parë, po punoja me një kliente shumë të vështirë. Ajo ishte shumë e këndshme deri sa më dorëzoi biznesin e saj, por që nga ai moment e më pas, ajo ishte gjithçka, përveçse e këndshme.

Unë kisha trajtuar klientë kërkues, por kisha hasur pak nga këta që i binin kaq shkurt, e ishin kaq të prerë. Kur ajo telefononte për të bërë një porosi, ajo ngatërronte të gjithë stafin tim, për të arritur atë që dëshironte. Kur kishte probleme, dhe zakonisht kishte probleme të pashmangshme, ajo ishte e mbrapshtë, e pamëshirshme dhe zhgënjyese. Edhe çështjet më rutinore nuk mund t’i trajtonte pa shkaktuar dhimbje.

Nuk ishte e vështirë të vije re se kjo kliente kishte qëllime të këqija; ajo donte të shkarkonte tek të gjithë pak nga dhimbja e saj, se ishte plot urrejtje.

Unë e menaxhova klientin, e pavarësisht natyrës së saj të vështirë dhe kundërshtuese, unë u mbështeta pikërisht aty.

Kjo tingëllon si një klient makthi, apo jo? Por në fakt nuk ishte kështu.

Bërja e supozimeve (false)

Duke lexuar këtë histori, është e lehtë të bësh supozimin se ky klient ishte një person i tmerrshëm. Nëse keni pasur klientë të tmerrshëm, do të keni vënë re disa sjellje, të cilat ishin shumë më keq dhe shumë më të dhimbshme sesa i kam përshkruar këtu. Por, do të gabonit nëse do të supozonit se kjo kliente ishte një makth.

Me kalimin e kohës, prania ime e vazhdueshme dhe pozicionimi im për të mos u frikësuar ose dekurajuar më lejoi të afrohesha me këtë klient. Kam pritur telefonatat e saj dhe asnjëherë nuk kam qenë argumentues apo luftarak. Unë diskutoja rreth objektit të saj dhe u sigurova që ajo që ne po bënim po funksiononte vërtet dhe pavarësisht humorit dhe temperamentit problematik të saj, ne vazhdimisht po bënim punë të mira, për të dhe ekipin e saj.

Një ditë u gjenda në zyrën e saj. Ne po komunikonim, mbase për herë të parë. Unë nuk bëra asgjë për të nxitur një përparim në marrëdhëniet tona, përveçse ndoshta thjesht isha i pranishëm.

Ishte ky moment kur ajo që më përshkroi situatën e saj. Burri i saj ishte në spital duke vdekur nga kanceri. Ajo po punonte rreth dhjetë orë në ditë në biznesin e saj dhe më pas shkonte në spital për të parë burrin. Pjesën më të madhe të netëve ajo flinte dhe madje bënte dush në spital. Burri i saj sapo kishte kaluar një numër operacionesh të dhimbshme e pa rezultate, kështu fundi po afrohej - por shumë ngadalë, dhe ajo po shikonte sa shumë po vuante ai, gjatë ditëve të tij të fundit. E gjithë kjo, ndërkohë që sfidat dhe kërkesat e biznesit të saj po rriteshin, përtej çdo mundësie që ajo të mund t’i kontrollonte.

Po të kishit bërë supozimin se ajo ishte një klient makthi, do të kishit gabuar. Kjo nuk do të thotë që unë isha duke treguar ndonjë shenjë dhembshurie, përpara se ajo të më tregonte historinë e saj. Në fakt nuk po e bëja. Unë isha i ri dhe ky ishte një klient i madh. Kjo ishte shumë kohë përpara se të mendoja të mos punoja me një klient të vështirë.

Nëse do të supozoni

Është e rrezikshme të supozohet se ju e dini pse njerëzit e tjerë sillen në mënyrat se si sillen. Ju mund të besoni se kjo do të thotë që ata duan t’ju dëmtojnë, se duan t’ju lëndojnë, ose se kanë qëllime të mbrapshta. Por këto janë disa qëllime negative që ju po ia caktoni personit tjetër, por ndoshta sjellja e tyre mund të mos ketë lidhje me qëllimet e tyre të vërteta.

Nëse do të bëni supozime, bëni supozime që do të donit t’i bënin të tjerët, në momentet kur hasin në ndonjë prej sjelljeve tuaja të këqija, si atëherë kur jeni me humor të keq dhe të papërshtatshëm ose kur jeni nervozë dhe e shfaqni këtë para tyre.

Bëni supozimin se qëllimet e personit tjetër nuk përfaqësohen nga sjellja e tyre. Supozoni në vend të kësaj se ata mund të jenë duke u përballuar me ndonjë çështje apo situate, që i pengon ata të jenë vetja e tyre më e mirë. Provoni të besoni se ata janë nën stres dhe se ata po bëjnë më të mirën e mundshme, me burimet e kufizuara që kanë në dispozicion, duke përfshirë edhe mundësitë emocionale për të trajtuar gjithçka që jeta po hedh mbi ta.

Supozoni se historia është më e thellë se sa sjellja që po shihni dhe se pjesa tjetër e historisë është e panjohur për ju. Supozoni se është kështu, dhe se nëse do e dinit, kjo do ta shpjegonte këtë lloj sjellje.

Të supozoni se qëllimet e tjetrit nuk janë të këqija, ju lejon të përshtateni dhe të ndryshoni qasjen e trajtimit të ndërveprimeve tuaja me ta. Dhe duke ndryshuar veten, ndonjëherë mund të ndryshoni personin tjetër.

Dhe shpresoj pafund se të tjerët do t'jua ofrojnë këtë mirësjellje më vonë - kur ju të keni më shumë nevojë për të.

Dhe disa pyetje për veten tuaj

  • A është sjellja juaj gjithmonë në përputhje me qëllimet tuaja?
  • Kur jeni të mbingarkuar, të lodhur apo të stresuar, a jeni gjithmonë versioni më i mirë i vetes, apo jeni diçka më pak?
  • Si mund të ndjeni keqardhje kur nuk i dini të gjitha ato që mund të jetë duke kaluar një person tjetër?
  • Si përfitojnë marrëdhëniet dhe rezultatet tuaja kur supozoni se qëllimet e të tjerëve nuk janë të mbrapshta?