Blog

Cili është sekreti i udhëheqjes së fortë?

Cili është sekreti i udhëheqjes së fortë?

Në historinë e shkurtër të biznesit shqiptar të pas viteve ’90, shumë kompani kanë shkruar emrin e tyre, por vetëm disa vazhdojnë ende të lulëzojnë e të zhvillohen, ndërkohë që shumë të tjera janë harruar. Ndërmjet shumë arsyeve, padyshim që drejtimi ka luajtur rolin më të rëndësishëm, në atë se ku janë ato sot. Sigurimi i drejtimit të duhur është diçka që të gjithë e dëshirojnë në kompani. Drejtuesit e suksesshëm kanë aftësinë të ndërtojnë vizionin e kompanisë, ta përcjellin dhe të ndërtojnë besimin e të tjerëve mbi të, e mbi të gjitha të motivojnë ekipet, për realizimin e tij. Është e rëndësishme gjithashtu, që drejtuesit të kenë talentin e duhur dhe aftësitë e duhura. Një këndvështrim mbi udhëheqjen e suksesshme, po e sjellim sot në shkrimin e Alain Hunkins, këtu më poshtë. Të jesh një udhëheqës i mirë e i suksesshëm nuk është diçka e lehtë. Lexim të këndshëm!

* * * * *

Gjatë dy dekadave të fundit, unë kam punuar me mijëra ekipe dhe dhjetëra mijëra udhëheqës, në njëzet e pesë vende të botës. Kam punuar me çdo industri që mund të mendoni, si dhe disa industri që ndoshta nuk i dini se ekzistojnë.

Në pamje të parë, secili ekip, secila situatë dhe problematikë në kompani ishte unike. Sidoqoftë, me kalimin e kohës, fillova të shoh shfaqjen e disa modeleve - modele të sjelljes. Është thënë që suksesi le gjurmë dhe kjo është e vërtetë. Udhëheqësit e mëdhenj veprojnë duke përdorur parime të ngjashme për të ndërmarrë veprimet e tyre. Ajo që është më pak e njohur dhe po aq e vërtetë, është se edhe gabimet lënë gjurmë, gjithashtu. Udhëheqësit e dobët mbështeten në një sërë "parimesh në hije" që i mbajnë të zhytur në mediokritet.

Atëherë, çfarë i ndan udhëheqësit e mëdhenj nga të tjerët? Zotërimi i tre elementëve bazikë: Lidhja, Komunikimi dhe Bashkëpunimi.

Lidhja

Në thelbin e saj, udhëheqja nuk ka të bëjë me kontrollin, pushtetin ose një titull pune. Udhëheqja është një marrëdhënie midis dy personave. Cilësia e marrëdhënies së tyre bazohet në cilësinë e lidhjes së tyre. Lidhja siguron shkëndijën që i bën të tjerët të ndjekin me dëshirë drejtimin tuaj. Është përbërësi kryesor i besimit. Ka një arsye që ne themi: - "Njerëzve nuk u intereson sa dini ju derisa ata të dijnë sa ju interesoheni". Kjo është baza e njerëzimit.

Lidhja vjen me një çmim - investimin e kohës dhe vëmendjes tuaj. Duhet gjithashtu edhe gatishmëria për të lënë mënjanë egon tuaj. Të tregoni ndjeshmëri ndaj të tjerëve do të thotë të jeni mjaft i guximshëm për të qenë i cënueshëm herë pas here.  Sidoqoftë, këto kosto paraprake i japin frutet e tyre me kalimin e kohës, nëpërmjet angazhimit dhe bindjes.

Komunikimi

Kur udhëheqësit pyeten: - "Cila është sfida juaj më e madhe në punë?", zakonisht komunikimi është në krye të listës. Dhe kjo ka kuptim: çdo ditë udhëheqësit kalojnë 70-90% të kohës së tyre në ndërveprime në grup ose me ekipin. Komunikimi dhe lidershipi janë të pandarë.

Komunikimi efektiv është më i vështirë se sa duket. Për pjesën më të madhe të drejtuesve, merret si e mirëqenë. Ne e trajtojmë komunikimin si një mjet themelor. Ashtu si energjia elektrike në shtëpinë tuaj, që ju prisni që ajo të jetë gjithmonë aty, për ju. Deri në momentin e ndërprerjes nuk e kuptoni se keni një problem real.

Sfida me komunikimin nuk është e lidhur me anën sasiore - është një çështje cilësore. Udhëheqësit e mëdhenj e dinë që qëllimi i komunikimit nuk është thjesht komunikimi, por krijimi i mirëkuptimit të përbashkët. Udhëheqësit më të mirë nuk supozojnë se të kuptuarit thjesht ndodh. Ata e dinë që natyra e transferimit të të kuptuarit, nga një person tek tjetri, është e mbushur me sfida. Ata i pranojnë pengesat dhe sfidat si pjesë e procesit. Por ata gjithashtu i vlerësojnë paraprakisht, se cilat do të jenë ato pengesa, kështu që ata mund të merren në mënyrë aktive me to.

Bashkëpunimi

Nëse ka një konstante përgjatë vitit 2020, është ndryshimi. Këtë vit ne kemi parë se Paqëndrueshmëria, Pasiguria, Kompleksiteti dhe Paqartësia janë shfaqur në një nivel krejt të ri. Njerëzve, sipërmarrjeve dhe industrive të tëra u është dashur të provojnë dhe të rikrijojnë vetveten. Teknologjia ka krijuar mundësinë e lidhjes të më shumë njerëzve, në më shumë vende, në më shumë kohë se kurrë më parë. Udhëheqësit duhet të shfrytëzojnë fuqinë e këtyre lidhjeve. 

Drejtuesi i sotëm nuk mund të qëndrojë i ngujuar në një kapanon, duke u mbështetur në modelin e vjetëruar të komandës dhe kontrollit nga lart-poshtë. Në vend që të komandojnë, ata duhet të bëhen lehtësues të aftë. Në vend që të jenë përgjegjës për punën, ata duhet të përqendrohen në ndihmën ndaj njerëzve që kryejnë punën e tyre.

Drejtuesi bashkëpunues ka nevojë për një larmi aftësish. Ata duhet të dinë se si të ndërtojnë një vizion të përbashkët dhe qëllimin unifikues. Ata duhet të frymëzojnë të tjerët për të dhënë më të mirën nga vetja e tyre në punë. Ata duhet të krijojnë një klimë që nxit idetë më të mira. Ata duhet të dinë se si të zgjedhin stilin e tyre të vendimmarrjes për secilën situatë. Nëse kjo nuk do të mjaftonte, ata i bëjnë të gjitha këto gjëra duke ja bërë më të lehtë njerëzve të tyre, që të bëjnë punën e tyre më mirë.

Këto përpjekje sjellin shpërblime të larmishme. Ndërtimi i një bashkëpunimi efektiv është Fitoj/Fiton. Kështu, jo vetëm që punonjësit janë më të lumtur, krijues dhe me energji, por kompanitë që promovojnë bashkëpunimin kanë pesë herë më shumë gjasa, që të kenë performancë më të lartë.

Lidhja, komunikimi dhe bashkëpunimi. Këto baza janë themeli për suksesin e udhëheqjes. Ato nuk janë të komplikuara për t’u kuptuar dhe nuk kërkojnë shumë sofistikim. Sidoqoftë, ekziston një hendek i madh midis të dish dhe të bësh. Praktikimi i këtyre parimeve, në mënyrë të vazhdueshme, është ajo që dallon udhëheqësit e mëdhenj nga të tjerët. Nëse e quani veten "udhëheqës", sfida e vërtetë është që ta bëni lidhjen, komunikimin dhe bashkëpunimin një zakon të përditshëm.