Të dini kur t’i mbani dhe kur t’i palosni kartat
Jemi duke diskutuar sot mbi strategjinë e biznesit. Për të gjithë ata që janë në biznes, por nuk kanë pasur mundësinë të mendojnë rreth strategjisë, ju kujtojmë se strategjia është udhërrëfyesi që tregon se si mund të përmbushen objektivat apo qëllimet e biznesit. Një objektiv biznesi pa një strategji është vetëm një ëndërr. Nevoja për të ndërtuar një strategji fituese është imediate, që në hapat e para të biznesit, aq më shumë në kushtet e ndryshimit të tregut, ndryshimeve të industrisë, ndryshimit të mundësive të të bërit biznes apo edhe situatave të jashtëzakonshme e të paimagjinuara, si krizat apo pandemia e vitit të fundit. Mbi ndërtimin e një strategjie fituese dhe përshtatjen e saj në situatën e sotme, na flet edhe artikulli në vazhdim, me autor John Spence - një nga udhëheqësit kryesorë të mendimit të biznesit, sot në botë. Lexim të këndshëm!
* * * * *
Dy ide rreth strategjisë që duken në kundërshtim me njëra tjetrën
Lëvizni shpejt dhe ndryshoni
Për të mbijetuar përballë ndryshimeve të mëdha, kompanitë duhet të jenë shumë të shkathëta. Tregjet po ndryshojnë, pritshmëritë e klientëve po ndryshojnë, mënyra se si ne drejtojmë bizneset tona po ndryshon… teknologjia, kultura organizative, mënyrat e shitjeve, puna nga shtëpia, shërbimi ndaj klientit, trazirat ekonomike, trazirat politike, protokollet e reja të sigurisë ... është e lodhshme vetëm ta shkruash këtë listë. Në një botë pothuajse përmbys, fituesit janë ata që mund të përshtaten më shpejt.
Fleksibiliteti dhe shpejtësia japin avantazh konkurrues
Nga ana tjetër, fokusimi dhe qëndrueshmëria janë thelbësore për ekzekutimin efektiv të strategjisë. Ndryshimi i drejtimit shumë shpesh e bën konfuz dhe e lodh personelin, konsumon burimet dhe nuk lejon që të ndiqet ndonjë strategji e caktuar për ta zbatuar një drejtim. Të përpiqesh të mbash të hapur çdo mundësi, do të thotë që asnjë opsion nuk mund të ndiqet me disiplinë. Ndryshimi është i mirë, por shumë ndryshim është vdekjeprurës.
Si i balanconi këto ide të kundërta?
Mos u gëzoni vetëm me ndryshimin ose përqafimin e ndryshimit… udhëhiqni ndyshimin. Tregoni aftësi, shpejtësi, përshtatje dhe shkathtësi. Duhet të jeni në gjendje të ndryshoni kursin dhe të lëvizni në një drejtim tjetër, kur është e nevojshme. Ah po, dhe ky është çelësi; kur është "e nevojshme".
Mos ndryshoni nëse tregu nuk e kërkon patjetër atë!
Dëgjoni klientët tuaj, ndiqni ndryshimet në industrinë tuaj, vëzhgoni konkurrencën tuaj, mblidhni të dhëna, ekzaminoni trendet, identifikoni modelet dhe kur gjithçka tregon për një nevojë reale për ndryshim, bëjeni atë me shpejtësi dhe vendosmëri.
Bast për të ardhmen
Unë nuk jam ndonjë lojtar i madh bixhozi, por imazhi që më vjen në mendje është - i ulur në një tryezë pokeri. A besoni se do të fitoni me letrat e para që ju kanë rënë dhe i shtyni të gjitha fishat tuaja, apo i palosni ato me besimin se dora tjetër do të jetë më e mirë? Vini bast që strategjia juaj aktuale është fituese, apo e braktisni atë me shpresë se një strategji e re do të jetë më e mirë? Apo ngriheni nga tavolina dhe vendosni të luani një lojë krejt tjetër? Keni vetëm një numër të kufizuar fishash, prandaj zgjidhni me mençuri.