Blog

Vështirësitë e biznesit me 7 deri 35 punonjës

Vështirësitë e biznesit me 7 deri 35 punonjës

Në të gjithë botën, ndërtimi dhe zhvillimi i një biznesi është një rrugë e vështirë dhe e komplikuar. Sfidat janë nga më të ndryshmet, por e parë në aspektin e madhësisë së biznesit – e lidhur kjo me përsosjen e menaxhimit, sfida kryesore shfaqet kur rritja kërkon shtim të numrit të të punësuarve dhe pronari nuk ka mundësi që të ndjekë të gjitha drejtimet e menaxhimit. Aq më shumë që rritja dikton një menaxhim sa më profesional e të specializuar, ndërkohë që lëshimi i “frenave” të biznesit në duar të tjera duket një sfidë edhe më e madhe. Në stadin aktual të zhvillimit të bizneseve në Shqipëri, pjesa dërrmuese e bizneseve punësojnë më pak se 20 punonjës, e kështu gjenden në pozitat që analizon artikulli më poshtë, me autor Scott Hoover. Si konsulentë të Zhvillimit Organizativ, ne vërejmë se kapërcimi i kësaj vështirësie është shqetësimi kryesor i sipërmarrësve, në synimin e tyre për të krijuar një biznesi të shkëlqyer e të suksesshëm, por që pothuajse gjithmonë kjo shoqërohet me pasigurinë për të ndërmarrë këtë hap. Jepini frymëmarrje biznesit tuaj. Lexim të këndshëm!

* * * * *

Në 10 vjet punë si drejtues financiar, kam vënë re diçka. Ekziston një "zonë problematike" në madhësinë e kompanisë. Po e quaj "Zona e Dhimbjes".

Disa kompani hyjnë në këtë zonë me 4 punonjës dhe disa të tjera qëndrojnë aty edhe me 100 punonjës, por zakonisht kjo "zonë", duket se shfaqet në 7 deri 35 punonjës.

Nuk qëndron problemi tek fitimi, por tek stresi. Një biznes në “Zonën e Dhimbjes” është:

  1. Shumë i madh për t’u mbyllur kur pronari largohet, por shumë i vogël për të funksionuar më vete, kur pronari nuk është aty. Kjo krijon një cikël të pafund stresi, të cilit pronari nuk mund t’i shpëtojë lehtë.
  2. Shumë i madh për pronarin, që të ndjekë dhe të menaxhojë personalisht gjithçka, por shumë i vogël për t'ja lënë të tjerëve ta bëjnë këtë. Në të vërtetë, fitimet mund të rriten me këtë strukturë të mangët, por shpesh me kosto të thellë personale për shëndetin, shëndetin mendor ose marrëdhëniet e pronarit.

Këtu janë pikat specifike të dhimbjes:

Dhimbja #1: Mungesa e të dhënave

Një pronar në “Zonën e Dhimbjes” dëshiron vazhdimisht më shumë të dhëna mbi produktivitetin dhe përfitimin. Kjo për shkak se kompania ka filluar me programe të thjeshta të dokumentimit financiar dhe të të dhënave dhe nuk ka para ose fuqi punëtore për tu përmirësuar në sisteme më të përparuara e komplekse.

Irritimi për shkak të menaxhimit “në tym” shpesh e çon pronarin të përdorë rrugë më të dhimbshme, siç janë ndjekja e kostove të projektit në letër ose kërkimi i ndihmës nga jashtë që mund të jetë shumë e shtrenjtë. Këto zgjidhje e ndihmojnë pronarin të ndjehet më mirë, por nuk mund ta qetësojnë e t’i largojnë mendimin e bezdisshëm që ende ka një kontroll të dobët në kompani.

Dhimbja #2: Mungesa e menaxherëve

Unë nuk jam duke folur për menaxherët e prodhimit dhe ose kryepunëtorët. Kompanitë në “Zonën e Dhimbjes” shpesh i kanë ata. Ajo që ata vërtet nuk mund të justifikojnë, janë menaxherët me kohë të plotë të Burimeve Njerëzore, IT, Financës, Shitjeve, Shërbimit ndaj klientit dhe Marketingut.

Megjithatë këto zona kanë nevojë për menaxhim. Ajo që vihet re zakonisht, është që janë disa njerëz që kanë shumë “kapele” - si p.sh. një person që bën Financën, Burimet Njerëzore dhe IT. Kjo është një lloj pune, por është me të vërtetë e vështirë për një person, që të jetë shumë i mirë në të tre gjërat.

Për të mos përmendur përqendrimin. Ka të ngjarë që një zonë të fitojë, ndërsa të tjerat të vuajnë. Dhe ajo që nuk arrihet të bëhet, ose nuk bëhet fare, ose pronari përfundon duke u përpjekur ta bëjë vetë atë.

Dhimbja #3: Projektet e mëdha

Kompanitë në “Zonën e Dhimbjes” janë mjaft të mëdha për të lakmuar projekte të mëdha, por mjaftueshëm të vogla sa që është e vështirë për t'i realizuar ato.

Unë po flas për angazhime që mund të gjenerojnë 10-50% të të ardhurave vjetore. Kërkimi i të ardhurave të tilla të mëdha është tërheqës për shumicën e sipërmarrësve, por dobësitë janë të konsiderueshme për një kompani në “Zonën e Dhimbjes”:

  1. Rrezikojnë që klienti i madh të mos paguajë
  2. Rrezikojnë që klientët besnikë e më të vegjël të ndihen të lënë pas dore
  3. Rrezikojnë që projekti të rezultojë një alarm i shkallës 5, që i konsumon të gjithë në kompani, për një periudhë kohe

Projektet e mëdha zakonisht nuk janë një pikë e fortë e kompanive që janë në “Zonën e Dhimbjes”. Megjithatë ato vazhdojnë të synohen. Prandaj vjen dhe agonia.

Dhimbja #4: Ulja e çmimit

Nëse Walmart troket në derën e 3M dhe kërkon një marrëveshje për Post-It notes, Walmart ka të ngjarë të arrijë një marrëveshje. 3M shikon 6-mijë e më shumë dyqane të Walmart-it dhe futet shpejt në diskutim.

Nëse një kompani e vogël provon të njëjtën gjë, nuk do të funksionojë. Dhe nuk është vetëm uljet e çmimeve. Një klient me kapacitete të mëdha, shpesh do të jetë i suksesshëm nëse kërkon afate pagese më të mira ose favorizime të veçanta. Kompanitë më të vogla nuk e kanë atë mundësi.

Dhimbja #5: Pajtueshmëria

Kompanitë në “Zonën e Dhimbjes” shpesh nuk janë aq të mëdha sa të mos vendosin e të ndjekin rregullat, dhe mjaft të vogla që kjo gjë t’i kushtojë shtrenjt, si përqindje ndaj të ardhurave. Kjo është shumë e vërtetë, vecanërisht në industri shumë të rregulluara si bankat.

Kjo shtrihet edhe përtej pajtueshmërisë financiare. Trajnimet e sigurisë, siguria në punë dhe kushtet e tjera, taksa e shitjes dhe tatimi mbi të ardhurat janë shembuj që shfaqen problematike, kur kompanitë hyjnë në “Zonën e Dhimbjes”.

A ka ndonjë gjë të mirë këtu?

A është “Zona e Dhimbjes” një luginë e frikshme që duhet të kalohet sa më shpejt të jetë e mundur e me çdo kusht?

Jo gjithmonë. Ekzistojnë gjëra të mira, veçanërisht për sipërmarrësit që menaxhojnë mirë stresin dhe kanë një aftësi të brendshme për të monitoruar operacione me pak të dhëna dhe me një menaxhim mesatar të kufizuar.

Këtu janë disa anë të mira praktike në “Zonën e Dhimbjes”:

  1. Pronari zakonisht i njeh punonjësit e rinj me emër, e në festa, ndoshta edhe bashkëshortët e tyre.
  2. Kompania është ende mjaft e vogël për të marrë kthesën 180 gradë në rrugë e për të ndërruar prodhimin/shërbimin, duke kaluar nga prodhimi i kuzhinave në shitjen e produkteve zbukuruese të shtëpive, nëse duhet.
  3. Ndonjë menaxher, mund të ketë kohë të lirë të gjejë zgjidhje efikase për pikat e dhimbjes. Për shembull, menaxheri i Financës, IT dhe B.Nj mund të zhvillojë një mënyrë inovative për të përdorur atë program të prapambetur, e për të gjeneruar të dhëna që nuk mendohej se mund t’i siguronte.
  4. Kompania ka ende energji të lira, për të filluar ndonjë gjë të re. "Praktikat më të mira" tmerrësisht metodike, do të vihen në zbatim pasi kompania të largohet nga “Zona e Dhimbjes”.

Gjëja kryesore për “Zonën e Dhimbjes” është që ju të jeni gati për të. Shumë pronarë bien pa e kuptuar në “Zonën e Dhimbjes” dhe vuajnë shumë, sepse nuk e ndjenë atë të vinte.

Një ekip pronësie me një vizion praktik, në përgjithësi do të pozicionohet mirë e do të lulëzojë pafundësisht në këtë Zonë, ose do të kalojë përmes saj me kujdes dhe do të dalë më i fortë, në anën tjetër.