Pse ka rëndësi kultura e kompanisë së trajnimit mbi shitjet
Trajnimi i punonjësve është një nga mjetet më të rëndësishme, nëse synoni të rrisni njohuritë, aftësitë dhe zotësinë e ekipeve tuaja. E veçanërisht e rëndësishme është kjo për ekipet e shitjeve, ku kompanitë që duan të vazhdojnë të rriten e kanë bërë një element kritik të strategjisë së investimeve. Përveç rritjes së njohurive dhe aftësive të punonjësve, që ndikojnë drejtpërdrejt në efektivitetin e punës së tyre, ndër shumë përfitime të tjera, trajnimet promovojnë besnikërinë dhe mbajtjen e punonjësve, si dhe rrisin pavarësinë e tyre. Ndërkohë, nga sa vërejmë në diskutimet e vazhdueshme me klientët, përzgjedhja e kompanive trajnuese shpesh bëhet mbi bazën e kostove, dhe pak vëmendje i kushtohet cilësisë së trajnimeve apo eksperiencës së trajnerëve. Jeb Brooks, autori i shkrimit këtu, analizon dhe vlerëson disa arsye pse është e rëndësishme të merret parasysh kultura e kompanive trajnuese për trajnimin e ekipeve tuaja të shitjeve. Në organizatat e suksesshme, trajnimi nuk është më “një gjë e mirë për t'u bërë". Lexim të këndshëm!
* * * * *
Në Shtetet e Bashkuara, bizneset shpenzojnë mbi 70 miliardë dollarë në vit, për trajnimet mbi shitjen, me një vlerë mesatare prej 1,459 dollarë për një shitës. Kjo është 20% më shumë sesa shpenzimet e trajnimeve për të gjithë punonjësit e kategorive të tjera.
Fatkeqësisht, kur marrin në konsideratë një investim në trajnimin e shitjeve, shumë organizata dështojnë të marrin parasysh një gjë kritike: Kulturën e ofruesit të trajnimit të shitjeve të tyre.
Ja pse kultura e kompanisë ka rëndësi në çdo organizatë
Kultura e kompanisë ndikon në çdo aspekt të aftësisë së një organizate për të ofruar shërbim. Nëse një organizatë ka një kulturë kompanie të dobët, klienti mund ta përjetojë atë në formën e shërbimit të keq të klientit, rezultateve të papranueshme ose zhgënjimit të përgjithshëm.
E kundërta ndodh, kur ju bashkëpunoni me një organizatë që ka një kulturë të brendshme të fortë e të shkëlqyer, sepse çdo ndërveprim me ta është i këndshëm, efikas, efektiv dhe siguron rezultate pozitive.
Dhe kjo ka rëndësi edhe më shumë, kur zgjedh një organizatë trajnimi për shitjet
Nëse ndonjëherë ju është dashur të telefononi një kompani sigurimesh për të marrë një vlerësim, ose një furnizues për të porositur çelik të parafabrikuar, mund të keni provuar një kulturë pozitive ose negative të kompanisë, përmes një ndërveprimi pozitiv ose negativ me përfaqësuesit e tyre.
Megjithatë, kur ndërveproni me një organizatë trajnimi mbi shitjet, ju do ta përjetoni kulturën e kompanisë së tyre në shumë nivele. Ajo ndihet në:
- Çdo ndërveprim me përfaqësuesit e tyre
- Cilësinë e trajnimit të tyre
- Përgjegjësinë e ekipit të tyre mbështetës
- Aftësinë dhe angazhimin e tyre për të siguruar rezultate pozitive nga trajnimi
Ofruesi juaj i trajnimit të shitjeve duhet të bëhet një partner integral i organizatës suaj. Ata do të përfshihen në të kuptuarit dhe formimin e strategjisë, procesit dhe metodologjisë suaj të shitjeve. Ata do t'ju ndihmojnë të kuptoni dhe përcaktoni aftësitë specifike të nevojshme për ekipin tuaj, në mënyrë që ata të shkëlqejnë. Dhe ata mund të bashkëveprojnë me ekipin tuaj në baza ditore, javore, mujore, tremujore dhe vjetore.
Kur ju zgjidhni një kompani të trajnimit të shitjeve me një kulturë të fortë, çdo ndërveprim mund të jetë i qetë dhe i qëndrueshëm. Cilësia e trajnimit do të jetë më e mirë, dhe ata do të jenë më të aftë t'i përgjigjen nevojave tuaja specifike. Kur hasni probleme, ato do t'i zgjidhin shpejt dhe në mënyrë efektive.
Ju gjithashtu mund të prisni që një ofrues trajnimesh me një kulturë të shkëlqyer, të kujdeset për rezultatin e trajnimit të tyre – të masin suksesin e tyre, që duhet të jetë edhe suksesi juaj, e jo të raportojnë vetëm numrin e orëve të kryera për trajnim.
Ja se si të zgjidhni një ofrues trajnimi mbi shitjet, me një kulturë të fortë kompanie
Kompania juaj e trajnimit të shitjeve duhet të ketë një deklaratë të dokumentuar të vlerave dhe të shprehë një angazhim për zbatimin e këtyre vlerave në praktikë. Por ky angazhim duhet të shkojë përtej fjalëve në një faqe letre.
Shikoni histori të zbatimit të këtyre vlerave në praktikë. Kontrolloni referencat për të zbuluar nëse ato vlera praktikohen vazhdimisht me klientët e tyre. Dhe kushtojini vëmendje se si dhe kur ata i përmbahen këtyre vlerave, në bashkëveprimet e tyre me ju gjatë procesit të vlerësimit.
Po aq e rëndësishme është të siguroheni që vlerat dhe praktika që ata pretendojnë janë vlera që ju i dëshironi me të vërtetë në organizatën tuaj. Këtu janë disa vlera të sugjeruara për t’i kërkuar:
- Fokusi tek klienti
- Përkushtimi
- Shkathtësia
- Zgjidhja e problemeve
- Qëndrimi Pozitiv
- Vendosmëria
- Të mësuarit gjatë gjithë jetës
- Performanca e shkëlqyer