11 Situatat ku organizata juaj ka nevojë për Zhvillim Organizativ
Jeta e organizatave është tashmë një objekt studimi prej vitit 1890 dhe vazhdon të ngacmojë mendimin njerëzor edhe sot, pasi ajo është e lidhur me mjedisin ku ato zhvillohen, e sot ky mjedis është më i ndryshueshëm se kurrë më parë. Në kushtet e ndryshimeve të vazhdueshme dhe një konkurrence të fortë, ndjekja e ndryshimeve, përshtatja dhe zhvillimi i organizatave janë mënyrat më të sigurta për zgjatjen e jetës dhe pse jo, edhe lulëzimin e tyre. Ndërsa kryerja e përshtatjeve dhe zhvillimit kërkon një gjykim të specializuar, angazhimi i konsulentit të Zhvillimit Organizativ është një zgjidhje e zgjuar. David Marshall, autor i artikullit më poshtë, shpjegon se cilat janë situatat tipike kur organizata juaj ka nevojë për Zhvillim Organizativ dhe përfitimet që do të merrni nga kjo. Lexim të këndshëm!
* * * * *
Kur dhe pse një organizatë duhet të përdorë Zhvillimin Organizativ
Fusha e Zhvillimit Organizativ (ZhO) është jashtëzakonisht e gjerë - dhe ky është një problem, kur bëhet fjalë për t’i shpjeguar qartë të gjitha drejtimet që mbulon.
ZhO nuk është një teknikë ose një grup mjetesh, megjithëse disa profesionistë të ZhO e praktikojnë atë sikur të ishte e tillë. Përkundrazi, ZhO mund të zbatohet çdo herë që një organizatë dëshiron të bëjë përmirësime të planifikuara duke përdorur vlerat e ZhO. Çdo organizatë mund ta përdorë ZhO, kur ajo synon të zhvillojë ose përmirësojë të paktën një prej situatave të mëposhtme:
- Për të zhvilluar ose përmirësuar deklaratën e misionit të organizatës (deklaratën e objektivit/qëllimit) ose deklaratën e vizionit, për atë që ajo synon të jetë në të ardhmen
- Për të ndihmuar në përafrimin dhe bashkrendimin e strukturave funksionale në një organizatë, në mënyrë që ato të punojnë së bashku, për një qëllim të përbashkët
- Për të krijuar një plan strategjik se si organizata do të marrë vendime për të ardhmen e saj, si dhe arritjen e asaj të ardhmeje
- Për të menaxhuar konfliktin që ekziston midis individëve, grupeve, funksioneve, etj., kur konflikte të tilla dëmtojnë/dobësojnë aftësinë e organizatës për të funksionuar në një mënyrë të shëndetshme
- Për të përcaktuar dhe implementuar proceset, që do të ndihmojnë në përmirësimin e operacioneve të organizatës, në mënyrë të vazhdueshme
- Për të krijuar një mjedis bashkëpunues, që ndihmon organizatën të jetë më efektive dhe efikase
- Për të krijuar sisteme shpërblimesh që janë në përputhje me qëllimet e organizatës
- Për të ndihmuar në zhvillimin e politikave dhe procedurave që do të përmirësojnë funksionimin e vazhdueshëm të organizatës
- Për të vlerësuar mjedisin e punës, për të identifikuar pikat e forta mbi të cilat duhet të ndërtohet dhe fushat në të cilat ndryshimi dhe përmirësimi janë të nevojshme
- Për të siguruar ndihmë dhe mbështetje për punonjësit, veçanërisht për ata në pozita të larta, të cilëve u duhet një mundësi për tu aftësuar se si t’i bëjnë më mirë punët e tyre
- Për të ndihmuar në krijimin e sistemeve për sigurimin e informacioneve dhe reagimeve mbi performancën individuale dhe, me raste, kryerjen e studimeve për t'i dhënë individëve reagime dhe trajnime, që i ndihmojnë ata në zhvillimin e tyre individual
Dhe kjo nuk është një listë shteruese - është vetëm sugjeruese. Megjithatë, kjo do t'ju japë një ide të gamës së aktiviteteve për të cilat profesionistët e ZhO mund të thirren për të ndihmuar një organizatë.
ZhO është një fushë me zhvillim të shpejtë, për shkak të koncepteve dhe mjeteve të vlerës së shtuar që u ka sjellë organizatave dhe palëve të saj të interesit (ata që merren me mënyrën se si funksionon organizata), duke përfshirë klientët, aksionerët, punonjësit, menaxhmentin, komunitetin dhe madje edhe vendin. Nëse një profesionist i ZhO mund të ndihmojë në nxitjen e ndryshimeve të dëshiruara, me një proces që përdor vlerat e përshkruara më poshtë, të gjithë përfitojnë.
Përfitimet e Zhvillimit të Organizatës
Angazhimi i profesionistëve të ZhO mund të ndryshojë rrënjësisht organizatën tuaj për mirë, në shumë mënyra. Ju mund të krijoni në organizatën tuaj një atmosferë, e cila do të:
- Mbështesë më shumë inovacionin dhe kreativitetin
- Rrisë kënaqësinë e punës
- Zhvillojë marrëdhënie më pozitive ndërpersonale
- Nxisë pjesëmarrje më të madhe në krijimin e planeve dhe përcaktimin e objektivave/qëllimeve organizative
Ju mund të krijoni sisteme për të ndihmuar në krijimin e kësaj lloj atmosfere. E gjithë kjo do të krijojë një organizatë më efektive dhe efikase që për pasojë, do të sigurojë produkte dhe shërbime me cilësi më të lartë e me një çmim të arsyeshëm, do të rrisë përfitimin, do të përmirësojë vlerat e aksioneve, do të përmirësojë mjedisin e punës dhe do të mbështesë menaxhmentin në rolin e tij udhëheqës.