Blog

Si të ngjisim dhe të zotërojmë 5 nivelet e lidershipit

Si të ngjisim dhe të zotërojmë 5 nivelet e lidershipit

Të përzgjidheni në një pozicion drejtues, natyrisht që është një arritje dhe njëkohësisht vlerësim, për mundin dhe investimin tuaj në karrierë. Megjithatë, edhe ju jeni të vetëdijshëm se ky është vetëm një hap drejt të qenit një lider i suksesshëm. Lidershipi është si një udhëtim e kjo ka pak lidhje me pozicionin tuaj në krye të ekipit. Ai do të përcaktohet me çfarë do të bëni ju përgjatë këtij udhëtimi, për ta fituar realisht rolin e liderit. John C. Maxwell ka përcaktuar stadet e këtij udhëtimi, të cilat vijnë të përmbledhura në artikullin më poshtë. Ndonjëherë krijohet ideja se të qenit në krye të një ekipi, e bën personin lider. Krijimi i ekipeve të përkushtuara dhe ndërtimi i liderave të rinj është treguesi kryesor i liderave të suksesshëm. Urojmë dhe i juaji! Lexim të këndshëm!

* * * * *

Një drejtues biznesi. Një trajner futtbolli. Një mësues. Një koordinator vullnetar. Një prind.

Pavarësisht nëse jeni një nga këto apo të gjitha, një gjë mbetet e vërtetë: Ju jeni një lider. Por ku jeni në udhëtimin tuaj të lidershipit dhe ku do shkoni nga këtu? Gjatë viteve të mia të mësimit për lidershipin, kjo pyetje ekziston në zemër të kaq shumë drejtuesve. Të gjithë duan të dinë se ku janë dhe si të arrijnë në nivelin tjetër. Dhe ju ndoshta nuk jeni ndryshe!

Kjo është arsyeja pse unë zhvillova 5 Nivelet e Lidershipit. Doja të ndihmoja drejtuesit të kuptojnë dhe të rrisin efektivitetin e tyre. Lexoni më tej për të identifikuar se ku jeni tani dhe hapat që duhet të ndërmerrni, për të punuar deri në nivelin 5 — maja e udhëheqjes.

Niveli 1

Pozicioni: Njerëzit ndjekin sepse duhet.

Niveli më i ulët i lidershipit - niveli hyrës, Pozicioni, nëse dëshironi – jeni. Është niveli i vetëm që nuk kërkon aftësi ose përpjekje për të patur rezultat. Në fund të fundit, çdokush mund të emërohet në një pozicion! Ndërkohë që asgjë nuk është e gabuar me të paturit një pozicion drejtues, gjithshka është e gabuar të mbështetesh në këtë pozicion për t'i bërë njerëzit të të ndjekin. Kjo për faktin se funksionon vetëm nëse keni fuqi mbi ndjekësit tuaj (si psh siguria në punë apo pagat). Në nivelin 1, njerëzit ndjekin vetëm nëse besojnë se duhet.

Por lajmi është që jo çdo gjë është e keqe për këtë nivel. Është pikënisje për ju për të filluar investimin në rritjen dhe potencialin tuaj si një lider. Përdorni kohën tuaj në këtë nivel për të mësuar të drejtoni veten — nëpëmjet prioriteteve dhe vetë-disiplinës — dhe do të jeni gati për të kaluar në nivelin tjetër.

Niveli 2

Leja: Njerëzit ndjekin sepse duan.

Në këtë nivel, njerëzit zgjedhin të ndjekin liderin. Për t'u rritur në këtë nivel, liderat punojnë për njohjen e njerëzve të tyre dhe lidhjen me ta. Ju nuk mund të udhëhiqni pa njerëz, që do të thotë se duhet të mësoni të pëlqeni njerëzit nëse doni të udhëhiqni mirë.

Kur ju pëlqejnë njerëzit dhe i trajtoni si individë që kanë vlerë, ju filloni të zhvilloni ndikim pozitiv me ta. Besimi rritet, gjë që zakonisht çon në respekt. Niveli 2 është ai ku ndërtohen marrëdhënie të forta dhe të qëndrueshme, që krijojnë bazën për nivelin tjetër.

Niveli 3

Prodhimi: Njerëzit ju ndjekin për shkak të asaj që keni bërë për organizatën.

Në këtë nivel, udhëheqësit që prodhojnë rezultate ndërtojnë ndikimin dhe besueshmërinë e tyre. Niveli i Prodhimit është aty ku drejtuesit mund të bëhen agjentë të ndryshimit. Puna bëhet, morali përmirësohet, fitimet rriten, xhiroja zvogëlohet, dhe synimet janë arritur. Sa më shumë të prodhoni, aq më shumë jeni në gjendje të trajtoni problemet e vështira dhe të përballeni me çështje të mprehta. Drejtimi dhe ndikimi i të tjerëve bëhet kënaqësi, sepse kur të gjithë ecin përpara së bashku, ekipi ngrihet në një nivel tjetër të efektivitetit.

Këtu është e rëndësishme të theksojmë që qëllimi me 5 Nivelet nuk është të largohemi nga një nivel për tu rritur në një nivel të ri. Përkundrazi, këto pesë nivele të udhëheqjes ndërtohen mbi njëri-tjetrin. Me fjalë të tjera, drejtuesit e Nivelit 3 ende duhet të bëjnë gjërat e Nivelit 2. Ata thjesht shtojnë strategjitë e Nivelit 3 në përmbajtje. Dhe ndërsa bëhen efektive në Nivelin 3, ata janë të gatshëm të vazhdojnë me qëllimet e niveleve të ardhshme.

Niveli 4

Zhvillimi i njerëzve: Njerëzit ndjekin për shkak të asaj që keni bërë për ta.

Qëllimi juaj në këtë nivel është të identifikoni dhe zhvilloni sa më shumë lidera që të mundeni, duke investuar tek ata dhe duke i ndihmuar ata të rriten.

Arsyeja është e thjeshtë: Kur ka më shumë lidera, aq më shumë mund të realizohet, nga misioni i organizatës. Njerëzit që ju zgjidhni për të zhvilluar mund të tregojnë potencial të madh për lidership, ose ata mund të jenë “diamante” me vlerë, por ideja kryesore është e njejtë: Kur investoni tek ata, ju mund të riprodhoni veten.

Sa më shumë të zhvilloni udhëheqës të rinj, aq më shumë do të ndryshoni jetën e të gjithë anëtarëve të ekipit. 

Niveli 5

Maja: Njerëzit ndjekin për shkak të asaj që jeni dhe çfarë ju përfaqësoni.

Niveli më i lartë i lidershipit është gjithashtu më sfiduesi për t’u arritur. Kërkon si jetëgjatësi ashtu edhe qëllimshmëri. Ju thjesht nuk mund të arrini Nivelin 5, nëse nuk jeni të gatshëm të investoni jetën tuaj në jetën e të tjerëve, për një kohë të gjatë.

Angazhimi për të qënë një lider në Majë është i konsiderueshëm, por po kështu janë dhe përfitimet. Drejtuesit e Nivelit 5 zhvillojnë organizatat e Nivelit 5. Ata krijojnë mundësi që liderat e tjerë nuk i krijojnë. Ata krijojnë një trashëgimi në atë që bëjnë. Lidershipi i tyre fiton një reputacion pozitiv. Si rezultat, liderat e Nivelit 5 shpesh tejkalojnë pozicionin e tyre, organizatën e tyre, dhe nganjëherë industrinë e tyre.

Nëse jeni si unë, keni synime. Ju dëshironi jo vetëm të arrini sukses, por edhe të përjetoni domethënie. Ju dëshironi të bëni një ndryshim. Niveli i udhëheqjes që keni është më shumë i varur nga ndikimi juaj sesa nga çdo faktor tjetër. Ju thjesht nuk e dini sa jetë do të prekni. Gjithshka që mund të bëni është të zhvilloni ndikimin tuaj në mënyrë që kur të vijnë mundësitë, të mund të jepni më të mirën prej tyre.

Asnjëherë mos dyshoni në fuqinë e një personi me ndikim.