13 Gabime komunikimi, që drejtuesit duhet t’i shmangin
Globalizimi, teknologjitë e reja dhe ndryshimet në mënyrën se si kompanitë janë organizuar apo si ato bashkëveprojnë me klientët, po ndikojnë në efikasitetin e modeleve të drejtimit. Ende mbetet thelbësor organizimi në linjë dhe roli i drejtuesve do të vazhdojë të vendosë ritmin e zhvillimeve brenda organizatës. Për këtë arsye edhe mënyra e drejtimit dhe komunikimi i drejtuesve ngelet një element i rëndësishëm në drejtimin efektiv, nxitjen dhe motivimin e stafeve. Këshilli i Sipërmarrësve të Rinj (YEC - Young Entrepreneur Council), duke e vlerësuar rolin e drejtuesve, e ka trajtuar komunikimin e tyre në shkrimin që po sjellim më poshtë. Qëllimi është t'ju vijmë në ndihmë drejtuesve, që si udhëheqës, ata të menaxhojnë komunikimin brenda organizatave të tyre, duke shmangur disa prej gabimeve më të shpeshta. Komunikimi tradicional po bëhet një proces më dinamik dhe më i sofistikuar, por komunikimi si proces është njerëzor. Trajtojeni si të tillë, jo vetëm me mendje por edhe me zemër! Lexim të këndshëm!
* * * * *
Komunikimi është art. Disa nga udhëheqësit më të mëdhenj në histori nderohen për aftësinë e tyre, që jo vetëm frymëzojnë të tjerët me fjalët e tyre, por edhe për aftësinë e tyre për të dëgjuar me të vërtetë ekipin e tyre. Bosët e tmerrshëm, nga ana tjetër, kanë një tendencë për ta bërë ekipin e tyre të ndjehet i papërshtatshëm, i nënvlerësuar dhe i lënë pas dore.A keni ndërmarrë ndonjëherë ndonjë hap mbrapa, duke u shkëputur nga rraskapitja e përditshme për të vetëvlerësuar aftësitë tuaja të komunikimit? Ne pyetëm Këshillin e Sipërmarrësve të Rinj, - "Cili
është një nga zakonet e komunikimit, që liderët duhet të ndalojnë së përdoruri?" dhe që mund të cilësohen si flamuj të kuq.
Dhe, nëse nga vetëvlerësimi ju vëreni se, unë e kam bërë këtë ose e unë e kam thënë këtë, mos u frikësoni. Kjo thjesht do të thotë se është koha për të rregulluar tonin e zërit, gjuhën e trupit dhe stilin tuaj të komunikimit, për të siguruar që ekipi juaj të ndihet i vlerësuar dhe i respektuar dhe të angazhoheni për të qenë më të vërtetë dhe më të respektueshëm.
1. Trajtimi si personale
Është shumë më e lehtë për t'i bërë gjërat në biznes, kur lidhja është bërë, së pari, si njerëz. Ka raste kur flasim për biznes dhe raste të tjera kur flasim për jetën. Kuptoni ndryshimin dhe do të përjetoni magjinë e vërtetë të lidhjes. - Erin Weed
2. Të folurit për të tjerët në vend të të tjerëve
Disa udhëheqësve u pëlqen të flasin vetë. Vetëbesimi është një kërkesë për një udhëheqës, por për fat të keq, shpesh kjo mund të japë përshtypjen e të mos pasurit të një bisede të vërtetë me njerëzit. Bëni një hap prapa, për të kuptuar nëse biseda po zhvillohet në dy drejtime. Është normale të flisni për arritjet tuaja, por sigurohuni që po tregoni interes gjithashtu, edhe për personin me të cilin jeni duke folur, duke e dëgjuar me të vërtetë. - Brandon Houston
3. Të menduarit për përgjigjen tuaj para se biseduesi të përfundojë fjalën
Është në natyrën njerëzore që të dëshironi të dëgjoheni dhe kuptoheni. Si udhëheqës, ne priremi të zhvillojmë biseda dhe të kërkojmë zgjidhje, ndërsa të tjerët flasin. Kjo mund të jetë një mënyrë për të kaluar bisedën shpejt, por nuk është mënyra e duhur, që e lejon folësin të ndiejë se po dëgjohet. Dedikoni kohë që të ndaloni së menduari dhe të dëgjoni vërtet - ju mund të mësoni diçka të re. - Rahim Charania
4. Përdorimi i gjuhës së trupit që kundërshton fjalët tuaja
Shumë udhëheqës nuk e shikojnë gjuhën e tyre trupore, e cila mund të jetë jo miqësore. Për shembull, një drejtues mund të kërkojë një reagim të sinqertë, por një gjoks i fryrë e me krahë të kryqëzuar nuk do të jetë i dobishëm, për të marrë një reagim të ndershëm. - Jeremy Goldman
5. Shmangia e kontaktit me sy
Të qenit prezent dhe të mbajturit të kontaktit me sy me klientët, stafin ose punonjësit tuaj është gjithmonë më e rëndësishme sesa emaili që ju duhet të shkruani ose telefonata që ju duhet të bëni. Mendja juaj është pasuria më e vlefshme që keni. Qetësoni mendimet tuaja dhe dedikohuni për të qenë i pranishëm në bisedë, mbani kontaktin me sy dhe dëgjoni vërtet, ato që thonë të tjerët. - Kim Kaupe
6. Nxitimi për fundin e “garës”
Ne jemi të gatshëm të besojmë gjënë e parë që dëgjojmë, pa marrë parasysh se çfarë vijon. Pra, kur jeni nën presionin ekstrem të kohës dhe rrethoheni nga njerëz të zgjuar, është e lehtë të kërceni në përfundimin e bisedës. Por udhëheqësit duhet të ndalojnë "kërcimin në fund" të një bisede dhe të jenë të pranishëm në këtë moment. Është e mahnitshme se sa shpejt lëvizin të gjithë, kur kjo ndodh. - Alexandra Skey
7. Të folurit si me shkrim
Komunikimi është një pjesë thelbësore e udhëheqjes, kështu që liderët shpesh kanë përgjigje të gatshme, që synojnë të sigurojnë një mesazh të shpejtë dhe të qëndrueshëm. Sidoqoftë, të mbash të njëjtin fjalim për një punonjës, siç do të bëje me një gazetar, është gabim. Njerëzit mund ta kuptojnë kur nuk jepni një përgjigje të menduar, dhe kjo mund t'ju bëjë të dukeni i pa sinqertë. Jini të sinqertë dhe të ndershëm sa herë të keni mundësi dhe njerëzit do t’ua kthejnë njësoj. - Ismael Wrixen
8. Të qenit i sjellshëm në vend se i sinqertë
Drejtuesit duhet të jenë të drejtpërdrejtë në bisedat e tyre. Kur udhëheqësit tregohen të mirsjellshëm dhe tolerantë, në vend të asaj që ata me të vërtetë duhet të thonë, këtu ata bëhen më pak efektivë. Të qenit i drejtpërdrejtë dhe i sinqertë është strategjia më efektive bashkëbiseduese për udhëheqësit. - Matthew Weinberg
9. Ndërprerja
Shumë shpesh, shikoj që njerëzit në pozicione drejtuese ndërpresin ose ndërhyjnë pa kujdes, përpara se folësi të përfundojë mendimin e tij. Por duhet të ketë një kohë kur anëtarët e ekipit inkurajohen të shprehin mendimet e tyre. Disa nga idetë më të mira zbulohen duke shkëmbyer eksperienca unike dhe njohuri individuale, por ju duhet ta lejoni personin që flet të përfundojë mendimin e tij, nëse doni të bëni një bisedë të vërtetë. - Jon Tsourakis
10. Të thënit "Unë" në vend të "Ne"
Të jeni udhëheqës ka të bëjë me përfaqësimin e ekipit tuaj. Për nga vetë natyra, ju duhet të flisni në emër të ekipit tuaj, jo për vete. Kjo do të tregojë se ju e vlerësoni ekipin tuaj dhe se është mendimi kolektiv i ekipit tuaj, sesa mendimi juaj personal. - Andy Karuza
11. Përdorimi i zhargonit
Zhargoni ka vendin e vet, por unë besoj fort se idetë mund të komunikohen thjesht, në mënyrë të saktë dhe elegante. Nuk është e nevojshme të shkruani fjalën tuaj me klishe, në mënyrë joelegante dhe/ose të pakuptimtë, që pengon të kuptuarit dhe komunikimin e qartë. Kjo nuk ndikon që të dukesh inteligjent; kjo ju bën të dukeni sikur fshihni një mungesë origjinaliteti dhe mirëkuptimi, prapa një fasade pseudo-inteligjente. - Vik Patel
12. Të pyesni anëtarët e ekipit nëse ata "kuptojnë"
Është e lehtë ta shndërroni një zakon të mirë në një të keq. Të pyesni anëtarët e ekipit nëse ata "kuptojnë", se çfarë jeni duke u përpjekur të komunikoni, mund të jetë efektive nëse komunikoni një ide të re, por jo nëse komunikohet diçka normale, pasi për detyrat e përditshme kjo mund të duket si begenisje, në rastin më të mirë dhe si mospërfillje, në rastin më të keq. - Nathan Hale
13. Të ankoheni
Një drejtues nuk duhet të ankohet. Ligji i tërheqjes funksionon gjithmonë dhe një ankesë negative mund t’ju tërheqë shpejt poshtë. Ankesat nuk zgjidhin problem - Bashkëpunimi PO. - Andy Eastes