Blog

Si të keni sukses si një drejtues i ri

Si të keni sukses si një drejtues i ri

Nuk është një gjë e re, që njerëzit duan të punojnë për drejtues, tek të cilët mund të besojnë vërtet dhe që mund t'i ndjekin. Gjithsecili ka mësuar dhe vazhdon të mësojë nga drejtuesit më të mirë, me të cilët ka punuar ose po punon, duke ndjekur sjelljet që ata shfaqin dhe duke përsëritur qasjet më të mira të të gjithë atyre. Por si mund të jeni të suksesshëm si drejtues, kur sapo keni filluar detyrën e re dhe ndoshta shumë gjëra ju duken të panjohura dhe ju jeni në "syrin e ciklonit"? Disa ide të shkëlqyera mund t'i gjeni në artikullin këtu, me autore Lolly Daskal - Eksperte e Udhëheqjes dhe Menaxhimit, e cila përcjell eksperiencën e saj nga trajnimi dhe mentorimi i drejtuesve ekzekutivë të organizatave botërore. Duke e ditur se nuk ekziston pothuajse asnjëherë një shans i dytë për drejtuesit e rinj, ju ftojmë të bëni më të mirën tuaj. Lexim të këndshëm!

* * * * *

Urime për pozicionin tuaj të ri drejtues! Jam i sigurt që keni punuar shumë dhe keni këmbëngulur gjatë rrugës për të arritur në këtë pikë.

Gjithçka që keni bërë deri tani në karrierën tuaj, ju ka sjellë në këtë pozicion. Por përvojat dhe aftësitë që ju dhanë këtë detyrë të re nuk do të jenë po ato, që do t’ju mundësojnë të keni sukses.

Në fakt, do t'ju duhet një grup i ri aftësish për të vazhduar të jeni i suksesshëm. Ju duhet të përshtasni tiparet dhe të zhvilloni aftësitë që e bëjnë një drejtues një udhëheqës të shkëlqyer. Nuk ka përshtatje të shpejta; duhet shumë punë dhe vullnet për të mos hequr dorë.

Për më shumë se tre dekada, unë kam trajnuar dhe udhëzuar disa nga drejtuesit më të lartë, në të gjitha industritë. Kam mësuar se vërtet, nuk ka ndonjë sekret për të pasur sukses - por është vetëm çështje e të mësuarit të zakoneve dhe aftësive që ju nevojiten.Këtu janë disa gjëra të fuqishme që mund të bëni. Përdoreni këtë si një plan dhe rishikojeni atë, çdo dy-tre javë, për t’u siguruar që drejtimi juaj po shkon drejt asaj ku duhet të jetë.

Krijoni me stil. Identifikoni stilin tuaj të drejtimit dhe qartësoni se çfarë dëshironi për të gjithë, çfarë është e rëndësishme për ju dhe çfarë nuk do të toleroni. Lejoni që të tjerët t'ju njohin - bëjeni këtë në mënyrë personale dhe frymëzuese.

Krijoni një model. Për të pasur efekt që në fillim, sigurohuni që e dini se çfarë do të bëni. Zhvilloni një vlerësim organizativ, pas marrjes së informacionit nga të gjitha burimet, pastaj krijoni një format mbi informacionin që merrni dhe bëni një plan.

Shmangni ekspozimin e pushtetit. Tani që keni fituar pozicionin tuaj si drejtues, është e lehtë të lejoni që pushteti të dalë mbi ju. Por mos e bëni. Në vend që ta lejoni egon tuaj të nxjerrë më të mirën prej jush, trajtojeni pozicionin tuaj të ri me respekt dhe punoni me përulësi, që të jeni në gjendje të përshtateni, të transformoni dhe të bëni atë që është e drejtë.

Kuptoni konceptin prapa kompanisë. Si një drejtues i ri, ju duhet të mësoni gjendjen aktuale të punëve, si janë organizuar gjërat. Merrni informacion mbi të gjitha aspektet e kompanisë, në mënyrë që të shihni se çfarë po funksionon dhe çfarë jo.

Komunikoni se kush jeni. Jepni informacion për kolegët dhe punonjësit tuaj mbi atë se kush jeni dhe çfarë synoni. Jepuni mundësi atyre që t'ju njohin, në mënyrë që të mund t'ju ndjekin. Ata që nuk e dinë se çfarë po kërkoni, do ta kenë të vështirë të ndjekin drejtimin tuaj.

Besojini ekipit tuaj të ri. Kur u bëtë drejtues, trashëguat një ekip, që ndoshta nuk keni pasur mundësinë të jepnit një dorë në zgjedhjen e tyre. Ata mund të mos jenë ekipi i ëndrrave që dëshironi, por mos u dekurajoni. Jepuni atyre një shans të rreshtohen me ju dhe të fillojnë të ndërtojnë besim.

Krijoni vizionin tuaj. Qartësoni vizionin tuaj dhe përdorni mjetet e larmishme të komunikimit, përfshirë email, mesazhe, konferenca video dhe takime ballë për ballë, për ta artikuluar atë në mënyrë efektive. Bëni të ditur njerëzve, se keni ide dhe aspirata të shkëlqyera dhe planifikoni t'i arrini ato.

Identifikoni përparësitë tuaja. Tregojuni të tjerëve se çfarë është më e rëndësishme për ju, duke identifikuar fushat me përparësi për të përmirësuar treguesit kryesorë. Krijoni një plan veprimi, duke përcaktuar objektivat afatshkurtra dhe afatgjata. Njoftojini njerëzit se jeni këtu për t'i bërë gjërat realitet.

Menaxhoni të gjithë palët e interesuara. Shumica e drejtuesve mendojnë se nuk kanë kohë për këtë, por kjo është shumë e rëndësishme - ju duhet t’i takoni të gjithë aktorët për të dëgjuar drejtpërdrejt prej tyre pritshmëritë dhe aspiratat e tyre. Takohuni me ta ose përdorni konferenca elektronike për t'u lidhur me ata që janë larg. Lidhja me palët e interesuara është po aq e rëndësishme sa çdo detyrë tjetër që ju do të bëni.

Dëgjoni më shumë sesa flisni. Flisni më pak, dëgjoni më shumë - merrni informacion mbi ndryshimet kryesore që duhet të ndodhin dhe më pas punoni për të përmirësuar efektivitetin e organizatës dhe treguesit kryesorë.

Komunikoni me sinqeritet. Në çdo komunikim - publik ose privat, me njerëz në çdo nivel të organizatës dhe jashtë saj - të jeni i hapur, transparent dhe i qartë.

Hartoni një strategji të re. Mos bëni gabim të ndiqni strategjinë e paraardhësit tuaj. Ajo mund (ose mund të mos) ketë funksionuar për ta, por ju jeni aty për të sjellë idetë tuaja.

Krijoni një formulë fituese. Krijoni një formulë fituese bazuar në vizionin tuaj dhe tregoni se si organizata mund të ketë sukses me planin tuaj. Kërkoni fitore të hershme që në fillim, në mënyrë që të rrisni vrullin.

Identifikoni rolet dhe përgjegjësitë. Sigurohuni që të gjithë janë në pozicionet e duhura dhe janë përshtatur shumë mirë me rolet dhe përgjegjësitë e tyre, për të shfrytëzuar pikat e forta të tyre. Ndonjëherë, punonjësit e mirë vendosen gabimisht në organizatë. Spostojini dhe vendosini si duhet.

Inkurajoni kreativitetin dhe inovacionin. Inkurajoni idetë novatore midis punonjësve dhe shpërblejini ata për përpjekjet e tyre.

Shkëmbeni informacione. Ju fitoni besueshmëri kur ju jepni rregullisht informacion për punonjësit tuaj. I drejtoni, trajnoni dhe frymëzoni ata, çdo ditë.

Jepuni një shans dhe largoni. Pasi t'u keni dhënë kohë të përshtaten dhe një shans për t'u rritur dhe zhvilluar, konsideroni të largoni ata që nuk janë në ritmin e ideve tuaja. Ndonjëherë një pjesë e të qenit i sigurt që keni njerëzit e duhur në “autobus” është të qenit i sigurt se njerëzit e gabuar kanë zbritur prej tij.

Gjithmonë i hapur për të mësuar. Çdo udhëheqës i madh e di se për të pasur një ndikim të vazhdueshëm dhe një trashëgimni të madhe, do t’ju nevojitet mësim i vazhdueshëm. Vetë-përmirësimi është një udhëtim i përjetshëm, dhe suksesi si drejtues dhe si individ kërkon mësim të vazhdueshëm. Trajtojeni edukimin tuaj si një proces, jo si një garë me një vijë finishi.

Mos harroni, gjithmonë është e lidhur me të tjerët. Nuk ka të bëjë me arritjet tuaja, qëllimet tuaja, ambiciet tuaja ose suksesin tuaj si drejtues. Gjithçka që keni bërë dhe fituar për veten tuaj, tani është objektivi juaj për ekipin tuaj. Bëhet fjalë për njohjen e përpjekjeve dhe kontributeve të tyre, shpërblimin e tyre për sjelljet pozitive dhe për t'i ndihmuar ata që të kenë sukses.

Mendoni për trashëgiminë tuaj. Pyete veten se si dëshiron të kujtohesh, në fund të kohës suaj me organizatën. Pastaj ktheju punës, duke u bazuar në vizionin tuaj të trashëgimisë tuaj, çdo ditë.

Drejtoni nga brenda: Udhëheqësi i ri është ai që i angazhon njerëzit në veprim, i cili i kthen pasuesit në udhëheqës dhe që mund t'i shndërrojë ata në faktor ndryshimi.