Blog

Vlera e vetë-analizës: vetë-përmirësimi

Vlera e vetë-analizës: vetë-përmirësimi

Duke lexuar këtë shkrim, të autorit Craig Impelman, lindi dyshimi nëse do të ishte një ide e mirë ta sillnim në shqip, për miqtë e ProspecTime dhe jo vetëm. Por vendosëm t’ju nxisim, pasi të gjithë mund dhe duhet të reflektojnë për të analizuar veten dhe për të ndërmarrë hapa përmirësimi. Ndoshta po përpiqeni të zgjidhni një karrierë, apo keni filluar të punoni diku dhe nuk jeni të qartë nëse vendimi që keni marrë është ai i duhuri. Dyshimet lindin, por ju mund të reagoni, së pari duke mësuar më shumë për veten tuaj, dhe më pas, të kërkoni për atë që mund të jetë e përshtatshme për ju, në bazë të asaj që keni mësuar, ose të përmirësoni veten tuaj. Këto janë dy hapa të thjeshtë për t’u thënë por që kërkojnë vullnet, guxim dhe vendosmëri për t’i zbatuar. Urojmë që ju t’i keni. Lexim të këndshëm!

* * * * *

Ekziston një vlerë në analizën e vetvetes: vetë-përmirësimi.

Lao Tzu, një filozof i lashtë kinez, ka thënë:

  • "Ai që fiton ndaj njerëzve të tjerë është i fortë; por ai që fiton ndaj vetvetes është i plotfuqishëm". 
  • "Ai që njeh të tjerët është i mençur. Ai që njeh vetveten është edhe i shkolluar”.

Dhe dedikimi i kohës “për veten dhe me veten”, për vetë-analizë, është e nevojshme.

Blaise Pascal, një filozof, shkencëtar dhe matematikan francez, përshkroi rëndësinë e kohës “për veten dhe me veten” në këtë mënyrë:

  • "Të gjitha shqetësimet fizike ose mendore të njeriut burojnë nga mosmarrja e mundimit që të ulet “për veten dhe me veten” në një dhomë".

Në botën e sotme me aktivitete të ngjeshura, mund të jetë e vështirë të gjesh kohë që t’ja dedikosh vetes, por çdo lloj dedikimi është më i mirë se asnjë. Nëse nuk mund të gjeni kohë në shtëpi ose në punë, provoni ta fikni radion kur jeni në trafik, për shembull.

Në librin e tij “My Best Best”, Traineri Wooden jep një shembull se si ai e përdori vetë-analizën për të përmirësuar qasjen e tij ndaj disiplinës me ekipet e tij të basketbollit:

Një mësues ose një trainer i mirë - thotë ai - duhet të kuptojë jo vetëm të tjerët, por edhe veten e tij.

Një nga gabimet dhe pendimet e mia më të mëdha si trajner, ndodhi në South Bend Central, sepse unë nuk e kisha kuptuar ende këtë gjë.

Unë kisha vendosur një rregull absolut, që ndalonte përdorimin e duhanit nga lojtarët e ekipit. Çdo lojtar që e shkeli këtë rregull u largua automatikisht nga ekipi ynë, pa asnjë shans të dytë, pa justifikime.

Por një nga lojtarët tanë më të mirë e theu rregullin. Ky lojtar i ri ishte në rrugën e tij për të fituar një bursë studimi dhe një arsim të mirë në kolegj, kur e kapa duke pirë duhan. Në mendjen time, një rregull ishte një rregull — unë e largova atë menjëherë, pa ndonjë pendim ose mendim të dytë.

Efekti mbi të riun ishte traumatik dhe shumë shpejt ky efekt u bë i dukshëm. Ai u largua nga kolegji pa u diplomuar, dhe kurrë nuk arriti të mbarojë kolegjin, duke e humbur shansin për një të ardhme më të mirë që në fakt, e meritonte.

Një qortim ose një pezullim i përkohshëm do ta kishte arritur atë që doja, por në ato kohë më mungonte pjekuria dhe përvoja, apo mençuria, për ta bërë këtë.

Nisur nga kjo, Trajneri bëri një vetë-analizë dhe arriti në përfundimin se në vend që të kishte shumë rregulla - me dënime të përcaktuara, ai duhet të kishte më pak rregulla dhe disa sugjerime për një shkelje, në mënyrë që të mund ta trajtonte secilën situatë në baza individuale.

Me këtë vetë-analizë të vlefshme, Trajneri u vetë-përmirësua.

Bertie Charles Forbes, i cili themeloi revistën Forbes, e planifikoi vetë-analizën e tij në këtë mënyrë:

"Unë kam vendosur...

  • Të ulem me veten time dhe të bëj një analizë të situatës dhe veprimeve të mia personale, një herë në muaj.
  • Të mos jem më i butë në analizën e gabimeve të mia sesa do të isha nëse ato janë gabimet e të tjerëve.
  • Për t'u ballafaquar me faktet me çiltërsi dhe guxim.
  • Për t'u sjellë me kujdes e devotshmëri, për të korrigjuar defektet".

"Dhe unë mendoj se ky është një vendim i shkëlqyer për përmirësim!"