3 Mënyra sjellje me paratë, që dallojnë të pasurit nga të varfërit
Një nga shqetësimet më të mëdha për shumicën e njerëzve, në këtë periudhë të pazakontë mbyllje, është pasiguria financiare. Prej rreth 10 javësh bizneset u mbyllën, aktiviteti normal është ndërprerë, vazhdimi i punës është vështirësuar, kufizimet kohore vazhdojnë, por faturat vijnë të përpikta, si gjithmonë. Ky është një nga momentet e jashtzakonshme, ku vlerësohet shumë liria financiare. Të gjithë duan ta kenë, por pak punojnë për ta arritur. Por e vërteta është, se çdokush mund ta arrijë. Për ju që doni të ndërmerrni veprime drejt lirisë financiare, po ju sjellim më poshtë një nga idetë e Jim Rohn. Pavarësisht se në çfarë problemesh financiare jeni sot, gjithmonë ka një mënyrë për të dalë mbi to e për të ecur përpara. Suksese! Lexim të këndshëm & Tregoni kujdes!
* * * * *
Ky është një mendim emocionues! Përse mos të punoni, me kohë të plotë për punën tuaj, dhe, me kohë të pjesshme për pasurinë tuaj? Çfarë ndjenje do t’ju krijohet nëse do të mund të pohonit me ndershmëri e sinqeritet: - "Unë jam duke punuar për t'u bërë i pasur. Unë nuk jam duke punuar vetëm për të paguar faturat e mia”. Kur ju të keni krijuar një plan pasurimi, atëhere do të jeni të motivuar të shkoni në shtrat të entusiazmuar.
Kështu që, nëse doni të përfitoni, po ndaj me ju një formulë të thjeshtë se si të mund të krijoni një pasuri. Më poshtë po jap mendimin tim se si duhet të ndahen paratë.
Rregulli bazë: 70% me 30%
Pasi të paguani pjesën tuaj të detyrimeve mujore, mësoni të jetoni me 70% të të ardhurave tuaja. Këtu përfshihen nevojat dhe lukset, për të cilat ju shpenzoni pará. Dhe tani, është e rëndësishme të shikoni se si do t’i ndani 30% të parave të mbetura. Le të shohim 3 mënyrat e trajtuara më poshtë:
1. Për bamirësi
Nga 30% që nuk janë shpenzuar, 1/3 duhet të shkojë për bamirësi. Bamirësia është akti për t'i kthyer diçka komunitetit dhe për të ndihmuar ata që kanë më shumë nevojë. Unë besoj se të kontribuosh me 10% të të ardhurave të tua është një shumë që ja vlen. Akti i dhënies duhet të mësohet herët, kur shumat janë të vogla. Është shumë e thjeshtë të heqësh një monedhë 10 cent nga një dollar. Por është më e vështirë të dhurosh 100,000 dollarë nga 1 milion dollarë. Ju mund thoni: - "Eh, sikur të kisha 1 milion dollarë, nuk do të kisha asnjë problem që të jepja 100,000 dollarë". Por, nuk jam aq i sigurt se do e bëni, pasi 100,000 dollarë janë shumë pará. Filloni herët, që ta zhvilloni zakonin e dhurimit, përpara se të vijnë paratë e shumta.
2. Për investim në kapital
Me 10% tjetër të të ardhurave tuaja, ju duhet të ndërtoni një mënyrë kursimi. Këto janë pará që do t’i përdorni për të blerë, rregulluar, prodhuar ose shitur. Çelësi është që të angazhoheni në tregti, edhe nëse kjo do të jetë një gjë me kohë të pjesshme. Por, si të veproni për të krijuar pasuri? Ka shumë mënyra…
Çlironi imagjinatën tuaj. Shikoni me kujdes ato aftësi që i keni zhvilluar gjatë punës ose për qejfin tuaj. Ju mund të jeni në gjendje t'i ktheni këto aftësi në një sipërmarrje fitimprurëse.
Përveç kësaj, ju gjithashtu mund të mësoni të blini një produkt me shumicë dhe ta shisni atë me pakicë. Ose mund të blini një pjesë të pasurisë dhe ta përmirësoni atë. Përdoreni këtë 10% për të blerë pajisjet, produktet ose kapitalin tuaj për të filluar. Asnjëherë nuk mund ta dini se çfarë gjeniu është brenda jush, derisa të zgjohet nga shkëndijat e mundësive.
3. Për kursime
Dhe tani, 10% të fundit duhet të futen në kursime. Unë e konsideroj këtë si një nga pjesët më interesante të planit tuaj të pasurimit, sepse kjo mund t'ju ofrojë qetësi mendore duke ju përgatitur për "stuhitë" e jetës. Më lejoni t'ju jap përkufizimin e "të pasurve" dhe "të varfërve": Njerëzit e varfër fillimisht shpenzojnë nga paratë e tyre dhe kursejnë ato që ju mbeten. Njerëzit e pasur fillimisht kursejnë nga paratë e tyre dhe shpenzojnë çfarë ju mbetet.
Njëzet vjet më parë, ishin dy njerëz, dhe secili prej tyre fitonte 1.000 dollarë në muaj, si dhe secili prej tyre fitonte të njëjtat rritje page, me kalimin e viteve. Njëri kishte filozofinë e shpenzimit të parave dhe kursimit të asaj që i mbetej, kurse tjetri kishte filozofinë e kursimit të parasë dhe të shpenzimit të asaj që i mbetej. Sot, nëse do kishit pasur mundësinë t’i njihnit të dy, do t’i etiketonit: të parin të varfër dhe tjetrin të pasur.
Pra mbani parasysh, se dhënia, investimi dhe kursimi, si çdo formë disipline, kanë një efekt delikat. Në fund të ditës, javës apo muajit, është e vështirë të vëreni rezultatet. Por kur të kenë kaluar pesë vjet atëherë ndryshimet bëhen të dukshme. Në fund të 10 viteve, ndryshimet janë dramatike. Dhe gjithçka fillon me të njejtën sasi parash - thjesht është një filozofi ndryshe.