Komunikimi i duhur mund të shpëtojë biznesin tuaj gjatë karantinës
Në këto ditë pasigurie, pothuajse gjithkush është duke menduar për pasojat e mundshme që do të ndikojnë në vazhdimin e jetës dhe biznesit. Dikush planifikon strategji alternative biznesi, dikush përpiqet të kuptojë se cilat do të jenë ndryshimet, në mënyrë që të përgatisë kompaninë dhe ekipin, për të qenë gati. Sido që të shkojnë gjërat angazhimi dhe ruajtja e motivimit të ekipit është e rëndësishme, e po kështu edhe marrëdhënia me klientët e partnerët. Komunikimi i duhur është thelbësor, sepse çdo gjë duhet të jetë gati, për të zbatuar atë që është planifikuar. Për të zhvilluar një komunikim efektiv në këtë situatë, po ju sjellim disa ide nga Danielle Sabrina, autorja e artikullit të sotëm. Sepse shpesh, një mesazh sado me qëllime të mira, por që del gabimisht, mund të dëmtojë organizatën. Lexim të këndshëm & Qëndroni në shtëpi!
* * * * *
Bizneset po goditen shumë ndërsa kombi përpiqet të luftojë kundër COVID-19. Të ardhurat janë ndalur për shumë biznese, pasi ata kanë mbyllur dyert e tyre. Ndërsa për bizneset që janë në gjendje të vazhdojnë të operojnë, qoftë edhe në distancë, po humbasin klientë ose pajtimtarë majtas dhe djathtas, kontratat po ndërpriten dhe shërbimet janë anuluar pa njoftim.
Emocionet e të gjithëve janë duke u rritur dhe natyrisht do të ketë shumë nevojë për përgjigje të drejtëpërdrejta për gjërat që ndodhin rreth nesh. Sidoqoftë, duhet të merrni me kujdes parasysh, pasojat e atyre që thoni ose nuk thoni. Emocionet e përcjella lidhen drejtpërdrejt me memorizimin në kujtesën afatgjatë, kështu që gjithçka që themi ose bëjmë do të gdhendet në mendjen e atyre me të cilët bëjmë biznes.
Ne duhet të gjejmë kohë, për të krijuar një plan mbi atë që duhet të komunikojmë dhe se si do ta komunikojmë, me njerëzit brenda dhe jashtë nesh. Ndërkohë, redaktori i “Entrepreneur” Jason Feifer kohët e fundit shkroi një fjali inkurajuese, "Coronavirus do të na bëjë të gjithëve më të fortë".
Konsistenca, shpeshtësia dhe saktësia do të jenë objektivat kryesore për t'u mbajtur mend. Të shfaqeni i paqartë ose me një komunikim jo të mirë, kjo vetëm do të shtojë ndjenjat e pasigurisë, që marrësi tashmë mund të jetë duke i përjetuar. Konsideroni këto praktika të mira komunikimi për markën tuaj gjatë kësaj kohe të vështirë, dhe shpresojmë se ato do t'ju ndihmojnë të qëndroni mbi ujë, e kështu të vazhdoni t'i mbani parasysh edhe në të ardhmen.
Komunikoni në kohë reale
Komunikimi i menjëhershëm është thelbësor, pasi lajmet shkaktojnë edhe konfuzion. Tregoni vëmendje ndaj njoftimeve të fundit, e që ndikojnë drejtpërdrejt në biznesin tuaj dhe qasjen e konsumatorëve tuaj, në të. Komunikimi me audiencën tuaj duhet të jetë i menjëhershëm, nëse ndonjë njoftim bllokon aftësinë tuaj për të bërë biznes, kështu që tregohuni proaktiv me mesazhe të përgatitura.
Komunikimi duhet të jetë i parapërgatitur dhe i gatshëm për t’u bërë menjëherë. Është shumë më e lehtë të bëni ndonjë redaktim, sesa të përpiqeni të përgatisni një email të tërë, për gjendjen aktuale ku ndodheni. Dedikoni pak kohë, për të organizuar informacionin e duhur, për të krijuar mesazhe dhe udhëzime komunikimi, për ekipin tuaj.
Shmangni deklaratat e paqarta
Gjithmonë paraqiteni qartë çdo situatë të vështirë, sado e vështirë që mund të jetë, edhe nëse nuk keni ndonjë përgjigje konkrete. Transparenca është thelbësore këtu, kështu që shmangni deklaratat e paqarta si "Ne po punojmë me përkushtim për të gjetur një zgjidhje". Shpjegoni hapat specifikë që po ndërmerr ekipi juaj dhe çfarë përgatitjesh po bëhen.
Krijoni struktura dhe procedura
Organizoni kontakte, orare komunikimi, plane emergjente dhe përgatisni mesazhe sa më të qarta. Filloni duke krijuar një listë të të gjithë palëve të interesuara, me të cilat duhet të komunikoni gjatë kësaj kohe. Pastaj segmentoni palët e interesuara në lista të veçanta, si klientët, partnerët, punonjësit, konsumatorët, shitësit, organizatat tregtare, furnizuesit, etj. Pastaj përdorni mjete të thjeshta komunikimi për të thjeshtuar dhe organizuar përpjekjet tuaja (p.sh. platforma online, videokonferenca, skype, etj).
Dokumentoni procedurat dhe udhëzimet tuaja të komunikimit, duke përshkruar qartë kush, çfarë, ku dhe si. Kjo duhet të jetë e disponueshme gjerësisht në organizatën tuaj. Duhet të jetë e qartë për të gjithë stafin se çfarë saktësisht, duhet dhe nuk duhet të komunikohet jashtë, si dhe mënyrën se si ata duhet t'i përgjigjen pyetjeve ose shqetësimeve që mund të paraqesin. Përgatisni pyetje të mirë menduara, për të ndihmuar ekipin tuaj të përballë me kujdes edhe pyetje të vështira.
Së fundmi, kërkoni udhëzime nga një ekspert i menaxhimit të komunikimit ose ndryshimit, qoftë edhe thjesht për një provë të shpejtë, dhe më pas vendosni për një orar komunikimi dhe përmbahuni të gjithë asaj që keni përgatitur.
Lehtësoni sfidat
Nuk ka dyshim, që në fillim do të mendoni për pasigurinë ekonomike dhe është e natyrshme t’ju shkojë mendja të shkurtoni vende pune, kudo ku keni mundësi. Sidoqoftë, ekziston një ndryshim midis fillimit të përgjegjësisë fiskale dhe shpenzimeve të shkurtimit të parakohshëm, veçanërisht duke prerë lidhjet me kontraktorët dhe ofruesit e shërbimeve. Këta njerëz janë “klani” juaj, dhe për të mbijetuar nga kjo lloj krize, do t'ju duhet një klan, i cili është i gatshëm të marrë përsipër betejën, me ju.
Para se të vendosni të ndaloni ose anuloni shërbimet, bëni një bisedë të hapur dhe të ndershme me partnerët tuaj, se si të zbusni së bashku sfidat aktuale. Kjo gjë do të përcjellë tek ata mesazhin, që ju i vlerësoni marrëdhëniet dhe që dëshironi të bëni gjithçka që mundeni, për ta kaluar së bashku këtë kohë të vështirë. Asnjëherë nuk i dini burimet që ata mund të kenë ose që mund të posedojnë, për të ndihmuar dhe për të mbajtur biznesin tuaj në këtë “det të trazuar”.
Qëndroni i fokusuar në zgjidhjet pozitive
Ndryshoni fokusin nga ato gjëra që nuk mund t’i bëni, tek ato që mund t’i bëni. Nxisni një praktikë të shëndetshme mendore për të ushtruar trurin tuaj, që menjëherë të mendojë për mundësitë krahasuar me skenarët e rastet më të këqija. Mendimet e panikut si: "Unë nuk e di se si do të jemi në gjendje të qëndrojmë në biznes", nuk do t’ju ndihmojnë të menduarit strategjik dhe krijues, që është i nevojshëm në këto momente.
Filloni duke renditur të gjitha mënyrat se si mund të jepni vlerë ose ndihmë, duke pasur parasysh aftësitë dhe ekspertizën tuaj aktuale. A ka shërbime ose zgjidhje shtesë që mund të ofroni? Shikoni për marrëdhënie ose bashkëpunëtorë strategjikë, që ju lejojnë të përzgjidhni që të shisni produkte ose shërbime plotësuese. Duke kaluar këtu, kjo jo vetëm që ju ndihmojë të identifikoni mundësi shtesë të të ardhurave, por gjithashtu ju ndihmon të mbani energjinë tuaj të përqendruar në zgjidhje pozitive dhe të të menduarit përpara, kur kohët bëhen të vështira.
Jini të ndjeshëm dhe origjinalë në marketingun tuaj
Kohët e fundit mora një email nga një tregtar shumë i njohur, produktet e të cilit i kam blerë dhe përfituar prej vitesh. Ai sapo kishte dhënë qasje falas në programet e tij dixhitale, për pjesën e mbetur të muajit, dhe më shkruante, "e pabesueshme... 21.601?!?!" Me sa duket, ai nuk e kishte idenë se kërkesa do të ishte aq e lartë.
Unë menjëherë u largova nga lista e tij. Nuk jam në humor.
Ofrimi i kurseve ose shërbimeve tuaja falas, mund të jetë diçka bujare. Por sidoqoftë, kujtoni pak situatën në jetën reale, çfarë po ndodh atje. Mendoni për të gjitha baret, restorantet, sallonet e flokëve, ndërtimin dhe bizneset e tjera, që duhet të mbyllin dyert e tyre, në mënyrë që të na ndihmojnë për një të mirë më të madhe.
Investoni në strategjinë e nivelit të lartë
Unë mendoj se është e rëndësishme që ne të përqëndrohemi tek mundësitë dhe të bëjmë përpjekje krijuese, që do të na ndihmojë t’ja dalim, më të fortë se kurrë. Inkurajoni dialogun pozitiv dhe tregohuni të hapur për sugjerime krijuese nga ekipi juaj, për mënyrat se si biznesi juaj mund të përshtatet, me këto që po ndodhin. Mendojeni këtë kohë si një mundësi për t'ja kushtuar biznesit, një kohë që kurrë më parë nuk e keni menduar se do ta gjenim.
Përshtatshmëria, komunikimi, shërbimi dhe transparenca janë fusha të rëndësishme, dhe pronarët e biznesit duhet t’i zotërojnë, tani. Le të vendosim në veprim gjërat që ne gjithmonë themi se duam të bëjmë, por kurrë nuk gjejmë kohën për t’i planifikuar plotësisht.