7 këshilla për trajtimin e ankthit tuaj ndaj koronavirusit
Tashmë prej tre javësh, po jetojmë kohët më të vështira e më të pazakonta, përtej asaj që dikush mund të ketë menduar ndonjëherë, jashtë filmave triller. Kjo periudhë po jep efekte në mënyrën e të menduarit. Shumica e njerëzve ndjehen si të paralizuar e sikur nuk mund të bëjnë asgjë. Situata po ndikon në rritjen e pasigurisë, e shfaqur kjo me rritjen e stresit dhe ankthit. Duke ju këshilluar të kujdeseni për veten, po ju sjellim artikullin e sapo publikuar nga Elizabeth Lombardo Ph.D., ku mund të merrni disa këshilla për çfarë mund të bëni në këto kohëra të vështira, e për të qenë të përgatitur për rimëkëmbjen e shumëpritur. Lexim të këndshëm & Qëndroni në shtëpi!
* * * * *
Po ndiheni në ankth? Të stresuar për ngjarjet aktuale? Unë dua t'ju ndihmoj që të bëni diçka për të kontrolluar frikën tuaj, sepse të pushtoheni nga ankthi për koronavirusin nuk do t'ju ndihmojë.
Stresi, në doza të vogla, mund të forcojë sistemin tuaj imunitar. Por kur stresi zgjat, si kjo që bota jonë po përballet aktualisht, forcimi i sistemit imunitar ngadalësohet dhe përfundimisht shkon në drejtimin e kundërt. Ashtu si edhe ju, sistemi juaj imunitar rraskapitet dhe nuk mund të funksionojë në mënyrë optimale, kur është i ekspozuar ndaj stresit afatgjatë. Dhe, duke pasur parasysh se sistemi imunitar është përgjegjës për të luftuar patogjenët dhe për të mbajtur trupin tuaj të shëndetshëm, një sistem imunitar i dobësuar mund ta bëjë trupin më të ndjeshëm ndaj sëmundjeve.
Ky është lajmi i keq.
Lajm i mirë (edhe pse nuk është dhe aq lajm i mirë), është se pavarësisht nga çfarë po ndodh në botë, ju mund të kontrolloni stresin dhe ankthin tuaj. Kjo mund të mos jetë një gjë e lehtë ose që fitohet automatikisht, por është e mundur.
Shumica e stresit dhe ankthit që ne përjetojmë, nuk shkaktohen nga faktorët e jashtëm, por përkundrazi, nga interpretimi ynë i faktorëve të jashtëm. Bota nuk e ka mbaruar letrën higjienike, në kohën e shkrimit të këtij artikulli, për shembull, dhe megjithatë njerëzit janë në panik se raftet janë bosh. Dhe, përkundër statistikave aktuale, për koronavirusin, ankthi për shfaqjen e një rasti të rëndë është i shfrenuar.
Me këtë NUK po them se ne duhet të vazhdojmë jetën tonë ashtu si dikur. Gjërat po ndryshojnë me shpejtësi, dhe ne duhet të përshtatemi. Është jashtëzakonisht e rëndësishme të qëndroni të sigurt dhe të ndiqni udhëzimet shëndetësore për të mbrojtur veten dhe të tjerët.
Sidoqoftë, të qenit i tronditur nga ankthi, mund të ndikojë jo vetëm në shëndetin tuaj, por edhe aftësinë tuaj për të funksionuar. Një tru në ankth, për shembull, ul aftësinë për t'u përqëndruar, fokusuar, zgjidhur problemet dhe për të qenë elastik, gjë që mund t’ju sjellë probleme të tjera, në jetën personale dhe profesionale.
Atëherë, çfarë mund të bëni? Këtu janë shtatë këshilla, që do t'ju ndihmojnë të përballoni në mënyrë optimale ankthin e koronavirusit:
1. Jini proaktivë në uljen e niveleve të stresit.
Stresi rrit ankthin. Le ta vlerësojmë nivelin e stresit nga 0 (i pastresuar) deri në 10 (jashtëzakonisht i stresuar). Ky është një vlerësim subjektiv, por për mua, çdo vlerësim mbi 7, hyn tek "Zona e Kuqe". Dhe kur jemi në “Zonën e Kuqe”, ne priremi të mendojmë në mënyrat më negative. Kjo përjetëson ankthin, i cili rrit mendimet negative dhe kështu hyjmë në një spirale në rënie.
Çelësi nuk është të prisni derisa të jeni në “Zonën e Kuqe”, por përkundrazi të trajtoni stresin tuaj përpara se të arrini atje. Nivelet më të larta të stresit, në njerëz të ndryshëm shfaqen në mënyra unike. Ndoshta dikush ndjen se po i fillon një dhimbje koke, dikush fillon të shtrëngojë dhëmbët dhe dikush tjetër tund këmbën lart e poshtë, në mënyrë ritmike e të shpejtë.
Sido që të jetë, bëhuni të vetëdijshëm për mëyrën tuaj të "shfaqjes" së stresit. Pastaj, sa herë që vëreni se niveli juaj i stresit po rritet, bëni diçka të shëndetshme dhe të dobishme për ta ulur atë. Ngrihuni nga shtrati, bëni një shëtitje në oborr ose ballkon, vendosni një melodi të preferuar dhe vallëzoni, shikoni një video humori që t'ju bëjë të qeshni - çdo gjë që ju bën të ndjeheni më të lehtë.
2. Mos harroni, ju nuk jeni të pafuqishëm.
A ju është dashur ndonjëherë të prisni dikë për të riparuar diçka në shtëpi? Ai mund t’ju ketë thënë se do të vijë para mesditës, por nuk keni pasur asnjë njoftim prej tij, edhe pse ora po shkon 14:00? E pra, kjo ju bën të ndjeheni të stresuar, apo jo?
Kjo është një lloj i Pafuqisë së mësuar, një term psikologjie, që në thelb përkthehet: "Unë s’kam mundësi të bëj diçka dhe kjo është e tmerrshme". Pafuqia e mësuar mund të shkaktojë ankth dhe madje të çojë në depresion.
Mund të ndjeheni se jeni në këtë situatë, gjatë kësaj kohe që po jetojmë. E megjithatë, është thelbësore të mbani parasysh se gjithmonë ekzistojnë dy strategji për të trajtuar një problem. Njëra është e përqendruar tek problemi, ku ju ndryshoni natyrën problematike të asaj që po ndodh. Edhe pse personalisht nuk jeni në gjendje të kuroni COVID-19, ju mund të bëni pjesën tuaj, duke zbatuar distancimin shoqëror dhe larjen e duarve.
Tjetra, është një strategji e quajtur përballja e përqendruar në emocione. Kjo nënkupton ndryshimin e reagimit tuaj emocional ndaj ngjarjes. Kështu ju qëndroni jashtë Zonës së Kuqe, duke u përqëndruar në mënyra për të ndihmuar të tjerët, duke praktikuar mirënjohje etj., e të gjitha këto janë mënyra për t’u ndjerë më mirë emocionalisht. Ndërsa nuk mund të ndryshoni gjithçka që po ndodh, ju mund të ndryshoni reagimin tuaj ndaj saj. Dhe kjo mund të ndihmojë në uljen e ankthit tuaj.
3. Veproni në mënyrë logjike dhe jo emocionale.
Shqetësimi mund të përforcojë ankthin. Mendimi "po sikur" të ndodhë diçka e keqe, si: "Po sikur të mbarojë letra higjienike?" ose, "Po sikur kjo të zgjasë për shumë muaj?" mund të përforcojë dhe të shtojë ankthin. Kur mendojmë me terma "po sikur", ne priremi të reagojmë emocionalisht, sikur ajo që kemi frikë se mund të ndodhë është e pashmangshme.
E barazoj këtë me veshjen e palltos së dimrit gjatë verës. Imagjinoni që është verë dhe jashtë është 40 gradë. Imagjinoni të shikoni dikë, me një pallto të gjatë dimri, me shall dhe kapelë. A nuk do të mendonit se ai person ka diçka të çuditshme? Ndoshta. Po sikur t’ju thonë se ai person po përgatitet për dimrin, i cili do ende katër muaj të vijë? Përsëri kjo s’ka kuptim, apo jo? Të djersisësh për katër muaj derisa të vijë i ftohti, është një siklet i panevojshëm. Kjo është pak a shumë ajo që ne bëjmë, kur vuajmë nga sindroma “po sikur”. Ne reagojmë emocionalisht sikur ajo po ndodh, edhe pse nuk është ashtu.
Megjithatë, është e rëndësishme të merrni parasysh skenarët e rasteve më të këqija dhe të ndërmerren hapa për të parandaluar ato ose për të krijuar sisteme, që mund të zbatohen nëse ato ndodhin.
4. Ndryshoni "po sikur"-in tuaj nga negativ në pozitiv.
Provoni t’i parashtroni ndryshe pyetjet ndaj vetvetes. Ju mund të ndryshoni "po sikur" nga mendimi katastrofik në një perspektivë më interesante, thjesht me një përmbysje të skenarit. Për shembull: "Po sikur kjo që po ndodh të sjellë diçka pozitive?" ose, "Po sikur të forcohen marrëdhëniet në familjen time, gjatë karantinës?" Këto janë pyetje, përgjigjet e të cilave, ju i dëshironi që të jenë të vërteta.
5. Mos e ndiqni panikun!
Mos i ndiq personat negativë në mediat sociale. Mos i ndiqni lajmet. Qëndroni larg prej faqeve të internetit që ju bëjnë të ndiheni të shqetësuar. Largoni tekstet toksike. Shtypni "fshi", për komentet ose "miqtë" që ju ulin poshtë. Ju lejohet t’i jepni përparësi shëndetin tuaj mendor!
6. Bëni dallimin midis mundësisë dhe propabilitetit.
Ekziston një ndryshim midis mundësisë dhe propabilitetit, por përhapja e informacionit dhe dezinformacionit mund ta ndryshojnë atë. Ndërsa statistikat ndryshojnë nga ora në orë, nuk ka të ngjarë që ju të merrni virusin dhe t'ju zhvillohen komplikime serioze. Po, vazhdoni të merrni masa paraprake, për të ndaluar mundësinë e gjetjes ose përhapjes së virusit (qëndroni në shtëpi, veçanërisht nëse jeni i sëmurë; lani duart; mbuloni gojën kur kolliteni; pastroni shpesh sipërfaqet që prekni çdo ditë). Thjesht, mos e ngatërroni propabilitetin për t'u sëmurur, me mundësinë që do të ndodhë.
7. Përfitoni nga kjo kohë.
Sa herë keni menduar: Dëshiroja të kisha më shumë kohë, për të kaluar me familjen time, për t’u stërvitur, për të medituar, për të pastruar…? E dini çfarë? Dëshira juaj është plotësuar! Mundohuni ta përqafoni këtë ndryshim të ritmit dhe të bëni ato gjëra që keni dashur t’i bëni. Kur të bëni disa nga gjërat që nuk keni pasur mundësi më përpara, apo keni pushuar ose shijuar ca kohë duke u përqendruar tek vetja, kjo do t'ju ndihmojë të zvogëloni ankthin tuaj.
Ndërkohë që nuk mund të kontrolloni gjithçka që po ndodh në botë, ju mund të merrni nën kontroll ankthin tuaj. Zbatoni këto këshilla për të zvogëluar shqetësimet tuaja, në mënyrë që të ndiheni dhe të funksiononi më mirë.
Dhe mbani mend, jeta ka ulje-ngritjet e saj. Kështu është jeta. Kur jeni në një “ulje” dhe ndiheni të shqetësuar për të, mbani në mend se gjërat do të përmirësohen. Kjo është një kohë e vështirë. Jepini vetes mirësi, kujdesuni për shëndetin tuaj mendor dhe përfytyroni se do të vijë një "ngritje".