Blog

Vetë-imazhi përcakton më shumë sesa shitjet

Vetë-imazhi përcakton më shumë sesa shitjet

Nëse keni pasur mundësi të zhvilloni intervista punësimi, besoj keni vënë re se disa prej kandidatëve nuk e dinë vërtet se çfarë duan apo çfarë mund të bëjnë. I tillë ishte dhe rasti i një kandidati, i cili ju përgjigj njoftimit për punësim në shitje, e përgjatë intervistës fliste për dëshirën e tij, që të punonte në një pozicion tjetër, megjithëse nuk kishte asnjë nivel edukimi apo eksperience në atë fushë. Natyrisht që i uruam sukses, duke e inkurajuar të mos heqë dorë nga ëndrra e tij. Shumë libra dhe studime shpjegojnë se individët që presin të kenë sukses në një drejtim të caktuar, ka shumë mundësi ta arrijnë atë. Por njerëzit kurrë nuk janë në gjendje të tejkalojnë imazhin e tyre. Kështu edhe Jeffrey Gitomer – Mbreti i Shitjeve, na shpjegon në artikullin këtu, se vetë-imazhi është përcaktues për sukses, edhe në shitje. Nëse imagjinoni suksesin dhe punoni fort për të, suksesi do të vijë. Lexim të këndshëm!

* * * * *

Si e përshkruani veten?

Pyetje mjaft e fuqishme kur mendoni rreth saj. Disa prej jush janë duke menduar - i pashëm, apo, - e bukur, disa – mbipeshë, ose - mesatar, disa - i suksesshëm, apo - duke u përpjekur. Disa përshkrime janë të lumtura e disa nuk janë të tilla.

Më tregoni pak për përshkrimin. A ishte i lidhur me pamjen fizike (e gjatë, e bukur) apo me gjëndjen mendore (i/e sigurt në vetvete, me besim)? A ishte një pamje pozitive (qëndrim i shkëlqyer, i suksesshëm) apo një pamje negative (duke dështuar, në borxhe)? A e keni përshkruar veten "si jeni tani" apo "ashtu si dëshironi të jeni"?

Ajo që më është dukur interesante në përshkrimin e vetes, është se shumica e njerëzve nuk duan ta shikojnë veten. Nuk u pëlqejnë ato që shohin, ose nuk u pëlqen vetvetja. Por gjithmonë është një pasqyrë gjithnjë e pranishme dhe e pashmangshme, ajo e banjës.

Supozoni se ju thashë që, sa më i gjallë të jetë përshkrimi juaj, aq më shumë pranuese do të jetë nga vetja juaj, dhe, aq më shumë mund të shikoni që e nesërmja do të jetë një rrugë më e shpejtë drejt suksesit. A do të bëni një përpjekje ta shikoni?

E VËRTETA E PARË: Përshkrimi apo fotografia që i keni bërë vetes, e kombinuar me vetëbesimin që i dedikoni asaj, është ajo që ka të ngjarë të bëheni.

Nëse shikoni (lexoni) disa nga librat e shkruar mbi temën e vetë-imazhit dhe vizualizimit, do të habiteni kur të zbuloni se të gjithë kanë një temë të përbashkët:

Mënyra më e lehtë për të arritur atje ku dëshironi të shkoni është ta përshkruani (imagjinoni) paraprakisht veten.

Libri revolucionar, Psycho-Cybernetics, nga Dr Maxwell Maltz është shembulli klasik i asaj, kur bëhet fjalë për imagjinimin e vetes. E lexova këtë libër në fillim të viteve 1970 dhe shpesh i lexoja disa faqe, si pjesë e angazhimit tim për të mësuar gjatë gjithë jetës.

Maltz thotë: “Ne reagojmë ndaj imazhit që kemi për vetveten, në trurin tonë. Ndryshojeni për mirë atë imazh dhe jeta juaj përmirësohet. Vetë-imazhi ndryshohet për mirë apo për keq, jo vetëm me intelekt, jo vetëm nga njohuritë intelektuale, por edhe duke provuar”.

Kjo vlen për çdo aspekt të jetës tuaj.

Nëse dëshironi sukses…

Nëse doni pasuri…

Nëse doni një shtëpi të re…

Nëse doni të bëheni mjek…

Nëse doni të fitoni lojën…

Nëse doni të ngjiteni në mal…

Nëse doni të bëni një maratonë…

Nëse ti dëshiron të bëhesh baba ose mama e shkëlqyer…

Nëse dëshiron ta bësh atë shitjen e madhe…

Së pari, imagjinojeni veten duke e bërë atë, ose, që e keni arritur atë.

E VËRTETA E DYTË: Ju jeni në kontroll të plotë të asaj që besoni apo imagjinoni në kokën tuaj.

Jo vetëm që jeni në kontroll të plotë të mendjes tuaj, por ju gjithashtu mund të ndryshoni (kontrolloni) mjedisin tuaj për të përmirësuar atë kontroll. Aty ku jeni mund të ndikoni në mënyrën si mendoni.

KËTU KUJDES: Nëse nuk ju pëlqen puna ose shefi juaj, do të jetë jashtëzakonisht e vështirë për ju, që të keni një pamje mendore pozitive të nevojshme për arritje. Ju duhet ta doni atë që bëni (ose të paktën t’ju pëlqejë shumë). Si mund ta imagjinoni suksesin në një vend që nuk ju pëlqen, ose të keni një punë që nuk ju pëlqen, ose të punoni për dikë që nuk ju pëlqen? Përgjigje: Nuk mundni!

E VËRTETA E TRETË: Nëse ndryshoni vetë-imazhin në mendjen tuaj, do të filloni të arrini një imazh mendor dhe të jetoni mendimet tuaja.

Në librin e saj, Creative Visualization, Shakti Gawain thotë: "Imagjinata është aftësia për të krijuar një ide, një pamje mendore ose një ndjenjë të diçkaje. Në vizualizimin krijues ju përdorni imagjinatën tuaj për të krijuar një imazh, ide ose ndjenjë të qartë të diçkaje që dëshironi të arrini. Pastaj, vazhdoni të përqendroheni rregullisht mbi idenë, ndjenjën ose figurën, duke i dhënë asaj energji pozitive derisa të bëhet realitet objektiv... me fjalë të tjera, derisa të arrini realisht atë që keni imagjinuar".

Këto dy libra, Creative Visualization dhe Psycho-Cybernetics , janë libra që mund të doni t’i shtoni në bibliotekën tuaj, ndërsa kërkoni të përmirësoni imazhin për veten tuaj, të ndërtoni vetëbesime më të forta, të eliminoni vetë-kufizimet dhe të bllokoni mendimet vetë-penguese. Ky është vetëm një mendim.

"Jeffrey", do të pyeste dikush nga ju, "po a mund t'i bëj të gjitha këto vetëm duke lexuar?" Patjetër që jo! Kjo nuk ka të bëjë thjesht me të menduarit ose vizualizimin. Kjo është fillimi. Duhet të ndërmarrësh veprime për ta bërë atë që të ndodhë.

Vetë-besimi, pasioni dhe përkushtimi, çojnë në veprim – veprim për realizimin dhe arritjen. Veprimi (me shumë pasion dhe parashikim pozitiv) çon në rezultate. Dhe këto rezultate do të përmbushin vizionin tuaj.

Mënyra e vetme për të arritur dëshirat dhe ëndrrat tuaja është:

NDËRMERRNI VEPRIME PËR TO.