5 Mënyra për t'i bërë punonjësit tuaj të ndjehen të vlerësuar
Në punën tuaj, si drejtues organizate apo ekipi, nevoja për t'i bërë punonjësit të ndjehen të vlerësuar është e domosdoshme dhe kjo nuk kërkon shpjegime. Ata që gjejnë vlerësim dhe përmbushje, do ta kryejnë detyrën më mirë dhe do të qëndrojnë më gjatë në kompani. Nga kjo do të përfitoni ju dhe organizata juaj, si në aspektin financiar duke zvogëluar mungesat dhe duke rritur angazhimin, por edhe duke rritur mundësitë që punonjësit tuaj të ndjehen të lumtur. Rrugët e arritjes së kësaj janë të ndryshme, dhe artikulli i sotëm - me autore Shanna A. Hocking ofron disa ide. Ndërtimi i kulturës së kompanisë është detyra juaj, e ndoshta nga detyrat kryesore e më të rëndësishme, ku vlerësimi i punonjësve është çelësi i saj. Udhëheqës është ai person që sjell pak magji të momentit" - thotë Denise Morrison. Bëhuni dhe ju i tillë! Lexim të këndshëm!
* * * * *
Njëherë kisha një shef që më thoshte se duhet të mësoja të provoja edhe anën tjetër të punës.
Përveç kufizimeve fizike që ndikojnë, kjo u tha edhe gjatë një bisede për performancën time, ku ai pranoi se kisha tejkaluar pritshmëritë. Ai shpjegoi se nuk e pa të nevojshme që të tregonte mirënjohje, pasi edhe ai nuk e kishte marrë atë më herët, në karrierën e tij.
Kjo përvojë ishte me mua, deri kur fillova të zhvilloja filozofinë time të lidershipit. Sigurisht që ka të vërteta në atë që t'i gjeni vetë motivuesit e brendshëm dhe të mos prisni nga të tjerët, për të zhvilluar vetë-vlerësimin tuaj. Duke thënë këtë, besoj se roli i menaxherit është të krijojë një mjedis pozitiv, produktiv, i cili shërben dhe mbështet anëtarët e ekipit. Dhe kjo nuk kërkon përpjekje apo shpenzime të jashtëzakonshme për të arritur këtë objektiv dhe rezultatet, për të cilat ia vlen.
Këtu janë pesë mënyra për t'i bërë punonjësit tuaj të ndjehen të vlerësuar në punë:
1. Tregoni mirënjohje
Njerëzit duan të ndjehen të vlerësuar për atë që bëjnë, veçanërisht nga menaxherët e tyre. Kjo për shkak se drejtuesit kanë një pamje më të plotë të objektivave organizative dhe vlerësojnë performancën e punonjësve, kështu që lavdërimi i tyre ndihet veçanërisht i rëndësishëm dhe i lejon punonjësit të dinë se janë në rrugën e duhur. Këtu janë disa udhëzime për shprehjen e mirënjohjes në punë:
Deklaroni qartë se çfarë ka bërë një anëtar i ekipit tuaj, si lidhet kjo me pikat e forta të tij/saj dhe se si kjo gjë e ndihmon organizatën, duke theksuar më shumë të parën.
E veç kësaj, ju duhet ta bëni këtë më shpesh sesa mendoni; për aq kohë sa ju jeni gjithmonë duke folur qartë e në mënyrë specifike.
Mënyra ime e preferuar për të treguar mirënjohje është një shënim me dorë. Përveç mesazhit të shkruar, vetë shënimi tregon një investim të kohës suaj.
Njohja dhe mirënjohja forcojnë ndjenjat e vetëbesimit dhe motivimit dhe përforcojnë ndjenjën e arritjes së objektivave.
2. Krijojuni mundësitë që të mësojnë dhe të zhvillohen personalisht e profesionalisht
Shefat më të mirë gjithmonë kërkojnë mënyra, edhe nga jashtë organizatës, për t'i dhënë mundësi rritje anëtarëve të ekipit të tyre, në fushën e zhvillimit profesional, siç janë pjesëmarrja në konferenca të industrisë, anëtarësime në shoqata profesionale ose marrja e një çertifikimi. Si menaxher, mund të keni burime të kufizuara, kështu që përqendrimi i këtyre burimeve tek punonjësit më të mirë, tregon një investim në potencialin e tyre.
Mos harroni: Mundësitë e rritjes profesionale dhe të mësuarit, ekzistojnë edhe brenda organizatës suaj. Ju mund të filloni nga një takim i drejtpërdrejtë në kafe, për të folur për objektivat e karrierës së tij, ose për ta prezantuar atë me një drejtues tjetër të lartë në organizatë, për një bisedë mentorimi. Kur është e përshtatshme, ju mund ta ftoni personin të marrë pjesë në një takim të nivelit të lartë me ju, për të mësuar rreth një fushe të re, ose t'i kërkoni që të drejtojë një takim në emrin tuaj.
Kur merrni pjesë personalisht në të mësuarit dhe rritjen profesionale të të punësuarve tuaj, ju tregoni se ju i besoni atyre dhe doni të ndihmoni në përgatitjen e tyre, për suksesin e tyre në të ardhmen.
3. Kujdesuni për anëtarët e ekipit tuaj si njerëz
Në rolin tim të parë si drejtuese, unë bëra gabimin e të përqëndruarit vetëm tek puna. Në atë fazë të karrierës sime, besova se bisedat jashtë punës ndërhynin në listën time të gjatë të gjërave për t'u bërë.
Pas marrjes së disa këshillave të vlefshme nga shefi im, mësova se më duhej të demonstroja se unë kujdesesha për anëtarët e ekipit tim, edhe si individë, përpara se të prisja punën e tyre më të mirë.
Duke i pyetur për fundjavat, familjet dhe hobet e tyre - dhe duke ndarë edhe interesat e mia - ndërtova marrëdhënie të besueshme. Kjo na lejoi të kuptojmë më mirë përvojat tona jashtë zyrës dhe na ndihmuan të punonim së bashku në mënyrë më efektive.
4. Dedikoni kohë për anëtarët e ekipit tuaj
Ju e keni parasysh atë ndjenjën, kur keni një listë të gjatë gjërash për të bërë, në një afat prej 30 minutash - dhe atëherë një punonjës ndalon. A i jepni kohë personit për të bërë pyetjen, ose për të treguar historinë e tij, apo i thoni se tani nuk është momenti i duhur?
Mënyra si reagoni në këtë moment, ju përcakton si udhëheqës. Shprehja juaj e fytyrës, gjuha e trupit dhe fjalët, do të ndikojnë, nëse punonjësit tuaj do të ndihen të mbështetur nga ju - dhe kjo do të ndikojë në gatishmërinë e tyre për t'u kthyer herën tjetër kur kanë një pyetje. Mos harroni, kjo "çmenduri" është puna juaj si udhëheqës i njerëzve.
Ju mund të krijoni ndërveprime më produktive me anëtarët e ekipit duke u lidhur në mënyrë proaktive me ta: mënyra më ideale - personalisht. Ecni nëpër sallë dhe përgatisni disa pyetje për t'i tërhequr.Çfarë ka të re këtu? Pyetjet duhet të jenë të hapura dhe kjo t’ju japë mundësinë që të përgjigjen ashtu si e ndjejnë të drejtë në atë moment.
5. Festoni në mënyra të mëdha dhe të vogla
A e dini shprehjen se gjërat e vogla janë gjëra të mëdha? Kjo është e vërtetë edhe në punë.
Mbani parasysh përvjetorët e punës ose ditëlindjet e anëtarëve të ekipit tuaj. (Unë jam tifoze e tollumbacave ose e një urimi në tavolinën e tyre të punës, kështu që të tjerët ndalen dhe bashkohen me festimin). Organizoni një festë me pica, për të gjithë ekipin, kur një shitje mbyllet, ose ofroni akullore pasdite, si diçka e papritur e për t'i mbledhur të gjithë së bashku, ose organizoni një takim për kafe, pa ndonjë axhendë pune.
Nëse doni një festë më të përpunuar, krijoni një traditë të re në vendin tuaj të punës. Mund t'ju përshtatet dita e themelimit të kompanisë suaj ose një datë tjetër e veçantë.
Çfarëdo rasti, gjeni arsye për të festuar dhe për të sjellë gëzim në punë.
Provoni të përdorni një nga këto ide çdo ditë, për një javë, dhe shihni se si shkojnë gjërat. Pastaj ju mund të filloni të shtoni elementë të tjerë, pasi të merrni ndjesinë e asaj që funksionon më mirë, për ju dhe ekipin tuaj.
Në fund, është e rëndësishme të përmendim se ju mund dhe duhet t'u kërkoni punonjësve tuaj se si ata duan t'ju njihen përpjekjet, dhe çfarë i bën ata të ndihen më të vlerësuar. Në fund të fundit, nëse punonjësit tuaj mendojnë se ju dhe organizata jeni investuar personalisht, kënaqësia e tyre në punë dhe rritja personale do të rriten, ashtu si do të rriten edhe rezultatet e punës.
Të gjithë e meritojnë një falënderim për një arritje ose për një punë të bërë mirë, apo jo?