Katër përfitimet e përqafimit të Ndryshimit
Ndryshimi mund të jetë i parehatshëm, i vështirë dhe sfidues për secilin prej nesh. Si për ironi, një nga shenjat dalluese të epokës në të cilën jetojmë është ndryshimi i vazhdueshëm. Si rezultat, përqafimi i ndryshimeve është kritik për lumturinë tonë personale dhe për suksesin tonë profesional. Hapi i parë, drejt përshtatjes më të mirë, është pranimi se ndryshimi është me të vërtetë i dobishëm. Nëse nuk jemi të gatshëm që, së pari, të njohim përfitimet e ndryshimit, gjasat janë të pakta që të jemi të gatshëm ta përqafojmë atë. Në këtë artikull (publikuar në Platinum Rules for Success – bashkë me këtë parathënie), Anne Bachrach shkruan për katër përfitimet e ndryshimit, që ajo beson se janë universale, dhe, që ndikojnë në jetën tonë të përditshme profesionale. Lexim të këndshëm!
* * * * *
Nuk është e nevojshme që dikush t'ju tregojë se bota po kalon shumë ndryshime tani. Kjo është mëse e qartë. Çfarë mund të mos jetë shumë e qartë është aftësia juaj për t'u përshtatur me ndryshimet, që janë të nevojshme për biznesin tuaj për të mbijetuar dhe lulëzuar, në këtë treg në ndryshim. Si e poziciononi veten për sukses, kur ndryshimet globale po ndikojnë në të ardhmen e biznesit tuaj? Ju zbuloni se ku do të ndikojë ndryshimi dhe përshtateni për të plotësuar këtë kërkesë.
Nëse supozojmë se ju mund t'i rezistoni ndryshimeve në treg, dhe të qëndroni me kokëfortësi në zonën tuaj të rehatisë, problemi këtu do të ishte që ndoshta ju do të "fundoseshit në rërë" - dhe duke marrë edhe biznesin tuaj me vete.
Përqafimi i ndryshimeve është i rëndësishëm për të gjithë. Aftësia për t'u përshtatur ndaj ndryshimeve, dhe madje edhe për ta mirëpritur, është absolutisht thelbësore për suksesin në biznes dhe në jetën tuaj. Çfarë ndodh kur luftojmë ndryshimin? Kjo është shumë e thjeshtë; në vend të përqafimit të ndryshimeve dhe përshtatjes ndaj tij, ju shpenzoni kohë dhe energji duke e luftuar atë - vetëm që t'i dorëzoheni, në fund. Lufta nuk e bën atë më të lehtë, as nuk e pengon ndryshimin që të ndodhë. Pra, pse harxhoni gjithë këtë kohë dhe energji emocionale për të luftuar diçka që është e pashmangshme?
Le të hedhim një vështrim se çfarë ndodh kur përqafoni ndryshimin.
1. Ju mund të zbuloni një problem që nuk e dinit se ekzistonte
Është e lehtë të vetëkënaqeni kur gjërat duket sikur po shkojnë mirë, dhe të ndiqni ritmin kur çdo gjë rreth jush është kthyer në rutinë. Kur merreni me të njëjtin model herë pas here, ju e humbni perspektivën e asaj që po bëni dhe nuk e kuptoni çfarë nuk funksionon. Të pasurit vazhdimisht të një perspektive të shëndetshme, dhe të ndjeni pulsin e biznesit tuaj, është shumë e vlefshme dhe e rëndësishme.
Si një sipërmarrës, është thelbësore që ju të drejtoni biznesin tuaj me efikasitetin dhe fitimin më të madh. Nëse nuk e dini saktësisht se çfarë gjeneron paratë tuaja, apo nëse plani i marketingut nuk ka një kthim investimi të suksesshëm, atëherë keni një problem. Kërkoni dhe zbuloni se çfarë bëjnë bizneset e tjera të suksesshme dhe përmbushni objektivat që keni përpara. Identifikoni se çfarë funksionon dhe pastaj kopjojeni atë model në biznesin tuaj. Ndryshoni dhe përmirësoni atë që nuk është duke funksionuar dhe kështu do ta poziciononi biznesin tuaj për sukses. Përveç kësaj, merrni informacione paraprake mbi industrinë tuaj për të parashikuar ndryshimet që mund të ndikojnë tek ju, dhe përgatituni të jeni të gatshëm të ndryshoni ose të përshtateni shpejt, nëse është e nevojshme.
2. Pjesa më e lehtë është integrimi dhe përshtatja
Shumë njerëz i rezistojnë ndryshimit për faktin e thjeshtë se kanë frikë nga dhimbja ose rezultati. E vërteta është se sapo të keni kaluar rezistencën, integrimi dhe përshtatja janë të lehta. Si njerëz, ne jemi në vetvete krijues, dhe kjo na lejon të përshtatemi shumë më lehtë sesa supozojmë në perceptimin e parë. Kujtoni, që do të keni një ndryshim më të ashpër, nëse zgjidhni të luftoni. Përqafimi i ndryshimit, thjesht përdor aftësinë tuaj të brendshme për t'u përshtatur në një mjedis në ndryshim. Aplikojeni këtë krijimtari në biznesin tuaj dhe do të zbuloni se është shumë më thjeshtë nga sa mendonit fillimisht.
Si një sipërmarrës, ju keni një avantazh më të madh ndaj organizatave më të mëdha në industrinë tuaj, thjeshtë sepse për ata është më e vështirë që të ndryshojnë ose të përshtaten shpejt. Ndërsa organizatat e mëdha përpiqen të përshtaten, për të përmbushur ndryshimet e papritura, ju mund ta përdorni këtë vonesë në avantazhin tuaj dhe të bëni ndryshime të shpejta, për të rritur të ardhurat dhe për të fituar ekspozim pozitiv.
3. Krijoni hapësirë për më shumë Sukses
Suksesi juaj rritet, po aq sa rriteni edhe ju. Ndryshimi ju lejon të rriteni dhe të zgjeroni perceptimet, besimet dhe performancën tuaj - dhe kjo është ajo që ju dëshironi, sepse suksesi juaj do të vijë në proporcion të drejtë me të. Në mënyrë që të krijoni një hapësirë të re, duhet të largoheni nga e vjetra. Shikojeni përqafimin e ndryshimit, si mundësia juaj për të arritur suksesin që keni dashur gjithmonë.
Gjithashtu, ju mund ta shikoni edhe në një këndvështrim tjetër. Rezistenca, sado e vogël që bëni kundër ndryshimit, në fakt është rezistencë ndaj suksesit tuaj. Mos lejoni që mungesa e besimit t'ju frenojë ose t'ju frikësojë nga e panjohura. Mendoni - cila është më e keqja që mund të ndodhë? Ndoshta ndryshimi nuk do të ketë një rezultat shumë pozitiv në biznesin tuaj. Tani, çfarë mendoni për përqafimin e ndryshimit?
4. Ju mund të mbani më shumë nga gjërat që doni dhe të liroheni nga ato që nuk i doni
Këtu po citojmë një thënie popullore që i përmbledh të gjitha: "Nëse vazhdoni të bëni atë që keni bërë gjithmonë, ju do të vazhdoni të merrni atë që keni marrë gjithmonë". - W.L. Bateman
Kjo nuk mund të jetë më e saktë se kaq, kur zbatohej për biznesin dhe jetën tuaj. Nëse doni rezultate të tjera, do t'ju duhet t'i bëni gjërat ndryshe - edhe nëse janë paksa të pakëndshme. Nëse nuk e pëlqeni atë që keni arritur, atëherë ndryshoni atë që po bëni. Vënia në jetë e këtij parimi është një nga mundësitë më të mëdha, për të mësuar se çfarë ndodh kur përqafoni ndryshimin, duke mbajtur atë që dëshironi dhe duke liruar atë që nuk dëshironi.
Ndryshimi ndonjëherë mund të jetë i frikshëm, por në të vërtetë është çelësi i suksesit përfundimtar, si në jetë dhe në biznes. Në të vërtetë, nga çfarë keni frikë? Mund të mos ndjeheni gjithmonë mirë, por zakonisht, sa më i gatshëm të jeni për të përqafuar ndryshimin, aq më pak e dhimbshme është, dhe, më shumë sukses do të përjetoni. Nuk ka ndonjë çelës të vetëm për kapërcimin e ankthit që mund të ndjeni kur përqafoni ndryshimin. Gjëja e rëndësishme për të kujtuar është se, ka rezultate shumë emocionuese duke ju pritur në anën tjetër, ju duhet vetëm të përqafoni ndryshimin me një tapet mirëseardhje.
"Nëse ndryshoni mënyrën se si i shikoni gjërat, gjërat që shikoni do të ndryshojnë". - Wayne Dyer