Blog

Përmirësimi i Moralit të kompanisë dhe Motivimit të punonjësve

Përmirësimi i Moralit të kompanisë dhe Motivimit të punonjësve

Në disa takime pune së fundmi, me drejtues organizatash dhe biznesesh, nuk e kemi pasur të vështirë të theksojmë rëndësinë e kryerjes së konsulencave organizative, si mjete të nevojshme për të zbuluar kënaqësinë e punonjësve, nivelin e motivimit dhe në përgjithësi vlerësimin e kulturës së organizatës, e më pas përcaktimin e ndërhyrjeve për të përmirësuar të gjithë këto elementë, që sjellin në punonjës më të kënaqur dhe organizata më të shëndetshme e me produktivitet më të lartë. Dhe ishte kjo që na shtyu, të sjellim si artikull të sotëm një material - pothuajse shkollor, që e shpjegon më tej, e në mënyrë të përmbedhur idenë mbi temën. Duke i hasur këto shqetësime në të gjitha organizatat dhe bizneset, e ndjejmë detyrim që t'i nxjerrim më në pah dhe të rrisim shkallën e ndërgjegjësimit të menaxhmentit, për të vlerësuar dhe vepruar për nxitjen e Motivimit të punonjësve dhe Kulturës së kompanisë. “Kultura e korporatave është i vetmi avantazh i qëndrueshëm konkurrues, që është plotësisht nën kontrollin e sipërmarrësit” – thotë David Cummings. Lexim të këndshëm dhe ndërtojeni atë!

* * * * *

Kuptimi i roleve të Moralit të kompanisë dhe Motivimit të punonjësve

Punonjësit e lumtur janë punonjës produktivë - ata që qëndrojnë për vite, kthehen në drejtues dhe e ndihmojnë kompaninë tuaj të lulëzojë, me kalimin e kohës. Çelësi i lumturisë dhe produktivitetit në punë, është përdorimi i motivimit të punonjësve për të frymëzuar ekipin, për të bërë më të mirën.

Kur flasim për motivimin në punë, ka dy terma që shpesh kanë lidhje me njëra tjetrën: Motivimi i punonjësve dhe Morali i kompanisë. Të dyja këto janë thelbësore për suksesin afatgjatë të organizatës suaj, por ato nënkuptojnë gjëra të ndryshme dhe ndikojnë tek njëra-tjetra.

Motivimi i punonjësve është thjesht ajo gjë, që i shtyn punonjësit të kryejnë punën e tyre. Kjo është ajo që i bën ata - dhe ju - që të veproni në një mënyrë specifike.

Morali i kompanisë nga ana tjetër, është ajo se si punonjësit ndjehen për vendin e tyre të punës dhe mund të përfshijë gjithçka, nga kënaqësia e punës e deri në opinionin e kompanisë. Shpesh përdoret për të përcaktuar kënaqësinë apo lumturinë e punonjësve, si një e tërë.

Çfarë është Morali i Kompanisë?

Morali i kompanisë përcakton se si punonjësit ndjehen për vendin e punës. Kjo përfshin ndjenjat për menaxherin e tyre, rolin e tyre afatgjatë brenda organizatës, tërësinë e përfitimeve të tyre, dhe mund të quhet edhe ndryshe si Kultura e përgjithshme e kompanisë.

Megjithëse ekzistojnë një varg faktorësh që ndikojnë në moralin e kompanisë, është shumë e rëndësishme që këto të maten, dokumentohen dhe analizohen, pasi kanë një ndikim shumë të madh mbi produktivitetin. Gallup vlerëson se 22 milionë punonjës në USA, janë të pa angazhuar në mënyrë aktive në punë, duke i kushtuar ekonomisë amerikane në humbje midis 250 dhe 300 miliardë dollarë çdo vit, në formën e produktivitetit të munguar. "Po të shtoni këtu edhe mungesat për sëmundje, koston e qarkullimit të punonjësve, mungesat dhe mashtrimet në vendin e punës, në total kostoja mund të kapërcejë 1 trilionë dollarë në vit, ose pothuajse 10% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të SHBA".

Funksionimi i përgjithshëm i një organizate varet nga kënaqësia apo lumturia e punonjësve. Ajo drejton shumë aspekte të një organizate, duke përfshirë produktivitetin, shëndetin e punonjësve, rentabilitetin e kompanive dhe madje edhe kënaqësinë e klientit (po, punonjësit e kënaqur i bëjnë edhe klientët të kënaqur).

Morali i ulët, nga ana tjetër, çon në një kulturë të dobët organizative, përqëndrim të ulët, afate të humbura në kryerjen e detyrave dhe qarkullim të lartë të punonjësve.

Teoria e Motivimit të Punonjësve

Ekzistojnë dy teori shkencore të motivimit të punonjësve: së jashtmi dhe së brendshmi.

Motivimi i jashtëm është çfarëdo faktor i jashtëm që e shtyn punonjësin për të kryer një detyrë. Në shumicën e zyrave kjo është shumë e thjeshtë, duke u kushtuar vëmendje ndëshkimeve dhe shpërblimeve. Ndëshkimi mund të zbatohet sepse nuk e keni bërë punën tuaj. Shpërblimi përfshin gjëra të tilla si marrja e pagës për kohën e kaluar në punë ose marrja e një promovimi për një punë të bërë mirë.

Këtu duhet mbajtur parasysh, se thjesht duke i paguar për punën e bërë, shpesh nuk është e mjaftueshme për të motivuar me të vërtetë punonjësit, qoftë edhe ata më të shkëlqyer, pavarësisht nga ajo që mendojnë, në shumë organizata. Këtu është e nevojshme të aktivizojmë motivimin e brendshëm.

Motivimi i brendshëm, vjen nga brenda dhe nuk shfaqet si kënaqësi e menjëhershme, e siguruar nga një menaxher. Punonjësit në thelb, janë të motivuar nga vetë puna. Që kjo të ndodhë, puna duhet të japë kënaqësi, të jetë përmbushëse ose e lidhur me një qëllim më të lartë, që rezonon me vlerat ose dëshirat e atij punonjësi.

Ky lloj motivimit, zakonisht është më efektiv sesa ai i jashtëm, kryesisht sepse dëshirat e një personi janë më të fuqishme sesa dëshirat e atyre që i rrethojnë. Sidoqoftë, motivimi i brendshëm është më i vështirë për t'u kontrolluar dhe ndikuar, por ne do të flasim më shumë për këtë më poshtë. 

Çfarë i motivon punonjësit?

Në përgjithësi, punonjësit janë të motivuar nga gjëra të ndryshme, duke përfshirë paratë, fuqinë, kënaqësinë dhe ekuilibrin mes punës dhe jetës. Qëllimi është që të zbuloni se si të ndikoni në motivimin e punonjësve dhe të krijoni një mjedis pune ku punonjësit janë të motivuar si nga brenda ashtu edhe nga jashtë.

Ka një numër teknikash të njohura që motivojnë pothuajse çdo punonjës:

Festoni arritjet e punonjësve - Kur vlerësoni përpjekjet e dikujt - qoftë një fillim i suksesshëm i projektit ose që dikush punon gjatë fundjavës - ata tentojnë ta vlerësojnë më mirë punën. Të bëni dikë që të ndihet mirë për kontributin e tij, është një nga mënyrat më efektive për të motivuar një punonjës.

Inkurajoni forcimin e ekipit - Kompanitë e suksesshme ofrojnë shpërblime të këndshme që i lejojnë punonjësit të krijojnë lidhje personale, ndërkohë që i lejojnë ata të bëjnë edhe pak pushim, për t'u shkëputur nga puna e përditshme. Nëse keni një ekip të vogël, ju mund të blini pica për të gjithë ditën e Premte, ose të kaloni një drekë paksa të gjatë, së bashku. Disa kompani organizojnë festa tremujore, ndërsa të tjerët organizojnë aktivitete argëtuese ose lojra. Këto nuk është e thënë të jenë të ndërlikuara ose të shtrenjta. Edhe thjesht një orë kënaqësie i jep ekipit tuaj një shans për t'u lidhur më shumë me njëri tjetrin dhe për t'u relaksuar.

Lejoni pak autonomi - Fuqizoni punonjësit që të mendojnë dhe të veprojnë vetë. Kur anëtarët e ekipit inkurajohen të drejtojnë vetë punën e tyre, ata tentojnë të ndjehen më shumë të investuar në rezultatin përfundimtar. Shumica e punonjësve mendojnë se menaxheri i tyre duhet të japë leje për çdo vendim të vetëm. Jo vetëm që kjo të çon në motivim të ulët, por në mënyrë të panevojshme sjell edhe përparim të ngadalshëm. Pra, lejoni që punonjësit tuaj të përcaktojnë objektivat e tyre, të realizojnë projektet e tyre dhe - në fund të fundit - të ndjehen krenarë për fitoret e tyre.

Shpërbleni punonjësit kur kompania performon mirë - Programet më të suksesshme të kompensimit u japin të gjithë punonjësve një shpërblim, kur kompania sheh sukses financiar. Kjo mund të jetë në formën e një pakete bonusi, përderisa punonjësi e sheh se puna e tyre ka ndikim direkt në rezultat.

Mbështetni objektivat e tyre afatgjata të karrierës - Kur një menaxher kujdeset për ecurinë e karrierës tuaj, ju bëheni shumë më të motivuar për të arritur atje (duke bërë punën tuaj dhe duke e bërë mirë atë). Si punëdhënës, ka shumë mënyra se si mund veproni për këtë, që nga programet formale të mentorimit e deri në një bursë shkollore. Kontrollet e rregullta, në përparimin e punonjësve, i mbajnë ata në rrugën e duhur dhe të fokusuar në objektivat e tyre individuale të karrierës.

Nxisni një balancim të shëndoshë midis punës dhe jetës - Sa më shumë që të jetë e mundur, organizatat duhet të jenë fleksibël për problemet personale të punonjësve, si emergjencat familjare, vizitat mjekësore apo planet e fundjavës. Këto gjeste të vogla bëjnë një ndryshim të madh, në mënyrën se si punojnë punonjësit, në vendin e punës. Kjo gjithashtu, ndihmon anëtarët e ekipit që të vijnë ditën e Hënë të rifreskuar dhe të fokusuar.

Dëgjoni - Ekipi juaj është një pasuri informacioni. Dëgjoni idetë e tyre, problemet e tyre dhe frustrimet e tyre. Disa CEO takohen me secilin punonjës çdo vit, ndërkohë që kompani të tjera realizojnë sondazhe të rregullta, kështu që ata janë gjithmonë të informuar.

Ka gjithashtu shumë mënyra për të demotivuar punonjësit. Kjo mund të tingëllojë si me dy kuptime, por sigurohuni që menaxherët tuaj të mos e humbasin durimin, të mos marrin meritat për punën e të tjerëve ose të jenë të kursyer në lavdërime. Duhet kuptuar se është po aq e rëndësishme sikur të mos merrni pjesë në aktivitete që do të rrisin aktivisht qarkullimin, ashtu siç është, që të mos ofroni aktivisht programe që motivojnë ekipin tuaj.

Pse është e rëndësishme për SUKSESIN, që të keni Moral të fortë kompanie dhe Punonjës të Motivuar

Edhe nëse nuk mund ta "vini gishtin mbi të", duhet të dini nëse morali i kompanisë është i ulët ose punonjësit nuk janë të motivuar. Ndoshta keni mosarritje të afateve kohore, në mënyrë të vazhdueshme ose heshtje të pazakontë në kohën e drekës.

Morali i ulët çon në bashkëpunim të dobët, produktivitet të ulët dhe rritje të qarkullimit të punonjësve. Është një fakt i padiskutueshëm: Nëse punonjësit tuaj nuk janë të motivuar apo të lumtur, biznesi juaj do të vuajë dhe nuk do të arrijë objektivat e tij afatgjata.

Nga ana tjetër, morali i fortë i kompanisë ka efekt të kundërt. Një mjedis i lumtur pune është ai që tërheq punonjësit më të talentuar, dhe, kur ata janë të motivuar, ata janë produktivë dhe rrallë e braktisin atë. Ta themi thjesht, kur kujdeseni për punonjësit tuaj, ata nga ana e tyre kujdesen për biznesin tuaj.

Si e përmirësojnë moralin e kompanisë, punonjësit e motivuar

Në përgjithësi, punonjësit e motivuar ndikojnë në ngritjen e moralit të kompanisë. Lumturia (kënaqësia) e secilit anëtar të ekipit do të rezultojë në një kompani më të lumtur.

Për shembull, një punonjës me moral të lartë përjeton më pak stres. Stresi më i ulët do të thotë më pak mungesa. Këta punonjës të kënaqur janë gjithashtu më të angazhuar, punojnë shumë fort dhe janë të përkushtuar ndaj objektivave të organizatës suaj. Këto cilësi ndikojnë edhe tek anëtarët e tjerë të ekipit, duke krijuar një kulturë positiviteti dhe atmosferë shoqërore.

Gjithashtu, punonjësit e motivuar qëndrojnë së bashku në një moment krize. E madhe apo e vogël, çdo kompani kalon uljet dhe ngritjet e saj. Por, kapërcimi i momenteve më të vështira është shumë më i lehtë kur punonjësit janë të motivuar t'i kalojnë së bashku - sakrificat ndahen dhe ekipi juaj do të punojë si një, duke ushqyer respektin e njëri-tjetrit për kompaninë dhe misionin e përbashkët.