Blog

5 Tipe shefash të këqinj, dhe si të sillemi me ta

5 Tipe shefash të këqinj, dhe si të sillemi me ta

Ne jemi të bindur se ju, jeni ose keni, shefa shumë të mirë, por nëse ndonjë prej miqve tuaj nuk është me fat si ju, atëherë ndoshta ky artikull, me autore Suzanne Kennedy, mund ta ndihmojë. Të pasurit e një shefi të keq, mund ta bëjë jetën e miqve tuaj në punë, të mërzitshme e të lodhshme, e po kështu edhe në familje e shoqëri. Gjithashtu kjo situatë, do të dëmtojë jo vetëm moralin e tyre të punës, por edhe shëndetin fizik, nëpërmjet stresit dhe frustrimit. Por si ta kuptojmë se kemi të bëjmë me një shef të keq? Disa shenja, si dhe disa ide, se si të silleni dhe t'i trajtoni këta lloje shefash, do t'i gjeni këtu më poshtë. Lexim të këndshëm!

* * * * *

Shkenca përpiqet të studjojë shumë personalitete të ndryshme dhe të çuditshme tek njerëzit, ata njerëz që ndoshta ndonjëherë keni probleme me ta. Por kur problemi është shefi juaj, ky është një problem shumë i madh për ju.

Pra, çfarë bëni kur nuk bashkoheni me shefin tuaj?

Ndonjëherë këshilla më e mirë është që të lëvizni drejt një pozicioni ose mjedisi më të përshtatshëm, për personalitetin tuaj. Por në shumë raste, nëse mund t'i kuptoni tiparet e personalitetit të shefit tuaj dhe, të dini si të silleni me atë lloj personaliteti, kjo mund t'ju ndihmojë.

Pra këtu janë disa nga lloje tiparesh të ndryshme, kryesisht për personalitetet e vështira, që kam gjetur në menaxherët me të cilët kam punuar, së bashku me disa mënyra për t'u përshtatur me çdo lloj personi.

1. "A e dëgjova mirë këtë?" Personaliteti Pasiv-Agresiv

Agresiviteti pasiv në thelb, është një strategji e përdorur, kur një person nuk është në gjendje të përballet me problemin drejtpërsëdrejti, dhe e përdor kuptimin e diçkaje në mënyrë indirekte, për t'ju kritikuar juve. Ajo mund të shfaqet në formën e komenteve ose veprimeve, që ju shtyjnë t'i bëni pyetje vetes ose që të bëni gabime.

Kjo situatë është e vështirë për t'u adresuar, sepse shpesh mund të duket sikur "jeni duke ecur në rrugën e gabuar" dhe kështu, të tjerët jo gjithmonë mund ta shohin problemin.

E vetmja mënyrë, për të trajtuar sjelljen agresive-pasive, është njohja dhe trajtimi i saj, në momentin kur ndodh. Ju nuk keni nevojë të jeni të pasjellshëm ose agresivë. Thjesht bëjani të ditur personit, që komentet e tyre nuk ishin korrekte, dhe se vrazhdësia e përdorur prej tyre, nuk është e nevojshme.

Ideja është që ta zbuloni hapur sjelljen e tyre. Ju do të ndjeheni mirë, në mënyrën se si po mbroni veten, pa u mbështetur në cic-mice, apo pa u ankuar, dhe shanset janë që, sapo ata ta kuptojnë se kjo taktikë nuk po funksionon me ju, ata do të ndalen.

2. Personaliteti Manipulues

Disa drejtues mund të demonstrojnë cilësitë e sjelljes manipuluese. Kjo është veçanërisht e zakonshme kur ka një diferencë të madhe në lidhje me arsimin ose autoritetin.

Ju jeni shumë i shqetësuar për ta bërë shefin tuaj të lumtur dhe për të provuar se e meritoni pozicionin tuaj. Ndoshta padashur, ju po e gjeni veten duke thënë "Po" edhe për gjëra që nuk jeni plotësisht dakort. Problemi është se ky lloj shefi, nuk mund të shikojë më të mirën për interesat e tua, por për të tijat, dhe kështu ju vraponi në disa drejtime dhe pa u fokusuar në objektivat mbi karrierën tuaj.

Në njëfarë mënyre kjo duket si vlerësim, sepse ju jeni duke u kujdesur për shumë gjëra dhe ndiheni të vlefshëm, në punën tuaj. Por është e rëndësishme, të dini kur kjo po shkon shumë larg, dhe ju nuk po përparoni në drejtimin që keni vendosur për veten tuaj. Gjëja më kritike është të dini të dalloni kur kjo po ndodh, dhe pastaj ta trajtoni situatën specifike me shefin tuaj privatisht.

Mund të jetë e pakëndshme, nëse nuk keni dashur të flisni për këto gjëra, por do të duhet të zhvilloni aftësi të mira në menaxhimin e të tjerëve, dhe me pak durim mund të siguroheni që ta mbani karrierën tuaj në rrugën e duhur.

Vendosja që në fillim e kufijve, është çelësi.

3. Shefi i Pafokusuar

Të keni një shef që nuk ka fokus mund të jetë rraskapitëse për njerëzit që i raportojnë atij ose asaj.

Ky lloj shefi, ka shumë energji dhe dëshiron të bëjë gjithçka, dhe dëshiron që ajo të bëhet DJE. Ata angazhohen vazhdimisht për më shumë projekte, pa u konsultuar me njerëzit, që në fakt e bëjnë punën. Energjia e tyre pozitive është infektive dhe është shumë mirë të jetë edhe po kaq produktive.

Problemi ndodh kur filloni projekte ose eksperimente çdo ditë. Prioritetet ndryshojnë çdo ditë, ose nganjëherë edhe me orë, dhe nuk mund të përfundoni një detyrë, para se t'ju jepet një e re. Mënyra e vetme për të vazhduar është të punoni me orar shumë të zgjatur, dhe madje edhe atëherë kur "koka juaj mezi del mbi ujë". Ky lloj situate do t'ju çojë në rraskapitje, nëse nuk trajtohet në kohë.

Mënyra më e mirë për ta trajtuar këtë situatë është që të bisedoni me shefin, pasi të keni përgatitur një listë të çdo projekti që keni nëpër duar, sëbashku me përparimin deri në këtë moment dhe afatet kur mund të përfundojnë ato.

Shpjegoni se si e keni prioritizuar listën dhe çfarë mendoni se janë projektet më të rëndësishme për t'u përfunduar, përpara se të merrni detyra të tjera. Nëse shefi dëshiron ta shtojë më shumë listën tuaj, jepni një vlerësim të sinqertë se kur mund të filloni me detyrën e re. Kur ai insiston se duhet të filloni më herët, pyeteni atë: "Cilat projekte në këtë listë duhet të bllokojmë?"

Ideja është që t'i sillni në realitetin e tyre të gjitha angazhimet, në mënyrë që ata të kuptojnë vëllimin tuaj të punës. Duhet të jeni të vendosur të deklaroni se thjesht nuk mund të merrni një projekt tjetër, derisa të përfundohen projektet x, y dhe z.

Ata duan t'ju mbajnë juve të ngarkuar me punë, të punoni më shumë dhe të bëni që ata të duken shefa të shkëlqyer. Por ju duhet të vendosni një balancë në mendjen tuaj dhe të ndjeheni mirë, që në fund është më e rëndësishme një punë e bërë mirë, në vend të 20 punëve, të gjitha të bëra keq.

Ky lloj shefi, shpesh nuk e kupton shkallën e zhgënjimit tuaj, derisa ta diskutoni atë kështu, që mos t'i vijë e papritur kur më në fund, t'ja "hiqni vizën".

4. Shefi Mikro-menaxher

Në varësi të mënyrës se si punon, një mikro-menaxher mund të jetë një përfitim ose një makth. Nëse ju pëlqen të keni shumë drejtim dhe vëmendje, nuk do ta keni problem fare, një mikro-menaxher. Por, nëse preferoni të punoni në mënyrë të pavarur, ju nuk do të përputheni dot me një mikro-menaxher.

Ky lloj mbikëqyrësi, do t'ju kontrollojë juve çdo 5-15 minuta, për të parë se si po përparoni. Ju e dini që jeni në telashe kur shefi e pozicionon tavolinën tënde, sa më pranë zyrës së tij, që të jetë e mundur.

Për t'i mbijetuar mikro-menaxhimit, mund të provoni disa teknika. Njëra është gjetja e një vendi tjetër për t'u përqëndruar në punën tuaj; nëse keni nevojë të lexoni, ose të punoni për një prezantim, gjeni një dhomë të zbrazët, si psh. ajo e konferencave, ku të mund të fokusoheni pa u shqetësuar. Nëse të largoheni nga tavolina juaj, nuk është e mundur, provoni të vendosni kufje ose të dëgjoni iPod-in tuaj (edhe nëse jeni jashtë), si një tregues që jeni i fokusuar dhe nuk doni të shqetësoheni.

Nëse ndërprerjet ndodhin vazhdimisht dhe ju punoni në një laborator, vendosni një alarm me zile, që të dilni për 1-2 minuta jashtë. Nëse shefi po ju thërret në zyrën e tij, gjatë periudhës kur po kryeni punën tuaj laboratorike, merreni kohëmatësin me vete dhe bëjani të ditur se keni vetëm pak minuta, përpara se të ktheheni në punën tuaj.

5. Shefi Përçmues

E ruajta këtë për të fundit, sepse kjo është ndoshta, situata më e keqe e të gjithave. Është e vështirë për të trajtuar një shef që drejton me përforcim negativ. Shumica e njerëzve nuk do të donin të qëndronin në këto rrethana. E kush do të dëshironte?

Qasja më e mirë është të siguroheni që të mos punoni për dikë si ky.

Gjatë intervistës, sigurohuni që të bisedoni me të tjerët dhe gjithashtu, të mund të kontrolloni referencat për shefin, me të tjerët që kanë punuar me këtë person, dhe u larguan nga grupi.

Por, nëse e gjeni veten në një situatë, ku duhet të jeni subjekt i ofendimeve verbale, nëse nuk jeni tepër i frikësuar, provoni të flisni me personin në lidhje me situatën, dhe t'i jepni shembuj specifikë, kur gjuha e tyre ishte e papërshtatshme ose e kalon masën. Nëse nuk ndjeheni mirë duke u përballur me situatën, do të ishte më mirë të largoheni, thjesht dhe shpejt. Për asnjë punë nuk ia vlen ankthi dhe stresi, nga keqtrajtimi dhe abuzimi.

Vendi i punës është një vend dinamik, me shumë personalitete të ndryshme, që kanë nevojë të punojnë së bashku. Nuk është e pazakontë që dy njerëz thjesht nuk puqen, ose që të ndodhin përplasje personaliteti.

Përgjigja për ndonjë situatë të pakëndshme, me një shef apo bashkëpunëtor, është mirë që të jetë gjithmonë pozitive dhe konstruktive. Përqëndrohuni tek problemi dhe jo tek personi. Fokusohuni se si të punoni së bashku dhe jo se si të merreni me personin tjetër për ta ndryshuar - sepse ata nuk do të ndryshojnë.

Unë nuk mund ta theksoj sa duhet, se sa e rëndësishme është që të largoheni nga çdo lloj pune qoftë, me marrëdhënie të paprekura. Asnjëherë mos fyeni shefin apo menaxherin, apo të hakmerreni në mënyrën tuaj. Kjo është mënyra më e sigurt, që kurrë të mos punësoheni përsëri.

Këtu listova vetëm disa prej llojeve të personalitetit, që kam vënë re gjatë viteve të mia të punës, ose siç më kanë treguar kolegët. Po ju? A keni nevojë për ndihmë, për trajtimin e ndonjë situate, në punën tuaj?