8 Gjëra, që njerëzit e suksesshëm kurrë nuk humbasin kohën për t'i bërë
Një ndër elementët e rëndësishëm në arritjen e suksesit, është edhe menaxhimi i kohës, apo jo? Shumica e njerëzve të suksesshëm janë të pamëshirshëm me kohën. Nëse keni lexuar mbi njerëzit më të suksesshëm të planetit, patjetër që keni vënë re se ata nuk sillen si gjithë të tjerët, kur vjen puna në përdorimin e kohës, dhe kjo e bën ndryshimin e madh. Sot, në artikullin e javës, autorja Cynthia Bazin, na sjell në vëmendje disa zakone të tyre, që edhe ju mund t'i aplikoni me veten tuaj, e kështu të rrisni mundësinë për SUKSES, jo vetëm në punë por edhe në jetë. Lexim të këndshëm!
* * * * *
Si mentore, njerëzit shpesh vijnë tek unë, kur janë të tronditur e të stresuar dhe ndjejnë sikur nuk po i përmbushin objektivat e tyre, ato gjëra, që ata më së shumti, dëshirojnë t'i arrijnë në jetë. Ose kur ndihen të ngecur në vend. Ose kur arrijnë në një pikë që nuk dinë se çfarë të bëjnë.
Kështu, një nga gjërat e para që bëj, është identifikimi i shpenzuesve të kohës së tyre, ato gjëra që po i pengojnë në rrugën e tyre që të jenë të suksesshëm, që i pengojnë ata të lëvizin përpara, drejt asaj që duan të arrijnë.
Unë mendoj që ne të gjithë, herë pas here, përfshihemi në aktivitete, që nuk kontribuojnë në suksesin apo lumturinë tonë më të madhe. Patjetër edhe unë e kam bërë dikur, por bëra ndryshimet e nevojshme, sapo u bëra sipërmarrëse, dhe mësova vlerën e çdo sekonde të ditës - se vërtet, nuk ka kohë për të humbur në aktivitete, që nuk më rrisin mua apo biznesin tim.
Ne të gjithë kërkojmë të jemi të suksesshëm në jetë, por nganjëherë e harxhojmë kohën, duke bërë gjëra që na frenojnë në arritjen e potencialit tonë të plotë. Dhe shpesh, ne nuk i njohim ato gjëra, derisa dikush na i nxjerr ato në pah.
Është e rëndësishme të analizojmë se si i kalojmë ditët tona, orë pas ore, dhe rregullisht të kërkojmë mënyra për të punuar më mirë, mënyra për të eliminuar humbësit e kohës. Pra, për të filluar, këtu janë tetë gjëra, që njerëzit produktivë dhe të suksesshëm, kurrë nuk e humbasin kohën e tyre për t'i bërë (dhe që as ju duhet t'i bëjnë):
1. Njerëzit produktivë dhe të suksesshëm nuk "ngecin" në mediat sociale.
Të qëndruarit në mediat sociale - duke kontrolluar Facebook-un, duke parë fotot në Instagram, duke lexuar përditësimet e shpeshta në Twitter, çfarëdo qoftë - kjo është pjesë e jetës së përditshme. Por nëse nuk kontrolloni sa kohë keni shpenzuar me to, orët do të fluturojnë dhe ju nuk do të keni arritur ndonjë gjë në listën tuaj të detyrave.
Pra, ose vendosni një afat kohor për to - vendosni një alarm për kohën kur duhet ta minimizoni atë, mbyllni aplikacionin, bëni diçka tjetër - ose përkushtohuni për përfundimin e projekteve të nevojshme të punës. Përdorini mediat sociale si shpërblim.
2. Njerëzit produktivë dhe të suksesshëm nuk e kalojnë ditën pa një plan.
Njerëzit e suksesshëm kanë një qëllim, një plan, ku fokusohen për gjërat që duan të arrijnë në një ditë të caktuar. Unë besoj në shkrimin e gjërave, por vetëm për dy apo tre prioritetet më të nevojshme, që duhet ta kryej atë ditë, jo një listë të gjatë gjërash.
Shkruani prioritetet tuaja më të nevojshme dhe i zbërtheni ato detyra të mëdha, në hapa më të arsyeshëm, dhe do të shikoni që do dëshironi t'i kryeni ato dhe t'i hiqni nga lista.
3. Njerëzit produktivë dhe të suksesshëm nuk bëjnë aktivitete emocionale.
Nëse doni të hyni në një jetë me të vërtetë të suksesshme, duhet të përqëndroheni tek gjërat që ushqejnë jetën tuaj në mënyrë pozitive. Njerëzit produktivë nuk e humbin kohën e tyre për gjërat që i dëmtojnë ata, emocionalisht.
Para se të angazhoheni në aktivitete, sigurohuni që aktiviteti do të shtojë pozitivisht jetën tuaj. Nëse nuk besoni se do të jetë i tillë, atëherë më mirë thoni "Jo" për të. Gjithashtu, mos u ndjeni të detyruar të jepni një përgjigje të menjëhershme, në momentin kur ju kërkohet të bëni diçka. Mendoni, përpara se të thoni "Po" dhe të dini se kur është mirë, t'i thuash "Jo" kërkesave, në kurriz të kohës tuaj.
4. Njerëzit produktivë dhe të suksesshëm nuk shqetësohen për gjërat që nuk mund t'i kontrollojnë.
Njerëzit e suksesshëm e kuptojnë se të shqetësoheni për çdo gjë, nuk ju çon absolutisht askund në jetë, veçanërisht nëse nuk mund të bëni asgjë, për të ndryshuar një situatë të caktuar.
Kështu që ktheni mendimet tuaja në aktivitete të bazuara në veprime. Përqëndrohuni në gjërat që mund t'i bëni.
5. Njerëzit produktivë dhe të suksesshëm nuk shoqërohen me njerëz negativë.
Është një thënie, se ju jeni mesatarja e pesë njerëzve me të cilët kaloni shumicën e kohës. Pra, nëse doni të jeni më i miri, duhet të rrethoheni me njerëzit më të mirë.
Sigurohuni që të eliminoni energji negative toksike rreth jush. Nëse doni të fluturoni në jetë, ju duhet të largoni peshat që ju rëndojnë.
6. Njerëzit produktivë dhe të suksesshëm nuk jetojnë me gabimet e së shkuarës.
Edhe njerëzit e suksesshëm bëjnë gabime. Gjithkush bën gabime. Çelësi për të qenë i suksesshëm në jetë është të mos bësh të njëjtin gabim dy herë, duke mësuar dhe u rritur nga gabimet dhe duke u bërë një person më i mirë, për shkak të tyre.
Pra, kur të bëni një gabim, mësohuni me mendimin se gabimi tashmë është bërë, dhe ju nuk mund të ktheni të shkuarën. Përqëndrohuni në atë që keni mësuar dhe ndërtoni një strategji pozitive, për të ecur përpara.
7. Njerëzit produktivë dhe të suksesshëm nuk përqëndrohen tek ajo se çfarë po bëjnë njerëzit e tjerë.
Është diçka e madhe të frymëzoheni me atë që po bëjnë njerëzit e tjerë të suksesshëm, por kur jeni duke e krahasuar vazhdimisht veten me personin tjetër dhe kjo po ju ul poshtë, është koha për të ndryshuar qëndrimin tuaj.
Frymëzohuni nga të tjerët, por fokusohuni që të konkurroni vetëm me personin më të rëndësishëm: veten tuaj.
8. Njerëzit produktivë dhe të suksesshëm nuk e vendosin veten, si përparësi.
Ne të gjithëve na ndodh që nuk bëjmë gjumë ose stërvitje të mjaftueshme, sepse duhet të punojmë për një projekt të madh. Por për suksesin dhe lumturinë afatgjatë, duhet të vendosni veten në listën e prioriteteve.
Disa mënyra të mira për ta bërë këtë, është që të nisni ditën tuaj duke bërë diçka që keni dëshirë të bëni - ndoshta duke bërë një stërvitje të mirë, duke medituar, duke shkruar ditarin ose duke lexuar librin tuaj të preferuar. Bëni atë që funksionon më mirë për ju. Sepse kur filloni ditën duke bërë diçka që e doni, dhe kjo është e mirë për ju, ju do të ndiheni të lumtur, të fokusuar dhe të fortë gjatë gjithë ditës.
A gjendet në këtë listë ndonjë gjë që "vjedh" kohën tuaj? Eliminojini ato, në mënyrë që të mund të hyni në periudhën më të mirë të jetës tuaj.