Arti i Delegimit
A jeni në situatën kur pavarësisht sa fort punoni gjithmonë keni një listë të pafund gjërash për të bërë? A jeni të shqetësuar se ku do ta gjeni mundësinë që të gjitha këto të bëhet në kohë? Në artikullin e kësaj jave, Dr. Tony Alessandra trajton temën e delegimit të detyrave. Ai ofron këshilla për sipërmarrësit dhe drejtuesit e sotëm; duke përfshirë atë se si të delegojnë, tek kush të delegojnë dhe shumë elementë të tjerë, duke siguruar rezultatet më të mira të mundshme. Me udhëzimet e tij të dobishme, ju duhet të jeni në gjendje të nxirrni menjëherë, jashtë listës suaj "Detyra për t'u kryer" të shumë prej punëve tuaja! Lexim të këndshëm!
* * * * *
Aftësia për të deleguar e vendos liderin larg ndjekësve. Kjo ndodh për shkak se shumë njerëz e kanë të vështirë të heqin dorë nga kontrolli. Megjithatë, delegimi i detyrave dhe përgjegjësive është thelbësor në organizatat e sotme me personel të reduktuar. Udhëzimet e rëndësishme këtu më poshtë, do t'ju ndihmojnë të zotëroni artin e delegimit.
- Gjeni personin e duhur për detyrën apo projektin. Mos e caktoni detyrën apo projektin tek ndonjë nga punonjësit tuaj, i cili është i paaftë për të. Ju mund të caktoni detyra, tek ky lloj personi, vetëm në rastet kur çdo lloj rezultati është i pranueshëm. Nëse dëshironi që puna të bëhet mirë, ju duhet të gjeni personin e duhur për këtë punë. Nëse ai nuk ekziston, gjeni personin më të aftë dhe trajnojeni shumë mirë atë.
- Delegoni autoritetin dhe përgjegjësinë. Gjëja më e keqe që mund të bëni është t'i delegoni një detyrë një personi dhe pastaj t'ja lidhni duart. Nëse keni zgjedhur personin e duhur, ose e keni trajnuar mirë atë, atëherë duhet t'i jepni atij autoritet, kështu që puna të mund të bëhet pa mbikëqyrjen tuaj. Përveç kësaj, ju duhet ta bëni përgjegjës personin, edhe për cilësinë e punës së kryer.
- Bëjeni plotësisht të qartë detyrën. Shpjegoni me kujdes natyrën e detyrës apo projektit tek personi që ju po i jepni përgjegjësi. Kjo mund të bëhet verbalisht ose me shkrim, në varësi nga kompleksiteti i detyrës. Sa më e re dhe më e ndërlikuar të jetë detyra, aq më shumë pyetje do të ketë personi, që ju do t'i jepni përgjegjësinë e saj. Përgjigjuni të gjitha pyetjeve menjëherë dhe plotësisht.
- Bini dakort për një afat të caktuar. Kur personi, të cilit i delegoni plotësisht një detyrë, i kupton pritshmëritë tuaja, të dy jeni në gjendje të përcaktoni një afat të pranueshëm reciprokisht për përfundimin e saj.
- Rishikoni dhe udhëzoni / trajnoni. Ekzistojnë një kurbë e të mësuarit, që lidhet me aktivitetin e ri të një personi . Gjatë kësaj kohe, duhet të rishikoni periodikisht përparimin e personit, në realizimin e detyrës së deleguar, dhe të ofroni udhëzime ose trajnim shtesë, nëse është e nevojshme.
- Vendosni bazat për më shumë delegime në të ardhmen. Sapo të keni realizuar delegimet e para, do të shikoni se ka gjithmonë e më shumë gjëra që mund të bëhen nga të tjerët, për të liruar kohën tuaj. Filloni trajnimin e njerëzve, për t'ju ndihmuar në më shumë operacione, dhe do ta gjeni veten me më shumë kohë, për të bërë atë që dini të bëni më mirë.