Blog

8 Shenja që ju keni nevojë për Ndryshim... dhe shpejt!

8 Shenja që ju keni nevojë për Ndryshim... dhe shpejt!

Duke e parë me sytë e të tjerëve, ju jeni "në rregull, keni një punë të mirë në një nga kompanitë më të mira, pagë të mirë dhe mundësi për rritje". Lum si ju! Dhe urojmë të jeni vërtet kështu, e aq më shumë të bëni punën që ju pëlqen, e në brendësi të ndiheni thellësisht të plotësuar. Ju po e shijoni punën tuaj dhe po e shfrytëzoni plotësisht potencialin tuaj. Kjo është situata ideale që secili e ëndërron. Por ndodh që ekuilibrat prishen, e ashtu papritur, fillojnë të shfaqen disa shenja që tregojnë nevojën për ndryshim. Kush është i vëmendshëm i kupton ato menjëherë dhe mendon rreth zgjidhjes. Po cilat janë këto shenja, e si t'i dalloni ato? Kjo është çfarë trajton John Rampton në këtë artikull. Nuk ka asgjë për t'u shqetësuar - nëse duhet të ndyshoni, duhet të jeni të vetëdijshëm, pasi kjo është jeta, e kjo mund t'ju çojë tek endrra juaj. Harriet Tubman thotë: - "Çdo ëndërr e madhe fillon me një ëndërrimtar. Gjithmonë mbani parasysh - brenda jush keni forcën, durimin dhe pasionin për të arritur yjet e për të ndryshuar botën". Lexim të këndshëm!

* * * * *

Sipas Gallup, 70 për qind e punonjësve në USA ndjehen të shkëputur emocionalisht nga vendet e tyre të punës. Përkundër ngacmimit fillestar që vjen natyrshëm me rolin e ri, ky ngacmim shpesh zbehet deri në apati, me kalimin e kohës.

A jeni edhe ju në të njejtën kategori? Shumica e sipërmarrësve do të ofendoheshin nga kjo ide - "ata vetë e zgjodhën punën e tyre, në fund të fundit". Por çdokush, në çdo fazë, mund të bëhet si "ujë i ndenjur". Edhe vetë sipërmarrësit nuk janë imunë ndaj kësaj.

Pa dyshim që mund ta sfidoni këtë situatë duke u larguar nga puna, ose të filloni të konsideroni diçka të re. Por ekziston një vlerë, në kuptimin e rehatisë dhe sigurisë që vjen me mbajtjen e një roli, apo kompanie, me të cilën jeni mësuar. Megjithatë është një thënie: - "Mundësitë janë të panumërta, dhe jeta është e shkurtër". Kalimi i kohës në një punë që nuk ju jep kënaqësi - veçanërisht kur mundësi të tjera gjenden në horizont - zakonisht nuk është mënyra më e mirë e përdorimit të kohës.

Tregohuni vigjilent dhe të kujdesshëm ndaj këtyre tetë sinjaleve, që tregojnë se jeni mërzitur me atë që po bëni dhe keni nevojë për ndryshim:

1. Ju keni nivele më të ulëta energjie sesa zakonisht.

Kur nuk kënaqeni me punën tuaj, kjo mund të shfaqet në nivelet e energjisë që vini në dispozicion. Duke pasur parasysh se profesioni ju merr një përqindje shumë të madhe të kohës suaj, ka shumë të ngjarë që energjia juaj të vijë duke u shteruar dhe ju të ndiheni të ngathët ose puna t'ju duket e mërzitshme. Puna që e doni, nga ana tjetër, ju jep energji në këmbim për atë që shpenzoni.

Kur vëreni nivele më të ulëta energjie, gjatë aktiviteteve tuaja të përditshme, duhet të pyesni veten nëse kjo mund të jetë si rrjedhojë e punës tuaj.

2. Ju pëlqen më shumë që të bëni gjëra të tjera, ndryshe nga puna juaj primare.

Puna nuk është gjithmonë gjëja më emocionuese, por në mënyrë ideale, ju jeni duke bërë atë që ju pëlqen. Nëse kur mendoni detyrat, për të cilat jeni përgjegjës, dhe i bëni ato me një mungesë dëshire, deri në keqardhje, kjo mund të jetë sinjali, që ju jeni mërzitur.

Njerëzit lëvizin drejt detyrave dhe aktiviteteve që ju interesojnë. Rrjedhimisht, dëshira për të kaluar pjesën më të madhe të kohës në aktivitete që nuk kanë të bëjnë me punën tuaj, thotë diçka në lidhje me interesat tuaja aktuale.

3. Dëshira juaj për fundjavën është rritur.

Fundjavat janë të këndshme, pa marrë parasysh se ku punoni. Duke përmendur këtë, nëse keni një ndryshim të fortë mendor mes javës dhe fundjavës, ky është një sinjal që tregon shumë.

Fundjavët duhet të shërbejnë si një pushim i mirë, por ato nuk duhet të shihen si diçka dramatike, si shumë më e mirë se aktivitetet tuaja javore. Kur do t'ju ndodhë kjo, mendja juaj po ju sinjalizon, se dëshironi të jeni kudo, përveç punës.

4. Ju keni ulur fokusin.

Kur jeni në punë, sa produktiv jeni ju? A ndiheni sikur po i kushtoni energjitë dhe vëmendjen e plotë detyrave që po bëni, apo vazhdimisht e humbni fokusin? Nëse e kontrolloni shpesh telefonin, ose mediat sociale, ose shpenzon kohë për gjëra të tjera gjatë punës, kjo është një shenjë e qartë se po kërkoni stimulim nga jashtë punës.

5. Ndjeni se nuk e keni aspak problem, edhe nëse jepni më pak se 100 për qind të vetes tuaj.

Kryesisht kjo është e rrezikshme për sipërmarrësit: Sa përpjekje vendosni në dispozicion të detyrave tuaja në punë? Kur kjo përgjigje nuk është afër 100 për qind - dhe nuk është si rezultat i një fillimi të ri, një shqetësimi familjar apo ndonjë ngjarje tjetër, që kërkon vëmendjen tuaj - ju duhet të pyesni veten, nëse ju shqetëson kjo. Kur përgjigja juaj e sinqertë është "Jo", ka shumë të ngjarë që e keni humbur pasionin tuaj për punën.

Puna e mirë është një motivues i natyrshëm. Ajo duket kur duam të punojmë fort, për veten tonë dhe për ndikimin e mundshëm që mund të kemi në ambientin rrethues. Kur nuk e keni problem të përpiqeni më pak se sa i keni mundësitë, për të ecur përpara, kjo tregon apatinë tuaj për misionin që jeni përgjegjës.

6. Ju e shikoni shpesh orën.

Në një ambient ideal pune, ditët fluturojnë, duke përfunduar me dëshirën tuaj, që sikur të kishit pak më shumë kohë. Nga ana tjetër, koha lëviz shumë ngadalë nëse puna ju është mërzitur.

Një tregues i mirë i kësaj është, se sa shpesh e kontrolloni orën gjatë punës. Nëse mezi po prisni të vijë ora e mbylljes, e të mund të shkoni në shtëpi, çfarë do të thotë kjo, në lidhje me përkushtimin tuaj për punën?

7. Ju nuk e duroni punën tuaj ose ata që janë përreth jush.

Kur jeni të frustruar nga puna ose mjedisi juaj, është e lehtë të shfaqni zemërim dhe padurim ndaj atyre që janë përreth jush. Kjo mund të përfshijë ekipin tuaj, punonjësit tuaj ose industrinë në përgjithësi.

A e keni vënë re tek vetja, se jeni duke fajësuar ata rreth jush, për gabime që nuk i kanë kryer?

Nëse po, pyesni veten pse. Ka mundësi që kjo të shkaktohet nga situata që aktualisht po kaloni. Është e vështirë të jesh i lumtur për të tjerët - ose me të tjerët - kur jeni duke u fiksuar tek gjërat që nuk jeni i lumtur në jetën tuaj. Në afat të shkurtër, pakënaqësia mund t'ju ndihmojë të ndiheni sikur po luftoni kundër këtyre ndjenjave negative. Megjithatë, këto ndjenja, janë vetëm një formë tjetër e "helmimit të pusit".

8. Ju shpesh mendoni të bëni diçka tjetër.

A ju shkon mendja që të jeni në një rol ose kompani tjetër, ose e shpenzoni shumicën e kohës tuaj duke bërë diçka tjetër? Nëse është kështu, ky është një nga sinjalet më të fortë që ju jeni mërzitur dhe jeni gati për ndryshim.

Ju nuk do të kërkoni vazhdimisht një valvulë shkarkimi të presionit nëse nuk do të ishit nën presion. Pastaj, sa më shumë që mendoni për alternativat, aq më shumë ka gjasa që ka ardhur koha për të ndjekur njërën prej tyre.

Mund të jetë e vështirë, por duhet t'i dëgjoni sinjalet, kur mundeni. Të bëni një ndryshim të rëndësishëm - sidomos kur ke një kompani - nuk është aspak e lehtë. Ka disa situata kur, për shkak të kufizimeve financiare ose situatave të tjera, nuk mund të jeni në gjendje për ndryshim.

Por kur i keni mundësitë, sidoqoftë, bazohuni në guximin tuaj. Dëgjoni mendimet dhe dialogun tuaj të brendshëm, dhe kaloni të gjithë listën e kontrollit. Kur jeni i sinqertë me veten, tashmë e dini se si ndiheni në të vërtetë.

Pyetja është, a do ta ndiqni ju, instiktin tuaj?