Blog

Pse Qëndrimi juaj është gjithçka

Pse Qëndrimi juaj është gjithçka

“Edhe nëse bëni pjesë tek grupi i njerëzve që keni shfaqur qëndrime negativ gjatë gjithë jetës tuaj, ka shpresa, ju mund të ndryshoni”. Kjo fjali nuk është për ju (pasi ne jemi të sigurt se ju nuk jeni pjesë e këtij grupi), por këtë mund t'ja thoni atyre që ju rrethojnë e që negativitetin e kanë pjesë organike të tyre. Dhe për të filluar ndryshimin mund t'i rekomandoni të lexojnë artikullin më poshtë, me autor Keith Harrell. Ne rekomandojmë që ta lexoni edhe ju, pasi kjo do t'ju ndihmojë të flisni me ta, mbi përmbajtjen. Lexim të këndshëm!

* * * * *

Një nga hapat më të rëndësishëm që mund të ndërmerrni, për të arritur potencialin më të madh në jetë, është të mësoni të monitoroni Qëndrimin tuaj dhe ndikimin e tij mbi performancën tuaj në punë, në marrëdhënie dhe tek të gjithë ata që ju rrethojnë.

Në përgjithësi i filloj aktivitetet dhe seminaret e mia duke bërë një pyetje thelbësore: Çfarë Qëndrimi keni sjellë në këtë takim? Shpesh, kjo shkakton disa vështrime të habitshme. Në të vërtetë, njerëzit në përgjithësi nuk kanë nivel të lartë vetëdije lidhur me Qëndrimin. Ata e dinë çfarë të bëjnë kur janë të uritur, ose kur ju dhëmbin këmbët, por zakonisht nuk kanë një trajtim të mirë për Qëndrimin e tyre. Kjo është gabim, sepse Qëndrimi është gjithçka. Ai rregullon mënyrën se si e perceptoni botën dhe mënyrën se si bota ju percepton.

Ne të gjithë mund të bëjmë një zgjedhje. Mund të zgjedhim një dialog të brendshëm vet-inkurajimi dhe vet-motivimi, ose mund të zgjedhim një dialog vet-mposhtje dhe vet-keqardhje. Është një fuqi që të të gjithë e kemi. Secili prej nesh has momente të vështira, lëndim ndjenjash, dhimbje fizike dhe dhimbje emocionale. Çështja kyçe është të kuptoni se nuk ka rëndësi ajo që ndodh, por se si ju zgjidhni të përgjigjeni ndaj asaj që ndodh.

Mendja juaj është si një kompjuter, i cili mund të programohet. Ju mund të zgjidhni nëse programi i instaluar është produktiv apo joproduktiv. Dialogu juaj i brendshëm është programi, i cili programon Qëndrimin tuaj dhe përcakton se si e paraqisni veten në botën rreth jush. Ju keni kontroll mbi programimin. Çfarëdo që vendosni së brendshmi, ajo do të reflektohet nga brenda dhe atë do të përcillni jashtë.

Shumë prej nesh kanë modele sjellje që janë programuar në trurin tonë në moshë shumë të hershme. Informacioni që është regjistruar aty mund të jetë plotësisht i pasaktë ose i dëmshëm. Realiteti i trishtuar i jetës është se ne do të vazhdojmë të dëgjojmë informacionin negativ, por nuk duhet ta programojmë atë në trurin tonë.

Zëri më i fortë dhe më me ndikim që dëgjoni është zëri juaj i brendshëm, vet-kritiku juaj. Ai mund të punojë për ju ose kundër jush, në varësi të mesazheve që ju i lejoni. Mund të jetë optimist ose pesimist. Mund t'ju ulë poshtë ose t'ju mbushë me gëzim. Ju kontrolloni dërguesin dhe marrësin, por vetëm nëse ju me vetëdije merrni përgjegjësi dhe kontrolloni bisedën tuaj të brendshme.

Zakonisht, Qëndrimet e këqija shpesh janë produkt i përvojave dhe ngjarjeve të kaluara. Shkaqet e zakonshme përfshijnë vetëbesimin e ulët, stresin, frikën, pakënaqësitë, zemërimin dhe paaftësinë për të trajtuar ndryshimet. Duhet punë serioze për të shqyrtuar shkaqet e një Qëndrimi të dëmshëm, por shpërblimet e heqjes nga vetja të këtij “bagazhi” të rëndë mund të zgjasin gjithë jetën.

Më poshtë do të gjeni 10 strategji, për të përmirësuar qëndrimin tuaj:

1. Vetë-trajnimi përmes deklaratave pohuese

Deklaratat pohuese të përsëritura çdo ditë, disa herë në ditë, shërbejnë për të riprogramuar nënndërgjegjen tuaj me të menduarin pozitiv. Një deklaratë pohuese përbëhet nga fjalë të ngarkuara me pushtet, bindje dhe besim. Ju dërgoni një përgjigje pozitive në nënndërgjegjen tuaj, e cila pranon çdo gjë që ju i tregoni. Kur bëhet siç duhet, kjo shkakton ndjenja pozitive, të cilat nga ana tjetër, nxisin veprim.

2. Vet-Motivimi nëpërmjet zbulimit të motiveve tuaja

Zbuloni se çfarë ju motivon – se çfarë ju nxit të ndërmerrni veprime për të ndryshuar jetën tuaj. Motivet themelore përfshijnë dashurinë, vet-përmbajtjen, zemërimin, fitimin financiar dhe frikën. Vet-motivimi kërkon entusiazëm, këndvështrim pozitiv, fiziologji pozitive (ecje më e shpejtë, buzëqeshje etj.) dhe besim tek vetja dhe tek potenciali që ju është dhënë.

3. Fuqia e vizualizimit

Studimet e psikologjisë mbi performancën e lartë, kanë zbuluar se shumica e atletëve të mëdhenj, kirurgëve, inxhinierëve dhe artistëve përdorin pohimet dhe vizualizimet me vetëdije ose përmes nënndërgjegjes, për të rritur dhe përqëndruar aftësitë e tyre. Nelson Mandela ka shkruar gjerësisht se si vizualizimi e ndihmoi atë të ruante një Qëndrim pozitiv, ndërsa ishte i burgosur për 27 vjet. "Mendoja vazhdimisht për ditën kur do të ecja i lirë. Kam fantazuar për atë që dëshiroja të bëja” - shkroi ai në autobiografinë e tij. Vizualizimi funksionon shumë mirë për të përmirësuar Qëndrimin.

4. Bisedë qëndrimi lidhur me Dialogun e brendshëm pozitiv

Biseda e qëndrimit është një mënyrë për të anashkaluar programimin tuaj të mëparshëm negativ, duke e fshirë ose duke e zëvendësuar atë me një zë të brendshëm të ndërgjegjshëm, pozitiv, i cili ju ndihmon të përballeni me drejtime të reja. Biseda juaj e brendshme - ai zëri i vogël që dëgjoni gjatë gjithë ditës - vepron si fillesë që programon trurin tuaj dhe ndikon në sjelljen tuaj. Shikojeni më nga afër atë që po i thoni vetes.

5. Fuqia e fjalëve – Kujdes!

Sapo të lëshohen në univers, fjalët tona nuk mund të kthehen mbrapsh. Mësoni konceptin – Kujdes me fjalën. Ajo që themi reflekton atë që tashmë është në zemrat tona, bazuar në të gjitha gjërat që besojmë për veten tonë. Nëse e gjejmë veten duke folur për gjëra gjykuese dhe përçmuese, rreth situatave tona ose atyre që na rrethojnë, ne e dimë se gjendja e zemrës tonë duhet të ndryshojë. Ju mund të krijoni një lidhje të drejtpërdrejtë me suksesin nga ajo që thoni.

6. Fuqia e një përshëndetje pozitive

Kur njerëzit më pyesin si jam, unë i them: "Super, fantastik". Shumica e njerëzve pëlqejnë të punojnë dhe jetojnë me të tjerë, që përpiqen ta jetojnë jetën për atë që ajo është - një dhuratë e bukur.

7. Entuziazmi: Mjeti jetik për të qëndruar i motivuar

Entuziazmi është për Qëndrimin ashtu si frymëmarrja është për jetën. Entuziazmi ju mundëson që të aplikoni dhuntitë tuaja në mënyrë më efektive. Është ajo dëshira e zjarrtë e cila ju transmeton përkushtimin, vendosmërinë dhe shpirtin. Entuziazmi nënkupton ta vendosjen në lëvizje. Është një frymë e brendshme që flet përmes veprimeve tuaja nga angazhimi juaj dhe besimi juaj në atë që po bëni. Kjo është një nga karakteristikat më të fuqishme dhe tërheqëse që mund të keni.

8. Lidhja me fuqizimin tuaj shpirtëror

Niveli sipëror i nevojës njerëzore shtrihet në sferën shpirtërore. Ashtu si ushqejmë trupin tonë në përgjigje të nevojave primare për të mbijetuar fizikisht, ashtu ne duhet ta ushqejmë shpirtin tonë, sepse ne jemi qenie shpirtërore. Shumë njerëz gjejnë motivim të fuqishëm dhe pozitiv në besimin e tyre. Unë jam një prej tyre.

9. Ndriçojeni jetën tuaj me humor

Humori është një motivues i fuqishëm. Sa më shumë humor dhe të qeshura në jetën tuaj, aq më pak stres do të keni, që do të thotë më shumë energji pozitive për t'ju ndihmuar të vendosni Qëndrimin tuaj në veprim. Kjo ka gjithashtu edhe përfitime shëndetësore.

10. Ushtrimet Fizike do t'ju ndihmojë të jeni të motivuar

Një nga mënyrat më të mira për të kaluar në një gjendje shpirtërore më pozitive dhe më të motivuar është të ushtroheni. Një rutinë e zakonshme e ushtrimeve fizike mund të ofrojë rezultate pozitive relativisht të shpejta, në formën e humbjes së peshës, zhvillimit të muskujve dhe ndjenjës së të bërit diçka pozitive për veten tuaj.

Kërkoni suksesin tuaj personal dhe profesional duke përdorur mjetet në këtë artikull mbi Qëndrimin. Nuk është sekret, që jeta duket se na shpërblen më shumë, kur i afrohemi botës me një Qëndrim pozitiv.