A keni një Deklaratë ekipi?
Kur flasim për "Deklaratë ekipi" ndoshta emërtimi ju bën pak konfuz, por sapo të përfundoni artikullin e John Spence, këtu më poshtë, besoj se do të jetë plotësisht e qartë. Ajo përmbledh me pak fjalë, misionin, vizionin, aktivitetin, objektivat dhe pasojat e zbatimin ose jo të saj. Ekipet që punojnë së bashku për periudha të gjata, zakonisht mendojnë se i kanë të qarta këto elementë, por të pasurit e një dokumenti të shkruar, siguron që secili anëtar i ekipit ecën me të njëjtin ritëm drejt arritjeve. Ne vërejmë shpesh, se në organizatat që e kanë dhe i japin rëndësi këtij dokumenti (për fat të keq -janë shumë të rralla), ekipet e punës janë më efektivë, karakterizohen nga energjia dhe fokusi, ndërsa e kundërta ndodh atje ku mungon. Ku bëni pjesë ju? E fundit: është një nga elementët kryesorë në ndërtimin e kulturës së organizatës. Mendoni seriozisht rreth kësaj. Lexim të këndshëm!
* * * * *
Unë kam drejtuar disa aktivitete trajnimi për ekipe me performancë të lartë, gjatë muajve të fundit, dhe jam befasuar kur kam zbuluar se asnjë ekip, me të cilin kam punuar, kurrë nuk ka krijuar një "Deklaratë të ekipit". Me këtë kam parasysh një listë rregullash të shkruara, si dhe pritshmërinë, që të gjithë në ekip bien dakort, dhe njëkohësisht kjo udhëzon mënyrën se si të punojnë së bashku. Unë besoj se ky është një dokument thelbësor, për t'i ndihmuar njerëzit të kuptojnë qartë rolin e tyre në ekip, çfarë sjelljeje është e përshtatshme dhe cilat gjëra nuk do të tolerohet. Pa një deklaratë të tillë, anëtarët e ekipit thjesht e marrin me mend se si duhet të veprojnë dhe të sillen së bashku si ekip, duke ngritur supozime, politika, thashetheme, konflikte, mungesë llogaridhënie dhe përfundimisht, një mungesë të rezultateve. Për të ndihmuar organizatën tuaj që të shmangë këto çështje, këtu janë disa ide se çfarë mund të përmbajë një Deklaratë ekipi:
Në një artikull të kohëve të fundit në HBR (Harvard Business Review) rekomandohet që një deklaratë ekipi të përfshijë këto parime themelore:
- Jam dakord që të jem korrekt me kohën, duke kuptuar se koha e të gjithkujt është e kufizuar dhe jashtëzakonisht e vlefshme.
- Pranoj të tregoj respekt për çdo anëtar tjetër të ekipit dhe u jap atyre të drejtën e dyshimit.
- Pranoj të bëj përpjekjet më të mira për të përmbushur çdo detyrë, misionin e ekipit dhe qëllimin tonë të përbashkët.
- Unë jam dakort të mos përfshihem në ndonjë thashetheme për anëtarët e ekipit tim dhe të përpiqem për t'i dhënë fund asaj, nëse e has.
- Unë jam dakort që të komunikoj më herët dhe gjithmonë, për çështje që kanë të bëjnë me kohën pushim, të nevojshme për jetën time personale.
- Unë jam dakort që të trajtoj mosmarrëveshjet, shkeljet ose konfliktet e perceptuara, me dinjitet dhe profesionalizëm.
Kjo është një deklaratë e një organizate jofitimprurëse me të cilën kam punuar:
- Jini të përgjegjshëm
- Mendohuni përpara se të flisni
- Kërkoni sqarime
- Vendosni pritshmëri të qarta
- Trajtojini njerëzit me dinjitet dhe respekt
- Jini të ndjeshëm
- Kërkoni ndihmë
- Jini të drejtpërdrejtë dhe të dashur
- Shikoni së pari, për pozitiven
- Krijoni zonën e sigurisë, ku njerëzit mund të jenë të ndershëm në reagimet e tyre pa frikën e ndëshkimit
- Jini të gjindshëm
- Interesohuni për njerëzit
- Jini të dobishëm dhe mbështetës
- Komunikoni në mënyrë profesionale
- Kaloni kohë së bashku
- Kënaquni
Kjo listë është nga një kompani prodhuese që unë kam ndihmuar:
- Dëgjoni njëri-tjetrin, me një mendje të hapur dhe pa ndërprerje
- Ndani njohuritë, informacionet dhe përvojën me ata që mund të përfitojnë
- Merrni vendime të bazuara në arsyetime, jo tek posti
- Shprehni shqetësimet, vetëm tek ata që janë përgjegjës për trajtimin e tyre
- Inkurajoni një kulturë përgjegjësie, jo një kulturë fajësie
- Bazojeni punën tonë tek "klienti"
- Përpiquni të përmirësoheni vazhdimisht
- Silluni me integritet
- Sfidoni pozitivisht pandershmërinë ose sjelljen destruktive
- Shmangni egoizmin
Këto janë vetëm disa ide për t'ju ndihmuar në krijimin e deklaratës tuaj të ekipit. Megjithatë, është e domosdoshme që të zhvilloni një deklaratë të shkruar, të qartë dhe sigurohuni që të komunikohet mirë, në të gjithë anëtarët e ekipit, dhe, që ata të jenë plotësisht të përkushtuar dhe pajtohen që do ta mbështesin në çdo kohë. Pa këtë dokument, është e pamundur të ndërtohet dhe të mbështetet një ekip i performancës së lartë.