Blog

Si të ndërtoni Ekipin me Performancë të Lartë (EPL)

Si të ndërtoni Ekipin me Performancë të Lartë (EPL)

Ju e dini tashmë përkufizimin e ndërtimit të ekipeve në biznes - ai është procesi i kthimit të një grupi punonjësish individualë në një ekip të bashkuar, në një grup njerëzish të organizuar, për të punuar së bashku, në mënyrë të ndërvarur dhe bashkëpunuese, për të përmbushur nevojat e klientëve, duke përmbushur objektivat dhe qëllimet e tyre. Po çfarë mund të thoni për ndërtimin e një Ekipi me Performancë të Lartë? Ne e hasëm këtë term në artikullin e John Spence, këtu në vazhdim, e për shkak se na tërhoqi vëmendjen, menduam të ndajmë me ju idetë e tij. Nëse keni dyshime mbi efektivitetin e ekipit tuaj, apo po mendoni t'i trazoni pak gjërat, atëherë këto ide patjetër do ju hyjnë në punë. Lexim të këndshëm!

* * * * *

Kohët e fundit kam pasur kënaqësinë të zhvilloj një trajnim mbi Ekipin e Performancës së Lartë (EPL) për një nga klientët e mi të preferuar. Kur e zhvilloj këtë seminar, unë përdor një model të kompetencave të EPL-së, që e kam zhvilluar pas dhjetra viteve mësim mbi punën ekipore për kompanitë në mbarë botën. Dhe ja ku është modeli:

Drejtimi i përbashkët: edhe pse dikush nga lart mund të vendosë drejtimin përfundimtar për ekipin, në një EPL anëtarët e ekipit kanë një lloj informacioni dhe kontrolli mbi drejtimin e përbashkët, që të gjithë krijojnë për ekipin.

Objektiva të matshëm: në një EPL të vërtetë, vizioni mbështetet nga një sërë matjesh të qarta, specifike, sasiore ... dhe matje binare. Matjet duhet të jenë të qarta. Ju ose e keni arritur ose nuk e keni arritur atë. I zi ose i bardhë / Po ose Jo / Zero ose Një - kjo është arsyeja që përdor termin "binar".

Kompetenca: Ju dëshironi që të keni njerëzit më të mirë në ekipin tuaj. Njerëz të zgjuar, të mprehtë, kreativ, me integritet të lartë e me vlera të forta thelbësore.

Komunikimi: shenjë dalluese e një EPL-je është niveli i lartë i komunikimit të hapur, të sinqertë, të fuqishëm dhe më e rëndësishmja, transparent. Çelësi i suksesit në EPL është qasja e plotë në sa më shumë informacione që ju mund të jepni dhe merrni. Njohuria nuk është fuqi në një EPL - shkëmbimi i njohurive, është fuqia.

Përgjegjshmëria e ndërsjelltë: kjo është pika kryesore midis një grupi pune, ekipi dhe sidomos në një ekip të vërtetë, me performancë të lartë. Në një EPL të suksesshëm, të gjithë anëtarët e ekipit - pavarësisht nga rangu, titulli, vjetërsia, përvoja - e mbajnë njëri-tjetrin dhe veten, reciprokisht 100% të përgjegjshëm për arritjen e objektivave të qartë, specifik, të matshëm dhe binarë. Kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme të vendosësh tregues të qartë dhe të padyshimtë, sepse kjo ju lejon të mbani jashtë nga ekuacioni, personalitetin dhe emocionet - dhe kështu, ju thjesht përqendroheni tek performanca. Nëse i thoni dikujt në ekip - "Nuk më duket që po e bën mirë punën" ose, - "Nuk mendoj se do ta arrini këtë objektiv", kjo është vetëm një ftesë për konflikt. Por, në qoftë se objektivat janë të qarta, të pa dyshimta, 100% binare ... atëherë mund ta shikoni në sy personin dhe t'i thoni: - "Ju dhe unë jemi shokë të mirë dhe vërtet më pëlqen të punoj me ty, por është e qartë se objektivi ishte të rrisnim shitjet 83%. dhe në fakt, ne i kemi rritur ato me 63%. Çfarë planifikoni të bëni për të mbyllur hendekun?" Në këtë mënyrë janë anëtarët e ekipit përballë objektivave të matshëm - jo kundër njëri-tjetrit.

Disiplina: së fundi, një EPL ka disiplinë, për të mbajtur parasysh dhe gjithmonë e në çdo kohë, të gjithë këta faktorë të ekipit - ata e bëjnë atë pjesë të pandarë të kulturës në ekipin e tyre dhe sigurohen që kurrë nuk do të harrojnë objektivat e matshëm, kompetencën, komunikimin, drejtimin dhe njerëzit më të mirë, elementët themelorë të një EPL-je të suksesshëm.

Në fund të trajimit, pasi kishim bërë disa aktivitete, i pyeta pjesëmarrësit që të krijonin një model të EPL-së në mënyrë specifike për organizatën e tyre. Mendova se do të ishte me vlerë edhe për ju, ajo që ky grup punonjësish dhe drejtuesish zhvilluan:

Besim: ndershmëri, integritet, kulturë sigurie - ku ju mund të shprehni idetë dhe opinionet tuaja pa frikë.

Respekti: dëgjoheni, kuptoni se të gjithë anëtarët e ekipit kontribuojnë, të gjithë në ekip shtojnë vlerat.

Objektiva të qarta: pritshmëri specifike, reale dhe të qarta, dhe me mjetet për t'i arritur ato e për të përcaktuar prioritetet e objektivave.

Mirënjohje: shikoni që njerëzit i bëjnë gjërat drejt, festojnë fitoret e mëdha dhe të vogla.

Qëndrimi pozitiv: të jeni të këndshëm, të buzëqeshni, të përqafoni ndryshimin si një gjë pozitive.

Udhëheqësit duhet të modelojnë rrugën: në mënyrë që të udhëhiqni një ekip ju duhet të jeni i aftë në punën e ekipit dhe të kuptoni shumë mirë atë që punonjësit apo anëtarët e ekipit tuaj po bëjnë, në mënyrë që të menaxhoni dhe t'i udhëhiqni në mënyrë efektive.

Komunikim i qartë: i hapur ndaj ideve të reja, dëgjimit dhe ndjeshmërisë.

Angazhim i fortë: përafrimi me organizatën dhe angazhimi i plotë ndaj ekipit dhe objektivave.

Kjo listë erdhi nga një grup prej më shumë se 50 punonjësish dhe drejtuesish të lartë të një organizate shumë të madhe. Sidoqoftë, unë mendoj se pavarësisht nga madhësia e organizatës suaj, këto kompetenca të ekipit me performancë të lartë që unë dhe pjesëmarrësit listuam, ka mundësi të jenë shumë të ngjashme me aftësitë dhe karakteristikat që do të duhen, për të krijuar një ekip me performancë të lartë në kompaninë tuaj. Kështu që ju rekomandoj t'i rilexoni të dyja këto lista përsëri dhe të mendoni se si këto gjëra po ndodhin në organizatën tuaj, çdo ditë.