Blog

Çfarë duhet të bëni, kur nuk e keni më në zemër, punën tuaj?

Çfarë duhet të bëni, kur nuk e keni më në zemër, punën tuaj?

Nuk ka dyshim, dhe ndoshta është e tepërt të themi, që çdo punë ka kënaqësitë dhe vështirësitë e saj. Zakonisht, fillimi i një pune të re, i karakterizon njerëzit me optimizëm dhe dëshirë, por me kalimin e kohës, për arsye nga më të ndryshmet, optimizmi dhe dëshira zbehen pa e kuptuar. Dhe pastaj ka raste kur dikush e urren deri në makth punën e tij. Motivimi, jo gjithmonë është një detyrë e punëdhënësit, ndërkohë që secili mund të bëjë më shumë për veten e tij. Disa ide për të dalë nga kjo gjendje, sugjeron edhe Andy Molinsky, autori i artikullit që po ju sjellim më poshtë. Lexim të këndshëm!

* * * * *

Në një botë ideale, jeta jonë e punës do të ishte tërësisht përmbushëse, plot kuptim dhe më thelbësorja, motivuese. Por, nëse nuk është? Po nëse kemi ngecur në një punë apo karrierë që dikur e donit, por tani zemrën nuk e keni më aty?

Këtij profili i përshtaten më shumë njerëz se sa mendoni. Sipas një sondazhi të Gallup 2017, vetëm një e treta e punonjësve të Uashingtonit ndjehen të angazhuar në punë; që do të thotë se, vetëm një në tre punonjës ka nivel të lartë iniciative, angazhimi, pasioni dhe produktiviteti në punën e tyre. Kjo e bën shumicën e punonjësve të qëndrojnë në zonën e pakënaqësisë ndaj punës së tyre.

Dhe të themi të vërtetën, mund të ketë shumë arsye për këtë ndjenjë lodhje e rraskapitje. Ju mund të ndjeheni të lodhur se jeni duke bërë të njëjtën gjë pa pushim. Ju po pyesni veten se cili është kuptimi themelor i punës që po bëni. Ju mund të ndiheni të mikromenaxhuar ose që drejtuesit e kompanisë nuk e njohin ose nuk “ja ndjen” për të mësuarin dhe rritjen tuaj. Apo ndoshta rritja dhe zhvillimi juaj, që nga fillimi i karrierës tuaj, ka bërë që të ndryshoni pasionet dhe prioritetet tuaja në jetë.

Në punën time, gjatë gjithë kohës, shoh dhe dëgjoj shembuj të zhgënjimit rreth karrierës - gjatë mësimdhënies dhe trajnimit të njerëzve në kompani të ndryshme, në diskutimet pas ligjërimeve në korporata, dhe në biseda me familjen dhe miqtë e mi. Megjithëse tendenca mes disave prej nesh në këtë situatë është thjesht të qahemi dhe t'a durojmë këtë, studimet e tanishme shkencore sugjerojnë mënyra për të ri-imagjinuar - ose ri-vizionuar - gjendjen profesionale të pa frymëzuar.

Vlerësoni atë që dëshironi nga puna juaj - në këtë moment në jetën tuaj. Jo të gjithë duan një karrierë të fuqishme. Në fakt, sipas hulumtimit të profesoreshës së Yale, Amy Wrzesniewski, njerëzit priren të bien në një nga tre kategoritë: Disa e shohin punën e tyre si karrierë; të tjerët e shohin atë thjesht si punë; dhe ka të tjerë që e shohin atë si profesion. Është kjo kategoria e tretë e njerëzve, dhe s’është për t’u habitur, të cilët shfaqin performancë më të lartë dhe një ndjenjë më të madhe kënaqësie në punën e tyre. Çelësi është përcaktimi i asaj që ju intereson tani - ajo që ju drejton, atë për të cilën jeni të apasionuar, çfarë në të vërtetë ju motivon - dhe nisni të ndërtoni nga aty. Është krejt e mundur, që shtysa e cila e drejtoi karrierën tuaj gjatë të njëzetave, nuk është më e njëjta. Mos e detyroni veten tuaj 40-, 50- ose 60-vjeçare, me ndjenjën tuaj 20-vjeçare të ambicieve. Edhe nëse nuk e gjeni profesionin tuaj të vërtetë, së paku do të rrisni shanset për t’i dhënë një kuptim punës tuaj.

Shikoni nëse ka pjesë të punës suaj, që janë "të ndreqshme". Ka pasur shumë studime mbi idenë e krijimit të punës, ku ju ndryshoni disa aspekte të punës tuaj, për të fituar një ndjenjë më të madhe kuptimi dhe kënaqësie. Studiuesit e sjelljes organizative Justin Berg, Jane Dutton dhe Amy Wrzesniewski kanë treguar se njerëzit mund të jenë shumë inovativë dhe efektivë në ri-imagjinimin dhe dizenjimin e punës së tyre në mënyra personale dhe kuptimplota.

Për shembull, nëse ju pëlqeni analizën por jo shitjet, a mund t'i përshtasni përgjegjësitë tuaja në këtë drejtim? Nëse e doni bashkëveprimin me të tjerët, por ndiheni të vetmuar, a mund të gjeni mënyra për të bërë më shumë partnerë në projekte? Një pjesëmarrëse nga hulumtimi i Berg, Dutton dhe Wrzesniewski riprojektoi punën e saj të marketingut për t’u përfshirë më shumë në planifikimin e eventeve, edhe pse kjo nuk ishte fillimisht pjesë e punës së saj. Arsyeja ishte mjaft e thjeshtë: Ajo e pëlqente dhe jepte shumë në këtë drejtim, dhe duke vepruar kështu, ajo mund të shtonte vlerë në kompani dhe në përvojën e saj të punës në të njëjtën kohë.

Ose, mendoni këtë: Imagjinoni sikur jeni arkitekt i dizenjimit të punës dhe bëni një skicë "para" dhe "pas" të përgjegjësive tuaja të punës, ku "para" përfaqëson gjëndjen jo-frymëzuese dhe "pas" përfaqëson mundësitë e ardhshme. Çfarë lëvizje mund të bëni ju për të ridizenjuar punën tuaj, edhe sikur vetëm pak? Ndonjëherë edhe rregullimet më të vogla mund të çojnë në ndryshime cilësore në përvojën tuaj të punës.

Ndizni pasionin jashtë punës. Mund të jetë një dëshirë e fshehtë, për të cilin i keni thënë vetes që nuk keni kohë, një projekt personal që nuk lidhet me punën ose karrierën tuaj, ose një "punë extra" ku mund të eksperimentoni me ide inovative ose sipërmarrëse, në një shkallë më të vogël. Të krijoni një hapësirë për pasionin tuaj jashtë punës mund të balancojë monotoninë e punës së përditshme. Këto përpjekje frymëzuese mund të kenë edhe efekte të paparashikuara në punë, duke ju dhënë energji dhe frymëzim për t'a bërë punën me mjeshtëri ose për të rindërtuar pjesët e punës të cilat ju pëlqejnë.

Nëse gjithçka tjetër dështon, bëni një ndryshim. Mendoni për ndryshimin e karrierës tuaj në të njëjtën mënyrë si do të mendonit për të ndryshuar shtëpinë tuaj. Kur e bletë në fillim shtëpinë tuaj, kishit kërkesa të caktuara. Por që atëherë, prioritetet tuaja mund të kenë ndryshuar, ose ndoshta thjesht janë bërë më të mëdha. A ndryshoni, rinovoni apo nuk lëvizni vendit? Ju mund të mendoni në të njëjtën mënyrë edhe për punën dhe karrierën tuaj. A kanë ndryshuar prioritetet dhe nevojat tuaja? Mund të ndryshoni ose "rinovoni" punën tuaj? Apo ju duhet të vazhdoni para?

Natyrisht, nëse zgjidhni të ndryshoni karrierën, do të dëshironi t'a mendoni dhe të përgatiteni përpara se ta filloni. Krijoni lidhjet me njerëz në profesionet të cilat mund t’ju interesojnë, rregulloni financat tuaja dhe testoni karrierën e re (ndoshta në fundjavë ose natën), para se të bëni ndryshimin. Mund të ndiheni të friksuar për të ndryshuar gjithçka kaq papritur, por është e rëndësishme t’a konsideroni si mundësi, nëse po ndiheni shumë keq në punë.

Megjithatë, gjëja më e rëndësishme, nëse po e kuptoni se po ju ulet interesi për punën, është të mos humbni shpresën. Mund të gjeni mënyra për të ndezur përsëri pasionin tuaj - ose të paktën të bëni ndryshime të vogla në mënyrë që të mos ndiheni të pashpresë. Ka gjasa të befasoheni me veten, kur të shikoni se sa elastik dhe i shkathët jeni, ndërsa ecni në rrugën e rinovimit të karrierës.