Blog

Për ti dhënë KUPTIM punës tuaj, NDRYSHONI mënyrën si mendoni për të!

Për ti dhënë KUPTIM punës tuaj, NDRYSHONI mënyrën si mendoni për të!

Për artikullin e sotëm është e panevojshme parathënia jonë, pasi ajo e autorit John Coleman është mëse e mjaftueshme. Vetëm 3 minuta – Lexim të këndshëm!

Prej një artikulli të mrekullueshëm, në New York Times në vitin 2007, tashmë numërohet 20 vjetori i "Sfidës së punëtorëve" - ose e ashtuquajtura "Olimpiada e llucës" - një konkurs për punëtorët e trajtimit të ujërave të zeza në Nju Jork. Pjesëmarrësit konkurrojnë, për të treguar aftësitë në punën e tyre, dhe shpesh e bëjnë këtë me pasion të madh. Komisionerët e Departamentit për Mbrojtjen e Mjedisit, në qytetin e Nju Jorkut, për punën që bëjnë konkurrentët, shprehen - "Është punë e vështirë. Shpesh është punë e pakëndshme. Dhe ata janë të jashtzakonshëm". Gjatë konkurimit, vihet re krenaria, që konkurrentët kanë në punën e tyre dhe motivimin që ata gjejnë për ta bërë mirë. Njëri prej tyre, duke vënë në dukje se sa anonime mund të jetë puna e tyre, citohet duke thënë, "Është e mjaftueshme për t'i shërbyer publikut".

* * * * *

Pse disa njerëz, të cilët paguhen jashtëzakonisht mirë dhe punojnë në mjedise të rehatshme ndihen të zbrazët, ndërsa të tjerët, mund të punojnë në kanalizimet e qytetit të Nju Jorkut dhe të ndihen të përmbushur? Pjesë e përgjigjes është QËLLIMI.

Kohët e fundit, vura re në një artikull, se për shumicën e njerëzve, QËLLIMI ndërtohet dhe nuk gjendet. Të punosh me ndjenjën e qëllimit çdo ditë, është një veprim vullneti, i cili kërkon një të menduar të thellë dhe praktikë. Duke parë miqtë dhe kolegët që kanë punuar me dhe pa qëllim për vite me radhë, do t'ju ofroj këshillat në vijim, se si t'a bëni punën me vetëdije  dhe me qëllim, pavarësisht nga profesioni juaj.

Lidhni punën me shërbimin. Kur isha në universitet, dëgjova një herë Bill George, të tregonte një histori se si ai e theksonte lidhjen e pacientëve me punonjësit, në takimin vjetor të Medtronic kur ai ishte CEO. Ai ftonte një person, jeta e të cilit ishte shpëtuar, për shembull nga një defibrilator, për të folur me kolegët e tij dhe t'u tregonte se si puna e tyre kishte shpëtuar jetën e atij personi. Ai ftonte dikë tjetër për të nxjerrë në pah dikë në departamentin e kontrollit të cilësisë, dhe do të shpjegonte se si përkushtimi dhe rreptësia e saj po shpëtonin mijëra jetë. Ai i lidhte kolegët e tij direkt me njerëzit të cilëve ata u shërbenin.

Ndërkohë që jo të gjithë mund t'i trajtojnë situatat si të lidhura me jetën dhe vdekjen në punën e tyre, secili prej nesh i shërben dikujt me atë që bën. Mësuesit mund të shohin jetët e reja, të cilave po ju japin formë çdo ditë dhe të përfytyrojnë ndikimin e qëndrueshëm që mund të kenë në jetën e re, të cilën ata prekin. Kontabilistët e korporatave mund të lidhen mendërisht me punën e madhe të organizatave të tyre dhe të kenë krenari dhe qëllim tek klientët, të cilëve ata u vijnë në ndihmë. Kujt i shërbeni ju? Lidhja e punës sonë të përditshme - me vetëdije dhe konkretisht - me ata të cilëve ne u shërbejmë, e bën t'a përfundojmë atë punë më me qëllim.

“Qëndiseni” punën tuaj - dhe bëjeni atë një vepër arti. Profesorja e Yale, Amy Wrzesniewski një herë bëri një studim të thellë mbi stafin e kujdesit spitalor, për të përcaktuar se çfarë i ndihmoi disa anëtarë të ekipit që të përmirësoheshin. Rezultatet e studimit ishin vërtet interesante. Ajo zbuloi një praktikë, në mesin e kujdestarëve më të lumtur dhe më efektivë, dhe e quajti atë "qëndisje e punës". Këta punonjës të kujdestarisë, të fokusuar intensivisht në shërbimin ndaj pacientëve, "krijonin punën që donin të bënin, brenda punës për të cilën ishin caktuar - punë të cilën ata e besonin si vërtet kuptimplote dhe të vlefshme".

Dikush riorganizonte veprat e artit nëpër dhoma, për të stimuluar trurin e pacientëve në koma, dikush tjetër përkushtohej të mësonte rreth kimikateve që ata përdornin për pastrimin e dhomave dhe përpiqej të zbulonte, se cilat kishin më pak gjasa të irritonin gjendjen e pacientëve. Ata po kërkonin përsosmërinë, në shërbimin ndaj të tjerëve, dhe përshtasnin punët e tyre për t'i shërbyer këtij qëllimi. Ata e zgjeruan punën e caktuar, për të qenë kuptimplotë për veten dhe për ata të cilëve u shërbenin. Madje Amy dhe kolegët e saj, kanë filluar të mendojnë më thellë rreth ushtrimeve që mund të ndihmojnë këdo, të përqëndrohet në "qëndisjen" e punës së tyre, në diçka që u jep atyre QËLLIM, ndërsa nuk lënë mënjanë thelbin e punës së tyre.

Në një kuptim tjetër të termit, kjo "qëndisje" ishte gjithashtu një demonstrim i trajtimit të punës si artizanale, pra, duke u përqendruar në aftësitë e nevojshme për të përfunduar punën dhe duke e përkushtuar veten, për përsosjen e atyre aftësive. Kjo atmosferë e përmirësimit të vazhdueshëm në ushtrimin e zanatit, e demonstruar në mënyrë shumë të talentur, nga punonjësit e trajtimit të ujërave të zeza të Nju Jork-ut - në vetvete, duket se i plotëson qëllimet profesionale me një qëllim më të madh.

Investoni në marrëdhënie pozitive. Me kë punojmë, është po aq e rëndësishme, sa ajo që bëjmë. Psikologu Martin Seligman ka shkruar gjerësisht mbi rëndësinë e marrëdhënieve në Lumturi dhe Përmbushje, e po kështu edhe studimi i famshëm i Harvard Grant, zbuloi se Lumturia dhe madje edhe Suksesi Financiar, janë të lidhura me ngrohtësinë e marrëdhënieve. Madje studimi përfundon në mënyrë të shkëlqyer, me thënien kryesore: "Lumturia është dashuri. Pikë”.

Bëjeni punën më kuptimplote. Ndërsa marrëdhëniet domosdoshmërisht (dhe në mënyrë të përshtatshme) duken ndryshe brenda vendit të punës sesa jashtë saj, ato ende kanë rëndësi. Do të ishte mirë për të gjithë, nëse do të identifikonim më shumë mënyra, për të zhvilluar marrëdhënie pozitive kolegjiale në punë. Identifikoni punonjësin më të ri, që dëshironi të fuqizoni dhe i ofroni ndihmën tuaj të “lundrojë” në kompaninë tuaj. Merrni rolin udhëheqës në planifikimin e një ngjarjeje që do t'ju lejojë ju dhe kolegët tuaj, të njihni më mirë njëri-tjetrin. Shpenzoni çdo ditë pak kohë, për të biseduar me një koleg të ri, dhe përpiquni t'a kuptoni atë dhe bëjani të ditur se jeni mirënjohës që keni mundësi të punoni së bashku. Cilado qoftë qasja juaj, përpjekjet për të përmirësuar marrëdhëniet pozitive që keni me të tjerët në punë - shpesh duke investuar në shërbimin ndaj tyre - mund t'i japin punës kuptim më të madh.

 Mos harroni pse punoni. Shumica prej nesh nuk e kanë luksin të punojnë vetëm për argëtim. Ne mund të na pëlqejnë punët tona, por ne gjithashtu punojmë për të fituar të ardhura dhe për të paguar faturat. Për shumicën prej nesh, puna në vetvete është një akt kuptimplotë shërbimi. Prindërit shpesh punojnë shumë për të investuar tek fëmijët e tyre; dhe ata që nuk kanë fëmijë shpesh ndihmojnë në mbështetjen e prindërve të moshuar ose të të afërmve të tjerë. Ata që nuk kanë familje shpesh i përdorin burimet e tyre për të mbështetur organizata, që ata i duan në komunitet, ose miqtë e tyre në kohë nevoje. Është e rrallë të gjesh dikë që punon duke pasur në mendje vetëm nevojat e tij personale. Për kë po punoni? Identifikojeni atë person ose atë grup njerëzish. Kur orët janë të vështira ose detyrat janë jo magjepsëse, mbani mend se puna juaj është një akt shërbimi për ata që kujdesen për jetën tuaj personale. Mbajtja e kësaj në mendje, do t'ju ndihmojë të lidhni më shumë qëllimin me punën tuaj, madje edhe kur përmbushni detyrën më të vështirë.

QËLLIMI nuk është magji - ai është diçka që ne duhet t’a ndjekim me vetëdije dhe t’a krijojmë. Me qasjen e duhur, pothuajse çdo punë mund të jetë kuptimplotë.