Ju duhen vetëm 6 hapa, për të planifikuar Suksesin tuaj
Sot - 1 Janar 2018! Ndonjëri prej jush mund të jetë pak i lodhur nga festimet e natës që sapo kaloi, por dikush që nuk do të humbë kohë, po bën bilancin e vitit të kaluar, duke vlerësuar progresin që ka bërë në punë, në familje, me fëmijët dhe të afërmit e deri tek rritja personale. Urojmë që të jenë të kënaqur me atë që kanë bërë dhe me atë që kanë arritur. E ndërsa do mendoni për çfarë do të bëni gjatë gjatë 2018-s, nuk mund të rrinim pa ju sjellë shkrimin e Jim Rohn, i cili flet pikërisht për këtë moment. Gjeni pak kohë në këto ditë pushimesh dhe reflektoni, në mënyrë që pas 365 ditësh të ndiheni edhe më krenar, për veten tuaj. Gëzuar, e plot SUKSESE në realizimin e planit tuaj gjatë 2018!
* * * * *
Mentori im Earl Shoaff më mësoi se nuk është ajo që ndodh, që përcakton pjesën më të madhe të së ardhmes sonë - sepse ajo që ndodh, ndodh për të gjithë. Në vend të kësaj, ai më mësoi se çelësi është ajo që bëjmë lidhur me të. Nëse fillojmë procesin e ndryshimit duke zhvilluar një plan, duke bërë diçka ndryshe vitin e ardhshëm, krahasuar me sa kemi bërë vitin e kaluar, nuk ka rëndësi se me sa hapa të vegjël fillojnë këto përpjekje. Filloni t'i bëni gjërat ndryshe, për të njëjtat rrethana - si ato që keni patur gjithmonë dhe nuk keni mundur të ndryshoni gjë - dhe do të shikoni se çfarë mrekullish do të ndodhin. Nëse e filloni këtë proces duke ndryshuar veten, atëherë gjithçka ndryshon. Dhe këtu është ajo gjëja interesante: Dështimin dhe suksesin i ndan një fije floku.
Më lejoni ta shpjegoj këtë, duke ju dhënë përkufizimet e mia mbi dështimin dhe suksesin: Dështimi është disa gabime gjykimi që përsëriten çdo ditë. Dikush thotë: "Epo, sot nuk e bëra ecjen e mëngjesit dhe nuk po ndihem keq, kështu që nuk ka problem". Jo, jo, ky është një lloj gabimi në gjykim, që pas gjashtë vjetësh do të sjellë vështirësimin e frymëmarrjes edhe ndërsa shkon nga makina në zyrë. Nuk mund t'i bëni ato lloj gabimesh. Do t'ju kushtojnë.
Tani, këtu është përkufizimi im i Suksesit: Disa disiplina të thjeshta që praktikohen çdo ditë. A e shihni dallimin? Disa disiplina ... Ja një frazë e shkurtër që e kemi dëgjuar të gjithë, "Një mollë në ditë e mban mjekun larg". Dhe pyetja ime për ju është, "Po nëse kjo është e vërtetë?" Sa i thjeshtë dhe i lehtë është ky plan?
Është fakt, se kur shikoni njerëz të suksesshëm, pothuajse gjithmonë do të zbuloni një plan pas suksesit të tyre. Ata e dinë atë që duan, ata ndërtojnë një plan që do t'i çojë drejt asaj ku duan të shkojnë, dhe ata e zbatojnë planin e tyre. Ky është themeli i suksesit.
Si njerëz, ne kemi aftësinë unike për të ndikuar në ndryshimin e jetës tonë. Kjo arrihet nëpërmjet zgjedhjes sonë të vetëdijshme që të angazhohemi në procesin e mrekullisë së zhvillimit personal, pasi ne jemi në gjendje të transformojmë natyrën dhe jetën tonë.
Dua që ky vit të jetë një sukses për ju - një sukses i shkëlqyer - dhe ne e dimë se kjo do të thotë që ju duhet të keni një plan dhe pastaj të punoni sistematikisht mbi atë plan. Kombinimi i materialeve, qëndrimit tuaj të hapur ndaj të mësuarit, dhe zelli juaj për të ndjekur atë plan që është i duhuri për ju, do të sjellë këtë vit atë sukses, që ju e dëshironi. Pra, më lejoni t'ju sfidoj që të jeni sa më i sinqertë, sa më i angazhuar në progresin e filozofisë suaj, në gjërat që ju duhen, në planin tuaj.
Por, cilat janë disa ide të mira për hartimin e planit, që ai të funksionojë mirë dhe t'ju çojë fuqishëm në vijën e finishit? Këtu janë gjashtë pikat kryesore që duhet t'i mbani parasysh:
1. Zhvilloni planin e duhur për ju.
Disa njerëz janë shumë të orientuar ndaj detajeve dhe janë në gjendje të ndjekin nga afër edhe një plan të ndërlikuar. Të tjerët janë më pak të orientuar në detaje, gjë që gjithashtu, është diçka e mirë.
Por, cili plan është plani i duhur? Ai plan që ju përshtatet. Secili prej nesh është unik dhe i motivuar nga faktorë të ndryshëm dhe ju duhet të vendosni të zhvilloni atë plan, që është i duhuri për ju dhe që ju përshtatet. Disa plane do të jenë pak më të ndërlikuar se të tjerët, por të gjithë duhet të kemi një plan, së bashku me objektivat, për të na lëvizur përpara. Nëse jeni një shpirt i lirë, mos i thoni vetes se do të kaloni dy orë në ditë me një libër dhe ditarin. Ndoshta kjo nuk do të ndodhë dhe ju thjesht do të dekurajoheni. Cilido qoftë personaliteti juaj, pikat e tua të forta dhe të dobëta, zhvilloni planin rreth tyre. Ky nuk është ai plani që përshtatet me të gjitha problemet.
2. Vendosni kohën që do shpenzoni për të.
Mund të jetë mbrëmja e çdo të Diele. Mund të jetë 20 minuta çdo mëngjes, ose në darkë para shtratit. Mund të jetë në makinë, duke dëgjuar CD çdo të Hënë, të Mërkurë dhe të Premte. Çfarëdo kohe qoftë, vendosni orët dhe bëjeni atë. Në planin tuaj hap pas hapi, vendosni pikat që mund të realizoni çdo javë. Ato duhet të jenë specifike dhe të arritshme. Zhvilloni disiplinën dhe ndërmerrni këto hapa çdo ditë, gjë që do t'ju ofrojë më shumë me objektivat tuaja.
3. Mbani ditar.
Mbani shënime. Z. Shoaff më mësoi të mos i besoj memories, por të shkruaj, të gjej një vend, ku të mbledh informacionin që ndikon në ndryshim. Dhe kjo këshillë më ka shërbyer mirë gjatë gjithë këtyre viteve. Shënoni idetë dhe frymëzimin që do t'ju çojë nga aty ku jeni, atje ku dëshironi të jeni. Mbani shënime mbi idetë që ndikojnë më shumë tek ju. Shkruani mendimet dhe idetë tuaja. Mendoni se ku po shkoni dhe çfarë doni të bëni. Mbani shënim ëndrrat dhe ambiciet tuaja. Blloqet e shënimit janë një vend grumbullues për të gjithë informacionin e vlefshëm që do të gjeni. Nëse jeni serioz për t’u bërë i pasur, i fuqishëm, i sofistikuar, i shëndetshëm, i ndikuar, i kulturuar dhe unik, nëse hasni diçka të rëndësishme, shkruajeni. Dy njerëz mund të dëgjojnë ose lexojnë të njëjtat materiale, por do t'ju vijnë ide të ndryshme, secilit prej tyre. Përdoreni informacionin që mblidhni dhe regjistrojeni atë për reflektim të mëtejshëm, për debatin e ardhshëm dhe për të përcaktuar vlerën që ai ka për ju.
4. Reflektoni.
Gjeni kohë për reflektim - një kohë për t'u kthyer prapa, për të studiuar përsëri gjërat që keni mësuar dhe gjërat që keni bërë çdo ditë. Unë e quaj atë "riluaje muzikën përsëri", kështu që dita fiksohet plotësisht në kujtesën tuaj dhe shërben si një mjet. Ndërsa rishikoni materialet, do të doni të kaloni kohë duke reflektuar mbi rëndësinë e tyre, për ju. Në pak minuta në fund të çdo dite, kthehu përgjatë ditës: me kë biseduat, kë takuat, çfarë ju thanë ata, çfarë ndodhi dhe si ndihesh. Çdo ditë është një pjesë e mozaikut të jetës suaj.
Tjetër, në pak orë në fund të javës, reflektoni mbi aktivitetet e javës. Gjithashtu gjatë kësaj jave, merrni pak minuta për të reflektuar se si duhet të zbatohet ky material në jetën dhe rrethanat tuaja. Shpenzoni gjysëm dite në fund të muajit dhe një fundjavë në fund të vitit në mënyrë që t'i rishikoni të gjitha, në mënyrë që të mos zhduken kurrë, për të siguruar që e kaluara është edhe më e vlefshme dhe do të shërbejë më mirë për të ardhmen.
5. Vendosni Objektiva
Mos harroni se plani juaj është udhërrëfyesi për mënyrën se si do të arrini qëllimet tuaja, kështu që duhet t'i keni ato. Nga të gjitha gjërat që ndryshuan jetën time për më mirë (dhe më shpejt), ishte që mësova se si të vendosja objektiva. Zotërimi i këtij procesi unik, mund të ketë një efekt të fuqishëm edhe në jetën tuaj. Mbaj mend, se pak pasi kam takuar z. Shoaff, ai më pyeti nëse kisha një listë të qëllimeve të mia dhe natyrisht që nuk e kisha. Ai ma sugjeroi këtë, sepse për shkak të mungesës të disa objektivave të qartë, ai arriti të supozonte bilancin tim bankar, pak a shumë në disa qindra dollarë... dhe kishte të drejtë! E pra, zoti Shoaff filloi menjëherë të më ndihmonte të përkufizoja pikëpamjen time për të ardhmen, ëndrrat e mia. Ai më mësoi të përcaktoja objektivat, sepse ato kanë ndikimin më të madh në të ardhmen e një personi dhe janë forca më e madhe, që do të shtyjë personin në drejtimin që dëshiron të shkojë. E ardhmja duhet të planifikohet e të dizenjohet mirë, që të ushtrojë fuqinë që do t'ju shtyjë drejt zotimit të asaj që doni të jeni.
6. Veproni sipas planit tuaj.
Ajo që i dallon njerëzit e suksesshëm ndaj atyre të pasuksesshëm, shpesh është se të suksesshmit thjesht e bëjnë atë. Ata ndërmarrin veprime. Ata nuk janë domosdoshmërisht më të zgjuar se të tjerët; ata thjesht punojnë sipas një plani. Koha për të vepruar është kur emocioni është i fortë. Ja çfarë ndodh nëse nuk e bëni: Ligji i Zvogëlimit të Objektivit. Ne synojmë të veprojmë kur na vjen një ide, kur emocioni është i lartë, por nëse vonojmë dhe nuk e përkthejmë shpejt këtë në veprim, objektivi fillon të zvogëlohet, zvogëlohet edhe më shumë pas një muaji, dhe, një vit nga tani ai është i ftohtë sa që nuk mund të gjendet. Kështu që vendosni disiplinën, që kur ideja është e fortë, e qartë dhe e fuqishme - kjo është koha për ta vënë në zbatim planin. Ju duhet ta kapni emocionin, ta vendosni nën disiplinën e veprimit dhe ta materializoni atë. Dhe këtu kemi diçka më interesante: Të gjitha disiplinat ndikojnë njëra-tjetrën; gjithçka ndikon gjithçka. Kjo është arsyeja pse veprimi më i vogël është i rëndësishëm - sepse vlera dhe përfitimet që merrni nga një veprim i vogël do të frymëzojnë që të bëni tjetrin e më pas tjetrin... Pra, dilni dhe punoni mbi planin tuaj, sepse nëse plani është e mirë, atëherë rezultatet do të jenë të jashtzakonshme.