Blog

Si t'i mbani punonjësit produktivë, edhe në prag të festave të fund vitit

Si t'i mbani punonjësit produktivë, edhe në prag të festave të fund vitit

Edhe kjo javë, dhe viti 2017 ul siparin e tij. Janë momentet e fundit dhe shumë prej jush janë pushtuar nga entusiazmi i arritjes së objektivave, aq sa mund t’ju duket mëse e merituar, që tani është koha për të menduar për festat dhe pushimet që i shoqërojnë ato. Por nëse nuk jeni në vitin e parë të punës, ju e dini shumë mirë se festat kalojnë shumë më shpejt nga sa mendohen zakonisht, dhe ja ku fillon përsëri gara me kohën, për realizimin e objektivave të periudhës së re. Nëse jeni në pozicione drejtuese të biznesit, përgjegjësia është edhe më e madhe, pasi ju duhet të motivoni veten dhe ekipin tuaj. Patjetër që ju do të shfrytëzoni eksperiencën tuaj për këtë, por ne menduam t’ju nxisim pak, nëpërmjet këshillave të Matt Straz, që po ju sjellim më poshtë. Shfrytëzojmë rastin që së bashku me artikullin e fundit për vitin 2017, t’ju përshëndesim dhe urojmë përzemërsisht: Festa të Gëzuara dhe Suksese më të mëdha gjatë Vitit të Ri!

* * * * *

Jemi zyrtarisht në fillimin e sezonit të festave. Punëdhënësit dhe punonjësit janë të emocionuar dhe kanë arsyje për këtë. Produktiviteti po bie paksa. Teksa afrohet fundi i vitit, fokusi largohet pak nga puna.

Gjatë pushimeve, punonjësit kanë nevojë që kalojnë kohë me familjen dhe e meritojnë këtë, por java e fundit të vitit nuk duhet të jetë si një lojë në pritje. Koha kalon shpejt e ne duhet të jemi të fokusuar dhe produktivë. Përdorni këto këshilla për t'i mbajtur sytë e punonjësve tek “trofeja” dhe bëjeni fundin e vitit po aq produktiv sa edhe fillimi:

1. Vendosni objektiva të reja.

Në fund të vitit, punonjësit mund të ndihen sikur puna e tyre më e vështirë është realizuar tashmë. Ata kanë arritur disa nga objektivat kryesorë të vendosura në fillim të vitit dhe janë duke pritur të vendosin objektiva të reja, në fillim të vitit të ri.

Në vend që të prisni deri sa të fillojë viti i ri. për të rishikuar performancën dhe për të vendosur objektiva të reja, zhvilloni një proces të vazhdueshëm të rishikimit të performancës i cili zgjat deri në fund të vitit. Ndërsa kompania po i drejtohet finish-it, vlerësoni objektivat vjetore me secilin punonjës, për të parë se çfarë është arritur dhe çfarë nuk është realizuar ende. Kjo është e nevojshme sidomos kur punonjësit kanë nevojë për ndihmë për të vendosur objektiva të reja, për të mbushur hapësirat bosh - por nga një anketim i Gallup (referencat e studimeve dhe anketimeve bazohen në ato të zhvilluara në SH.B.A – shënim i ProspecTime), vetëm 13 për qind e punonjësve thanë që, - “menaxherët e tyre i ndihmojnë ata, të përcaktojnë objektivat e performancës”.

Punoni me punonjësit për të vendosur objektivat e reja, përpara vitit të ri. Ka projekte që mund të kërkojnë më shumë se disa muaj për t'u arritur, por mund ta nisni me 3-mujorin e parë. Punonjësit nuk kanë pse të presin që të fillojë heqja e fletëve nga kalendari, që të fillojnë për të punuar për realizimin e objektivave. Filloni që tani, që t'i mbani punonjësit të angazhuar, të përqendruar dhe produktiv gjatë gjithë vitit.

2. Përqëndrohuni në gjërat e vogla.

Pasi të jenë vendosur objektivat e reja, inkurajoni që tani punonjësit, që të fillojnë të ndërmarrin hapa të vegjël për t'i arritur ato, përndryshe ata mund të mbingarkohen. Në fakt, 65 për qind e drejtuesve, të anketuar nga Deloitte në Mars 2014, i vlerësuan punonjësit të mbingarkuar në vendin e punës, dhe kjo ishte një tendencë e rëndësishme dhe që kërkonte ndërhyrje urgjente.

Punonjësit mund të tundohen t'a shtyjnë fillimin e projekteve të mëdha deri fillimin e vitit të ri, por nëse projektet ndahen në hapa më të vegjël, ekipi do të shpenzojë më pak kohë.

Rishikoni objektivat e punonjësve dhe përcaktoni se çfarë mund të arrihet gjatë javës së fundit të vitit. Vendosni një afat kohor për këto hapa të vegjël, për t'i mbajtur punonjësit në rrugën e duhur dhe të përgjegjshëm për progresin e tyre. Përdorni një kalendar, aplikacione, sisteme të menaxhimit të projekteve dhe mjete të tjera, për t'ju kujtuar punonjësve se çfarë duhet të bëjnë dhe kur duhet bërë. Përqëndrohuni në një objektiv të vogël çdo ditë, për t'i mbajtur punonjësit të frytshëm dhe të motivuar, por jo të mbingarkuar.

3. Njihni arritjet e përditshme.

Fundi i vitit është sezoni për njohjen e meritave të punonjësve. Ka festa për fundin e vitit, darka dhe dreka si ekip, janë shpërblimet e fundvitit dhe festa për shpalljen e punonjësve të vitit. Ndërsa këto shpërblime njohin meritat e punës, që punonjësit kanë bërë gjatë gjithë vitit, ato nuk fokusohen në përpjekjet e përditshme të punonjësve.

Mos u kapni pas festimeve të fundvitit dhe të harroni të njihni përpjekjet që punonjësit po bëjnë çdo ditë. Edhe pse punonjësit i vlerësojnë gjestet e mëdha që e njohin punën e tyre, një vlerësim sado i vogël ka shumë rëndësi.

Fokusohuni dhe shfaqni mirënjohje për punën e vështirë të punonjësve gjatë tërë vitit. Por shenja të vogla vlerësimi mund të jenë po aq efektive për t'a mbajtur lartë motivimin dhe për t’i mbajtur punonjësit të angazhuar gjatë sezonit të festave. Dërgoni kartolina "Falendrimi" të shkruara me dorë, jepni një ditë pushim kur projektet mbarojnë para afatit, ose dërgojni një email në të  gjithë kompaninë, për të njohur meritat e punës së jashtëzakonshme.

4. Vlerësoni progresin.

Teknologjia luan një rol të madh në menaxhimin e objektivave dhe në mbajtjen e punonjësve të përgjegjshëm, veçanërisht në fund të vitit. Përdorni programet e duhura për të monitoruar projektet, për të mbajtur punonjësit të fokusuar dhe për të parë se kush është duke e bërë më mirë punën, ndërsa fundi i vitit është afër. Programi i Burimeve Njerëzore e bën të lehtë ndjekjen e procesit të performancës së punonjësve gjatë gjithë vitit - jo vetëm para rishikimeve të performancës dhe hapave të tjera.

Këto mjete gjithashtu u mundësojnë punonjësve të ndjekin dhe menaxhojnë objektivat e tyre. Punonjësit mund t'a masin progresin e tyre dhe të qëndrojnë të motivuar ndërsa afrohen më pranë arritjes së objektivave të tyre.

Megjithëse fundi i vitit fokusohet në festa, kjo nuk duhet të jetë një kohë joproduktive. Ndihmojini punonjësit të përcaktojnë dhe ndjekin objektivat për të përfunduar vitin shumë mirë.